Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit të përqëndrohen në gjërat që i bashkojnë, këshilloi presidenti Pahor

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, tha të mërkurën në Prishtinë se e vlerëson përparimin e arritur së fundmi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ndërsa shprehu shqetësimin me atë që e quajti, ftohje e marrëdhënieve ndërmjet udhëheqësve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, raporton VOA.

Presidenti slloven i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë tha se duke pasur parasysh këtë ftohje marrëdhëniesh si dhe pasojat ekonomike e sociale të luftës në Ukrainë, është koha që udhëheqësit e Ballkanit të përqendrohen në gjërat që i bashkojnë dhe jo ato që i ndajnë.

Zoti Pahor para disa ditësh qëndroi për vizitë zyrtare edhe në Beograd, gjatë së cilës pati një përplasje ndërmjet tij dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç lidhur me Kosovën dhe sanksionet ndaj Rusisë.

I pyetur nga gazetarët përse Serbia nuk i ka vënë sanksione Moskës për shkak të agresionit në Ukrainë, presidenti serb tha se “Rusia nuk e ka shkelur tërësinë tokësore të Serbisë, ndërsa Sllovenia e ka shkelur”, duke ju referuar njohjes së pavarësisë së Kosovë nga Lubjana. Presidenti Pahor tha se deklarimet e tilla janë të papranueshme dhe tendencioze.

Presidenti slloven pritet që javën që vjen të jetë mikpritës i takimit të radhës në kuadër të procesit të Bërdo-Brionit, një nismë e Sllovenisë dhe Kroacisë si shtete anëtare të Bashkimit Evropian, që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut politik midis rajonit të Ballkanit dhe bllokut 27 anëtarësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button