Cesc Fabregas, sërish në Angli

Kthim në të shkuarën. Eshtë kjo e ardhmja e Cesc Fabregas, i cili duket gjithnjë e më larg Barcelonës e gjithnjë e më parë rikthimit në Premier League. Pas tre sezonesh me blaugranat, mesfushori ka shumë arsye për të luajtur sërish në Premier League e konkretisht te Arsenali, klubi që e shndërroi në një yll.

Për projektin e ri që ka në mendje, Wenger, krahas portierit Petr Cech dhe sulmuesit Mario Mandzukic, kërkon edhe rikthimin e Fabregas. Madje tekniku francez nuk ka preferuar të qëndrojë në pritje, por menjëherë ka nisur negociatat me përfaqësuesin e lojtarit. Darren Dein në të njëjtën kohë është takuar edhe me drejtues të Manchester United e Manchester City për të marrë në fund vendimin më të mirë për të ardhmen e Fabregas.

Mes këtyre opsionesh, rikthimi tek Topçinjtë duket edhe më i realizueshëm. Arsenali ka të drejtë ta riblejë kartonin e spanjollit për të shumtën 36 milionë Euro, pra një milion më shumë nga shifra që e bleu Barcelona 3 vjet më parë. Wenger e ka të qartë strategjinë, nuk dëshiron të paguajë asnjë qindarkë më shumë dhe nëse merr OK nga Fabregas, më pas do të kërkojë që ai të ushtrojë presion te Barça për ta pranuar këtë transferim.

Për momentin Fabregas nuk ka bërë asnjë lëvizje, teksa pret të marrë vesh nga trajneri i ri Luis Enrique vendin që do të ketë në skuadër. Publikisht presidenti Bartomeu ka thënë se Fabregas nuk është në shitje, por ndërkohë është e ditur se te Barcelona kanë nevojë për para për të realizuar goditjet e planifikuara në merkato./ Supersport/

Lajme të ngjashme

Back to top button