Mësuesin përmes rrogës e plagosën dhe pastaj e kritikuan për ngadalshmëri në lëvizje

Mjeran duhet të jesh që të kërkosh cilësi në arsim dhe njëherësh ta përkrahësh rrogën mjerane të mësuesve. Të ardhurat financiare që të plotësojnë, të bëjnë më të vullnetshëm për punë e më të dinjitetshëm në jetë. Ata që marrin rrogë sa vlera e katër rrogave mesatare dhe të cilët kërkojnë cilësi në arsim, është mirë ta pyesin veten se pse pantallonat dhe këpucët që kanë cilësi të lartë i paguajnë shumë më shtrenjtë sesa pantallonat dhe këpucët me cilësi të ulët? Tani me çmim mjeran të blesh këpucë origjinale nuk mundet!

Më shumë se rrogat mjerane, asgjë tjetër nuk i ka nënçmuar mësuesit. Po si rrjedhojë e këtij mjerimi, sot mësuesit as që i përshëndet dikush, as që ia dëgjon llafin dikush, aq më pak ta merr si shembull në jetë, kurse në anën tjetër, gjitha profesionet tjera e kanë burimin prej mësuesve. Unë sot mund t’i radhis mirë fjalët në fjali, por themelin e kësaj aftësie e kam prej mësuesit.

Ai që sot ka mbërri majat e suksesit, gatimin e ka prej mësuesit. Politikani që sot kundërshton rritjen e rrogës së mësuesit, nuk do të ishte aty po të mos kalonte dhe kalitej nëpër duart e mësuesit. Shikuar hollë e hollë, në piramidën e rrogave, punëtorët e arsimit duhet të radhiten menjëherë pas rrogës së kryeministrit.

Vetëm atëherë mësuesit nuk do të kenë nevojë të shesin në pazar, të punojnë si kamarierë, të lyejnë shtëpi e të sharrojnë dru me mëditje, por në gjysmën tjetër të ditës do të përgatiten e do të çlodhen, kurse përgjatë fundjavës do të udhëtojnë së bashku me familje. Kështu do të ndihej krenar mësuesi dhe vetë familja e tij.

Njerëz, shumë rëndë është që para dite të japësh mësim, kurse pas dite t’i shërbesh në kafene nxënësit tuaj. Keq shumë është që mësuesi të vlerësohet dhe të nderohet jo për punën e tij, por për punën e dytë që e bën si automekanik. Prandaj, nëse duam cilësi, duhet ta kuptojmë se cilësia paguhet, përndryshe as poezitë me rima nuk mund të përkapen si harmoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button