Obama nis turin në Europë, do të takojë edhe Poroshenkon e Ukrainës

Presidenti amerikan, Barack Obama, fillon sot turin 4 ditor në Europë, në Poloni, Belgjikë dhe Francë.

Në Varshavë, presidenti Obama do të takohet me presidentin e zgjedhur të Ukrainës, Petro Poroshenko.

Ky takim bëhet në periudhën kur në pjesën lindore të Ukrainës vazhdojnë luftimet ndërmjet forcave të sigurisë së këtij vendi dhe separatistëve prorusë.

Obama më pas do të udhëtojë drejt Belgjikës për tu takuar me liderët e 7 vendeve më të industrializuara të botës, për të diskutuar mbi mënyrat për të frenuar në maksimum varësinë që Europa ka ndaj Rusisë sa i përket furnizimit me gaz.

Në këtë kuadër mund të diskutohen edhe sanksionet e reja kundër Moskës dhe zyrtarëve të saj.

Në Francë, kreu i Shtëpisë së Bardhë do të marrë pjesë në shënimin e 70 vjetorit të zbarkimit të forcave aleate në Normandi.

Në këtë manifestim pritet të jetë i pranishëm edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, por Shtëpia e Bardhë thotë se Obama nuk do të ketë takim formal bilateral me Putinin, megjithqë të dy zyrtarët e lartë mund të kenë ndonjë kontakt.

Ky tur shihet nga analistët edhe si një hap përpara, për të përshkruar edhe mënyrën sesi do të bëjë politikë të jashtme administrata Obama në të ardhmen, nëse do të fokusohet tek Europa apo nëse do të vazhdojë fokusin e përmirësimit të marrëdhënieve diplomatike me vendet aziatike, sikurse ka ndodhur deri më tani./ Ora News/

Lajme të ngjashme

Back to top button