Maqedonia e Veriut dënoi sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë nga ana e Iranit

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut e dënon ashpër sulmin kibernetik të 15 korrikut 2022, të kryer ndaj Qeverisë së Republikës së Shqipërisë nga ana e Republikës Islamike të Iranit, transmeton Portalb.mk.

“Maqedonia e Veriut solidarizohet me Qeverinë e Shqipërisë, i mbështet masat e marra në këtë kontekst dhe bën thirrje për përgjegjësi për autorët e aktiviteteve të tilla malinje destabilizuese, që e rrezikojnë jo vetëm sigurinë nacionale të Shqipërisë, por kanë edhe implikime më të gjera rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.

Sulmet e këtilla destruktive, sipas MPJ-së, paraqesin shkelje flagrante të normave të së drejtës ndërkombëtare, përpjekje për të minuar sovranitetin e Shqipërisë si dhe kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve dhe institucioneve të saj.

“Me qëllim mbrojtjen e interesave të saja, por edhe të interesave të secilit vend anëtar të NATO-s dhe aleatëve të tij, mbetemi të unifikuar në kuadër të Aleancës në ballafaqimin me të gjitha sfidat që i kanosen rendit dhe sigurisë ndërkombëtare”, thonë nga MPJ.

Ndërkohë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë, Republika e Shqipërisë ka ndërprerë e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në rrjetet sociale një video-mesazh lidhur me vendimin e qeverisë shqiptare për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, ku thekson se “hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button