Të gjallë fizikisht, të vdekur shpirtërisht 

Për Dino Buzzatin (1906 – 1972) thuhet se ishte i obsesionuar pas këtyre temave: vdekjes, misterit jetësor, ankthit të pritjes, absurditetit të ekzistencës, monotonisë, rutinës, depersonalizimit, dehumanizimit etj.

Vepra më e njohur e tij është Shkretëtira e tartarëve (1940) – një roman mbi pritjen e kotë. Oficeri Xhovani Drogo e kalon jetën në Kalanë e Bastianit në pritje të armikut. Ai beson se pas fitores do të rikthehet në vendlindje i mbështjellë nga lavdia. Koha kalon. Armiku nuk shfaqet. Pritja bëhet e kotë. Jeta i nënshtrohet rutinës. Drogo, që jeton sipas një skeme të paracaktuar, e humb luftën me kohën.

Studiuesit thonë se, sipas botëshikimit të Buzzatit, njeriu vetëm nëpërmjet vetëzbulesës mund ta gjejë kuptimin e jetës në botën absurde, të zymtë dhe boshe. I ngulfatur në guaskën e frikës ekzistenciale dhe i rënduar nga rutina, ai e humb kuptimin për jetën dhe për gjendjen e tij në kohë.

Kjo temë trajtohet edhe në tregimin “Kolombreja”, që fillon dhe mbaron me Stefan Rojin. Kolombreja është peshku të cilin e sheh vetëm viktima. Pasi Stefan Roji e sheh peshkun, i ati ia ndalon që t’i afrohet detit. I frikësuar nga rreziku, Stefan Roji nuk arrin ta shijojë perlën që ka dashur t’ia fal mbreti i detit.

Në tregimin “Tek mjeku” trajtohet tema e nënshtrimit nga rutina. Mjeku konstaton se protagonisti është i shëndetshëm, madje tepër i shëndetshëm, por është i vdekur.

“Je përshtatur, je futur në rresht, je bërë njësh, je zhytur kokë e këmbë në strukturën shoqërore, ke gjetur drejtpeshimin, qetësinë, sigurinë. Prandaj je kthyer në kufomë”. (Dino Buzzati, Mistere të padukshme, përktheu: Mimoza Hysa, Ombra GVG, Tiranë, 2006, f. 33-34.)

Protagonisti, pasi e ka humbur veten, është bërë i “flashkët, i zdruguar, i nënshtruar”. Ai i dëshiron gjërat e njëjta. Mendon si gjithë të tjerët brenda qytetërimit të shpifur (f. 34.)

Sipas mjekut, përveç njerëzve të vdekur, që bëjnë se gjallërojnë, ka edhe kombe që kanë vdekur edhe pse duken të gjallë. Në botë jeton një pakicë njerëzish. Ata e duan atë që u pëlqen dhe besojnë në atë që duan. (f. 35.) Pra, njeriu është i vdekur kur i nënshtrohet banalitetit që i imponohet, kur nuk mëton të dëshmohet, kur nuk jeton ashtu sikurse dëshiron, kur jeton sipas kallëpeve, dogmave, skemave. Të jetosh do të thotë të kërkosh, të ngulmosh, të vetëdëshmohesh.

Sipas mjekut, vdes ai që përshtatet, që jeton sipas një kallëpi, që e rregullon hapin, që i pret flatrat, që e ul flamurin, që jep dorëheqjen nga të qenit i çmendur, kundërshtar, ëndërrimtar dhe që mëton të pëlqehet nga publiku i madh i të vdekurve. Madje, mjeku beson se edhe ai është i vdekur.

“Kam vdekur. Vite më parë. Si mund të mbetesh gjallë në një qytet si ky? Vetëm më ka mbetur një e çarë… ndoshta nga sedra profesionale… një e çarë nga e cila arrij të shikoj”. (f. 35.)

Pra, njeriu që e humb personalitetin rron vetëm fizikisht, por është i vdekur shpirtërisht. Ai jeton sipas kallëpeve dhe ka frikë të kundërshtojë, të reagojë, të ëndërrojë. Kështu ndodh edhe me kombet.

Buzzati e parashikoi edhe krijimin e një gjendjeje të re në shekullin tonë, madje para se të triumfonte videocentrizmi dhe hiperrealiteti.

Predrag Finci në librin Fotografia. Syri i botës së djeshme, thotë se në botën e videocentrizmit njerëzit fotografojnë gjithçka, sepse fotografimi u është bërë shprehi, por fotografitë nuk zgjojnë emocione si dikur. Këtë gjendje Finci e përshkruan kështu: “Shoh se nuk u ka pëlqyer ushqimi” – i thotë kamerieri klientit.  “Përse mendoni kështu?” – pyet klienti.  “Po t’u pëlqente do ta fotografonit”.

Bota po e humb edhe shumëllojshmërinë nëpërmjet së cilës shfaqet bukuria. Qoftë kjo shumëllojshmëri kulturore, gjuhësore, kombëtare, religjioze, qytetërimore, sociale, por edhe personale.

Të qenit vetvetja, sipas poetit Hans Magnus Enzensberger, është “madhështi e veçantisë”. Është madhështor njeriu që jeton i pandikuar nga marrëzitë e epokës. Është i bekuar vendi ku vlerësohet madhështia e veçantisë. Në të kundërtën njerëzit bëhen marioneta. Mendojnë dhe jetojnë njësoj. Pavarësisht nivelit intelektual…

Veprat e Buzzatit lexohen dhe vlerësohen nga lexuesi shqiptar. Shumë vepra shkrimtarësh të njohur nuk e kanë zgjojnë kërshërinë e këtij lexuesi. Mbase receptimi i veprave të Buzzatit ndodh sepse jetojmë nën trysninë e rutinës, i nënshtrohemi kotësisë dhe kodeve anakronike të fisit, rrethit, shoqërisë, botës uniforme. Ashtu sikurse protagonisti i tregimit “Tek mjeku”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button