fbpx

Protestë në shkollën “Kirili dhe Metodi” në Tetovë, prindërit dhe nxënësit kërkojnë rikthimin e mësueseve të cilave nuk ua kanë vazhduar kontratat (VIDEO)

Prindërit dhe një pjesë e nxënësve nga dy klasa në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi” në Tetovë sot bojkotuan mësimin, pasi dy mësimdhënësve paraprake të tyre ju kanë përfunduar kontratat dhe janë zëvendësuar me të reja. Nxënësit duan kthimin e mësueses Albina dhe Arjeta. Komuna e Tetovës thotë se nuk i kanë pëlqimet për financimet e vjetra nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa presin konstituimin e këshillit komunal. Reaguan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, shkruan Portalb.mk.

Me pankarta në duar nxënësit ishin mbledhur para shkollës dhe kërkonin rikthimin e dy mësueseve të tyre të vjetra.

“Nuk mbajmë mësim pa mësuesen”, tha një nxënës.

“Vetëm me mësuesen Albina do mbajmë”, tha një tjetër nxënës.

“E duam mësuesen tonë”, tha nxënës tjetër

“Vit për viti i ndërrojmë mësueset, sa mësona me një prapë na ndryshojnë”, pohoi një nxënës tjetër.

“Nuk dua të ndryshohet mësuesja”, tha mes lotësh një nxënës.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Prindërit thonë se pasojat e politikave ditore i hasin drejtpërdrejt fëmijët, madje duke ju shkaktuar pasoja psikike.

“Vajzën e kam te mësuesja Albina, e kanë nxjerrë prej pune mësuesen Albina. Vajza ka qarë gjithë natën, vajza e klasës së parë. Pse ta nxjerrin? Fëmijët janë adaptuar me atë. S’na kanë dhënë asnjë arsye.  Mos luani me fëmijët se fëmijët janë të vegjël dhe bëhen me trauma”, tha në prind.

“Nuk i kemi traumatizuar ne fëmijët sepse neve vetëm një sms na ka ardhur se mësuesja është në punë. Askund në botë nuk ekziston kjo. Në qafë i kanë marrë partitë politike, nuk është faji i drejtoreshës, është dashur të ketë plan B”, thotë një prind tjetër.

“U desh në fillim të qershorit të na tregonin kur i kemi regjistruar fëmijët se mësuesja Albina nga shtatori nuk do jetë  në mësim. Pastaj ne do mendonim ku do t’i dërgonim fëmijët tonë. Jo tani që fëmijët që tani kanë bërë tre ditë, të kthehen mbrapsht. Nuk jemi kundër arsimtares së re, jemi kundër zgjedhjeve partiake që bëhen. Kërkojmë që Albina të kthehet si individ, pavarësisht partive”, shprehet një prind tjetër.

“Nuk jemi kundër mësueses, fëmijët janë bë me trauma nuk hyjnë në mësim, qajnë”, theksoi një prind.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Drejtoresha e shkollës, Sihana Kaba thotë se  prindërit i traumatizojnë fillimisht fëmijët dhe se mësimdhënësve në fjalë u kanë skaduar kontratat.

“Ka institucione ku mund të zgjidhen këto punë, nuk është oborri i shkollës për këto punë. Për atë mund t’i pyesni institucionet tjera. Ne me të gjithë arsimtarët nënshkruajmë kontrata pune, deri me 31 gusht, atyre ju kanë kaluar kontratat. Sot nuk mund të flasim asgjë më tepë sepse i keni traumatizuar fëmijët. Nuk është larguar nga puna, i ka kaluar kontrata”, tha Kaba.

Nga ana tjetër, një mësimdhënës i kësaj shkolle theksoi se kjo nuk është hera e parë që ndodh.

“Duhet të ndërpritet kjo. Ajo nuk ka asnjë vërejtje nga ana e prindërve dhe kolektivit”, tha mësimdhënësi.

Nazmi Dauti nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës theksoi se  kryetari i komunës jep vetëm pëlqim për vazhdim të marrëdhënies së punës për vitin shkollor 2022/23 kjo sipas tyre për të arsye se si Komunë nuk i kanë  pëlqimet për financimet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Duhet të kemi parasysh faktin që deri në konstituim të këshillit nuk mund të hapen konkurse për punësime të reja. Në momentin që do të vijnë pëlqimet e financimeve të vjetra nga MASH këta vende pune do të dalin në konkurs dhe çdokush ka të drejtë të aplikojë. Drejtori është organi i cili vendos për punësimet e kuadrit arsimor dhe kuadrit joarsimor. Po ashtu ligji i drejtorëve u mundëson edhe ndarjen e orëve brenda institucionit. E vetmja gjë që komuna dhe kryetari i Komunës që mund të bëjë është dhënia e pëlqimit deri në tre muaj. Kryetari është i obliguar që të ju jep pëlqim shkollave vetëm për zëvendësim në tre muaj deri në momentin e hapjes së konkurseve”, sqaroi Dauti.

Reaguan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Theksuan se nxënësit dhe mësimdhënësit nuk duhet të jenë viktimë e lojërave dhe intrigave politike, por përkundrazi, interesat e tyre duhet të jenë në fokus të punës së vetëqeverisjes lokale.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës reagon ndaj vendimeve të kryetarit të Komunës së Tetovës për mos vazhdimin e kontratave të disa mësimdhënësve nga shkollat e kësaj komune, për shkak të asaj që iu raportua si papërshtatshmëri politike, e cila prish vazhdimësinë e procesit arsimor,  nga njëra anë krijohen dëme në njohuritë e nxënësve dhe nga ana tjetër degradohet profesioni i mësimdhënësit , zhvlerësohet profesionalizmi dhe përkushtimi i punonjësve arsimorë”, thanë nga MASH.

Ky lloj zëvendësimi i mësimdhënësve sipas “Më mirë për Tetovën” dëshmon që nuk ka asnjë ndryshim edhe në mënyrën e udhëheqjes në komunë.

“Metoda është e njëjtë, vetëm personazhet ndryshojnë. Partitë politike vazhdojnë të përdorin punësimet me kontrata si mjet kryesor për të mbajtur premtimet parazgjedhore në shkëmbim për vota, ndërsa nxënësit dhe procesi arsimor pëson. Më mirë për Tetovën ka kërkuar që punësimet në shkollat e komunës të bëhen me meritë dhe CV, dhe jo me parti. Këshilli komunal duhet të krijojë një organ të posaçëm që në mënyrë transparente do të bëj përzgjedhjen e kandidatëve për mësimdhënës dhe drejtorë në shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës”, thanë nga MMPT.

Së fundmi, dhjetëra arsimtarë dhe profesorë të cilët ishin me kontrata, janë larguar nga vendet e tyre të punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button