Jurist i shquar (dalluar)!?

Se çka nënkuptohet me fjalën “jurist i shquar” këtë shpjegim nuk mund ta jep as Kushtetuta e RMV-së, e cila në dispozitën e nenit 109 paragrafi 4 sa i përket zgjedhjes së gjyqtarëve thotë: “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga radhët e juristëve të shquar”. Kaq! Dhe po pate kohë, vrit mendjen, angazhohu dhe gjeje përgjigjen!

Nuk është fjalia e vetme në vendin tonë që i bëhen interpretime subjektive dhe ua përshtatin rrethanave kohore. Shprehjet e caktuara që gjejnë vend në Kushtetutën e RMV-së dhe në legjislacionet tona në kohëra të caktuara bëhen djalli vetë i cili fshihet në detaje apo në prapraskenë.

RMV-ja akoma çalon në aplikimin e sistemit demokratik dhe në rrethana kur mungon një vetëdije e lartë për aplikimin e saj dhe funksionimin e institucioneve demokratike, mirë do të ishte që shumë gjëra të përfshihen dhe të rregullohen në mënyrë të detajuar.

Gjykata Kushtetuese shprehur në terma mjekësore, është mjeku i zemrës, i cili ka për detyrë që të kujdeset për zemrën (shih: kushtetutën!). Andaj, në një shoqëri të lartë demokratike dhe të civilizuar këtij institucioni duhet t’i kushtohet vëmendje të madhe dhe të mos lihet në harresën politike dhe shoqërore.

Këto ditë duke parë propozimet e emrave për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të RMV-së, mu forcua bindja se në mesin e shumë problematikeve që kërkojnë zgjidhje për Gjykatën Kushtetuese, duhet insistuar edhe në zgjidhjen apo më mirë thënë në riformulimin e nenit përkatës asisoj që të përcaktohet se çka nënkupton ose t’i bëhet një interpretim teleologjik (qëllimor) se çfarë ka nënkuptuar hartuesi i kushtetutës me këtë shprehje që në shikim të parë duket irrelevante dhe e thjeshtë e më pas së paku të përcaktohen ca kritere për zgjedhjen e personave adekuat për ushtrimin e një detyre të tillë.

Në aspekt krahasimor të kushtetutave rajonale, mund të thuhet se emëruesi i përbashkët sa i përket kapitujve të gjykatave kushtetutese është shprehja “jurist i shquar”, mirëpo për dallim nga kushtetuvënësi maqedonas që nuk ka shkuar më tej në komentimin e kësaj cilësie, kushtetutat e rajonit kanë vazhduar me numërimin e tyre se kush është dhe mund të jetë jurist i shquar dhe rëndom kanë paraparë një moshë të caktuar se kush mund të emërohet/zgjedhet në atë karrike. Së këndejmi, Kushtetuta e Serbisë në dispozitën e nenit 172, paragrafi 5, thotë: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të emërohet në mesin e juristëve të shquar me më së paku moshe madhore prej 40 vjet dhe 15 vjet përvojë pune në profesionin juridik”, po kështu është i rregulluar edhe në Kushtetutën e Malit të Zi, dispozita e nenit 153, paragrafi 4. Kushtetuta e Bosnjës dhe Hercegovinës, është më e varfër si e jona në këtë drejtim, dispozita e nenit 6 të saj thotë se: “Gjyqtarë do të jenë juristë të shquar me pasqyrë të lartë morale. Çdo kush që i plotëson kualifikimet e tilla dhe ka të drejtë vote mund të emërohet gjyqtarë i Gjykatës Kushtetuese.” Kritere më të rrepta në këtë drejtim mund të thuhet se përmbanë Kushtetuta e Kroacisë, edhe atë dispozita e nenit 122, paragrafi 1 i saj që thotë se: “…zgjidhen nga radhët e juristëve të shquar, veçanërisht gjyqtarë, avokatë shtetërorë, avokatë dhe profesorë universitarë të profesionit juridik, në mënyrën dhe procedurën e përcaktuar me ligjin kushtetues”. Në këtë drejtim, nuk bënë përjashtim as Kushtetuta e Kosovës, e cila në dispozitën e nenit 114, paragrafi 1 ka paraparë që: “Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë (9) gjyqtarë të cilët do të jenë juristë të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë, jo me më pak se dhjetë (10) vjet përvojë profesionale përkatëse. Kualifikimet e tjera përkatëse rregullohen me ligj…” Edhe Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 125, paragrafi 2 përcakton kritere se kush mund të jetë gjyqtarë kushtetues: “Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë punë jo më pak se 15 vjet në profesion”.

Ndërkaq, në një punim shkencor pata theksuar se modeli gjerman i Gjykatës Kushtetuese, në territoret e shteteve ballkanike e sidomos në RMV mund të shërbejë si lloj “busulle” në procesin e evropianizimit të gjykatave të dalura nga ish sistemi komunist jugosllav. Mënyra e zgjedhjes së gjyqtarëve, përbënë një karakteristikë origjinale dhe të veçantë të kësaj gjykate, e cila është si pasojë e rregullimit të Ligjit Themelor të Gjermanisë si dhe me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese Federale. Pra, për t’u kualifikuar për garën zgjedhore në Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë, kandidati duhet të jetë i moshë madhore 40 vjet me të drejtë për zgjedhje në Bundestag dhe duhet të ketë kualifikimet juridike të specifikuara në Ligjin për gjyqtarët (Deutsches Richtergesetz). Me fjalë të tjera, kandidatët duhet të kenë kaluar me sukses të dy provimet shtetërore në fushën e judikaturës dhe se nuk mund të mbajnë njëkohësisht ndonjë funksion në degën legjislative ose ekzekutive, qoftë në nivel të federatës ose landit dhe as të ushtrojnë ndonjë funksion tjetër publik, përveç ushtrimit me orar të kufizuar të mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë. Gjyqtarët, në bazë të Ligjit Gjyqësor zgjidhen për një madat 12 vjeçar dhe mosha e pensionit është 68 vjet. Kështu, sigurohet pavarësia e tyre, me ç’rast nuk e kanë të drejtën e rizgjedhjes.

Të gjitha këto zgjidhje kushtetuese mbi këtë institucion të kontrollit kushtetues flasin për rëndësinë e saj që i kushtojnë këta shtete këtij institucioni dhe lartë poshtë siç e pamë të gjitha shtetet kanë paraparë në aktet e tyre juridike zgjidhje të ngjashme apo të njëjta, për dallim nga vendi ynë që nesër edhe një jurist i thjeshtë i diplomuar, po erdhi edhe nga administrata shtetërore pa e njohur dhe parë opinioni i gjerë publik, mund lirisht dhe komod të ulet në karriken e gjyqtarit dhe ta interpretojë kushtetutën. Pastaj, sa të duam mund të ankohemi pse RMV-ja nuk paska Gjykatë Kushtetuese efikase!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button