Një vit më pas

Një vit pas tragjedisë që ndodhi në Spitalin modular për Covid-19 në Tetovë ende plagët janë shumë të freskëta, ende janë të hapura, për të gjitha ata të cilët i humbën më të dashurit në këtë tragjedi, por edhe për të gjithë qytetarët e Tetovës. Një vit pas një traume të tillë ne ende rënqethemi kur e kujtojmë atë pamje makabre të njerëzve të djegur, atë ankth që uroj askush në botët ë mos e përjetojë asnjëherë.

Një vit më pas opinioni publik ende nuk ka një sqarim të qartë se çfarë saktësisht ndodhi dhe si. Ende nuk ka një konkluzion të saktë as hetimi dhe as procesimi i këtij rasti. Informatat mbeten të turbullta dhe askush nuk e din saktë çfarë saktësisht ndodhi në atë natë të rëndë shtatori, që na sprovoi të gjithëve, por disa nga ne u sprovuan më shumë se të tjerët në këtë fatkeqësi.

Dhimbja nuk ka fund, e megjithatë njeriu është krijuar t’i përballojë edhe dhimbjet e mëdha e të tregojë kurajo dhe dashuri për jetën dhe për njerëzit. Dhimbja është e paimagjinueshme dhe sa herë që afrohet një përvjetor, ndihet edhe më thellë, edhe më shumë. Dhimbja nuk harrohet kurrë, dhe këto plagë mbeten jo vetëm në lëkurë por edhe në zemër, e që aty asnjëherë nuk shërohen plotësisht.

Një vit më pas po përballemi me sfida të reja. Ajo që na mundonte para një viti duket tani më e largët para problemeve eksistenciale që janë para nesh. Thonë dimri do të jetë i ftohtë dhe i vështirë. Ai dimër ka filluar kohë më parë për ata të cilët humbën dritën e syve të tyre në atë tragjedi të një viti më parë.

Gjithmonë do të ketë sfida të reja dhe përballje të ndryshme. Gjithmonë do të ketë ankthe të reja dhe ndoshta edhe tragjedi tjera. Por ajo që do të ndodhë në të ardhmen nuk na bën ta harrojmë të kaluarën e as nuk na shkëput nga ajo lidhje me njerëzit të cilët i humbëm brenda natës, i humbëm para syve tanë, e kujtimi i të cilëve do të na ndjekë deri në amshim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button