Drita Abdiu Halili: Më 15 shtator fillon procesi i azhurimit të skriningut RMV-BE, një hap para drejt eurointegrimit (Intervistë)

Me fillimin zyrtar të negociatave RMV-BE më 19 korrik të këtij viti, u shfaq nevoja për konsolidim të menjëhershëm të mekanizmit koordinues për menaxhimin e procesit të anëtarësimit, që është hallka kyçe që do të sigurojë koordinimin dhe mbështetjen e të gjitha reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes së stabilizim-asociimit. Lidhur me strukturën negociuese dhe funksionin më të detajuar të saj, Portalb.mk, realizoi intervistë me sekretaren shtetërore të Sekretariatit për Çështje Evropiane Drita Abdiu Halili, e cila theksoi se më 15 shtator fillon procesi i azhurnimit të skriningut që u bë në vitin 2018 dhe 2019.

Drita Abdiu Halili, foto nga Sekretariati për çështje evropiane

Tashmë që u krijua struktura e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, a dihet se kur saktësisht do të fillojë me punë, gjatë procesit të skriningut apo kur të hapen kapitujt?

Drita Abdiu Halili: Republika Maqedonisë së Veriut tani më ka filluar negociatat me Bashkimin Evropian dhe ka akorduar kalendarin e detajuar të skriningut i cili fillon gjatë këtij muaji dhe do të zgjasë deri më nëntor të vitit 2023. Procesi i skriningut ndahet në 2 pjesë, në atë shpjegues dhe bilateral. Tani më të gjitha organet e Strukturës Negociuese janë duke u kompletuar dhe do të fillojnë me punë menjëherë. Duke pasur parasysh fillimin e takimeve të skriningut pas së cilave të gjitha organet brenda strukturës vazhdojnë të punojnë në përgatitjen për takimet e skriningut bilateral të cilat janë të planifikuara për më pak se dy muaj pas takimeve shpjeguese për secilin kapitull.

A ka datë të saktë se kur do të fillojë procesi i skriningut?

Drita Abdiu Halili: Gjatë Konferencës Ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, e cila u mbajt në datë 19.07.2022, Maqedonisë së Veriut iu dorëzua kalendari i takimeve të skriningut. Në realitet, faza e parë e skriningut u realizua në vitin 2018 dhe 2019, kur dhe u bë shqyrtimi i legjislacionit të Maqedonisë në të gjitha kapitujt e legjislacionit të BE-së. Këtë vit, më saktësisht në 15 shtator fillon procesi i azhurnimit të skriningut që u bë në vitin 2018 dhe 2019, do të thotë, prezantimi i legjislacionit dhe akteve të reja të miratuara në këtë mes periudhë. I gjithë procesi i skriningut, përfshirë edhe shkriningun bilateral pritet të përfundojë në nëntor të vitit 2023.

Çfarë nënkuptojmë me elementet politik dhe teknik të negociatave, të cilët siç e përmendi vetë zëvendës kryeministri Bojan Mariçiq, në rolin e kryenegociatorit, do t’i ndërthurë ata?

Drita Abdiu Halili: Elementet teknike janë përgatitjet për procesin e skriningut, analiza e shkallës së përputhshmërisë, përgatitja e udhërrëfyesve etj. Kurse elementët politik janë ato që ofrojnë një mjedis dhe kushte për zbatimin e reformave, si dhe angazhim politik për realizimin e qëllimeve të caktuara. Këtë e kërkon edhe vetë metodologjia, e cila parashikon që negociatat të kenë një drejtim politik më të theksuar (stronger political steer).

Ju vetë jeni zëvendës-kryenegociatore, cili do të jetë më saktësisht roli juaj?

Drita Abdiu Halili: Sekretariati për Çështje Evropiane është sekretariati i vetëm në procesin e bisedimeve me BE që do ta koordinojë dhe drejtojë këtë proces. SÇE do të jetë depozituesi i të gjithë dokumentacionit lidhur me procesin e bisedimeve për anëtarësim, dhe në të gjitha grupet e punës do të ketë edhe përfaqësues të Sekretariatit për Çështje Evropiane që do të kenë për detyre për aspektet metodologjike të procesit të funksionimit të grupeve të punës, dhe koordinimit me trupat tjerë të strukturës negociuese.

Nevoja për kontroll të përditshëm të këtij procesi të gjerë dhe afatgjatë shumë profesional dhe mekanizmit masiv të koordinimit të të gjithë këtij procesi, që duhet mbajtur vazhdimisht në gjendje të jashtëzakonshme, shfaqi nevojën për pozitën e zëvendës-kryenegociatorit. Në këtë mënyrë, mekanizmi i koordinimit thjeshtohet, vendoset në mënyrë hierarkike dhe komanduese në një kuadër konsistent, në radhë të parë me synimin për rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit, thjeshtimin e procedurës nacionale, përshtatjen më të lehtë me nevojat dhe një proces më të shpejtë vendimmarrjeje.

Këtë funksion e ushtron sekretari shtetëror në SÇE sipas detyrës zyrtare, i cili gjithashtu është edhe kryesues i Komitetit për Stabilizim dhe Asociim

Çfarë roli do të ketë Komiteti i negociatave, përbërë nga kryeministri dhe katër zëvendëskryeministrat e Qeverisë?

Drita Abdiu Halili: Komiteti për negociata, si organ më i lartë punues i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për koordinimin e procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të shqyrtojë dhe përcaktojë propozim – qëndrimet negociuese të vendit para miratimit të tyre nga ana e Qeverisë, duke diskutuar dhe mbajtur qëndrim për çështjet më të rëndësishme që lidhen me negociatat.

A mendoni se do ta keni më të vështirë procesin negociues për shkak të metodologjisë së ndryshuar të negociatave në vitin 2020 dhe mungesën e një modeli si përvojë?

Drita Abdiu Halili: Мe miratimin e Metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit, Bashkimi Evropian e rivendosi procesin e zgjerimit në listën e prioriteteve të saj, madje edhe në kushte pandemie.

Kjo Metodologji imponon negociata shumë më politike, në një mënyrë që e ngre të gjithë procesin e negociatave në një nivel shumë më të lartë politik në të gjitha fazat e negociatave dhe mundëson pjesëmarrje të drejtpërdrejtë politike të shteteve anëtare, që do të thotë edhe përgjegjësi dhe llogaridhënie më të madhe politike. Një situatë e tillë e re politike kërkon përshtatje të duhur edhe nga ana jonë. Është e vërtetë që për shkak të numrit të madh të risive në proces, nuk ekziston një model i përvojës nga ndonjë shtet tjetër që mund të merret parasysh. Megjithatë, është e nevojshme që ne të krijojmë një model autokton dhe origjinal për koordinim, i cili do të pasqyrojë plotësisht risitë e Metodologjisë për forcimin e negociatave të anëtarësimit. Për ta bërë këtë, sigurisht që do të përdoren përvoja të vlefshme nga vendet e tjera, por vetëm për elementët që janë të natyrës gjenerike dhe do të përdoren përvojat tona që kemi fituar në procesin e integrimit evropian deri më tani, veçanërisht përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit. Para nesh është një periudhë dinamike që kërkon shumë punë dhe përkushtim. Qëllimi ynë është që deri në fund të kësaj dekade ti mbyllim bisedimet dhe të bëhemi anëtare e plotë e BE.

Cilat janë reagimet dhe gatishmëria e sektorit civil, të biznesit dhe atij akademik për përfshirje në këtë fazë fillestare të procesit të negociatave dhe cili është modeli i bashkëpunimi të SÇE-së me këto sektorë?

Drita Abdiu Halili: Gjatë definimit të Mekanizmit për koordinim të procesit të negociatave, SÇE konfirmoi rëndësinë e përfshirjes të të gjithë aktorëve relevant të shoqërisë në procesin e negociatave. Struktura Negociuese parasheh zhvillimin e mekanizmave të cilat do të definojnë rolin konkret dhe mënyrën e kyçjes së tyre ne proces. Për të definuar këtë, do të realizojmë takime individuale me të gjithë faktorët relevant për të diskutuar dhe definuar bashkërisht mënyrën më të përshtatshme dhe më efikase për funksionimin e këtij bashkëpunimi.

Cili është roli i opozitës në procesin e negociatave dhe si e vlerësoni iniciativën e tyre për referendum, që sipas kryeministrit dhe presidentit është tërësisht antievropian?

Drita Abdiu Halili: Mendoj që procesi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian është një proces gjithëpërfshirës dhe inkluziv, dhe si i tillë kërkon shumë punë dhe angazhim të plotë nga të gjithë aktorët politik, sektorin civil dhe në veçanti të shoqërisë akademike në vend. Anëtarësimi i shtetit në BE është përcaktim strategjik i vendit tonë që nga shpallja e RMV si shtet i pavarur, andaj këto çështje duhet të shoqërohen me një konsenzus më të gjerë kombëtar, dhe të gjitha forcat politike duhet të gjejnë mënyrën për të punuar së bashku në arritjen e këtij qëllimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button