UNDP: Krizat e shumëfishta ndalojnë progresin ndërsa 9 nga 10 vende bëjnë hapa mbrapa lidhur me zhvillimin njerëzor

Bota po zvarritet nga kriza në krizë e zënë si në çark në një cikël ‘fikjesh zjarresh’ dhe e paaftë të trajtojë rrënjët e telasheve me të cilat përballemi. Pa një ndryshim të fortë të kursit, mund të jemi duke shkuar drejt edhe më shumë privimi dhe padrejtësie, paralajmëron UNDP-ja, transmeton Portallb.mk.

Raporti i fundit i Zhvillimit Njerëzor, “Kohë të Vështira, Jetë Jo të Qeta: Formësimi i së Ardhmes Sonë në një Botë që Transformohet”, i paraqitur sot nga UNDP-ja jep argumente se shtresat e pasigurisë po shtohen dhe po ndërveprojnë duke shqetësuar jetën në mënyra të papranishme më parë.

Të paktën dy vjet patën ndikim shkatërrimtar për miliarda njerëz në botë, ndërsa krizat, si ajo e shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë, u zhvilluan njëra pas tjetrës dhe ndërvepruan duke sjellë ndryshime rrënjësore shoqërore dhe ekonomike, ndryshime të mëdha planetare, dhe rritje masive të polarizimit.

Për herë të parë në 32 vitet e matjes nga UNDP-ja, Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (IZhNj), që është matje e shëndetësisë, arsimit dhe standardit të jetesës së një kombi, ka pësuar rënie në nivel botëror për dy vjet radhazi tashmë.

Zhvillimi njerëzor ka rënë në nivelet e vitit 2016, duke kthyer pas shumë përparime të bëra drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Ky kthim është thuajse universal, duke qenë se 90% e vendeve kanë shënuar rënie të vlerës së IZhNj-së në vitin 2020 ose në vitin 2021 dhe më shumë se 40 % kanë shënuar rënie në të dy vitet, duke sinjalizuar që për shumë vende kriza është ende në thellim.

Ndërkohë që disa vende po fillojnë të rimëkëmben, kjo rimëkëmbje është e pabarabartë dhe e pjesshme, duke thelluar më tej pabarazitë gjatë zhvillimit njerëzor. Amerika Latine, Karaibet, Afrika Sub-Sahariane dhe Azia e Jugut janë ndikuar veçanërisht rëndë.

“Bota po rreket t’u përgjigjet krizave të njëpasnjëshme. Te krizat e kostos së jetesës dhe të energjisë kemi parë se megjithëse mund të jetë tundues përqendrimi në korrigjime të shpejta si subvencionimi i lëndëve djegëse fosile, taktikat e lehtësimit të shpejtë po vonojnë ndryshimet afatgjata sistemike që duhet të ndërmerren,” u shpreh Achim Steiner, Administrator i UNDP-së.

Ndryshe, vendet dhe qeveritë e tyre së fundmi po marrin masa shtesë për mbrojtjen nga kriza energjetike e cila ka kapluar në veçanti Evropën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button