Krahasimet që bëhen në mes Zelenskyt dhe Hitlerit janë të pabaza dhe manipuluese

Në bluzën e gjelbër ushtarake të Zelenskyn tregohet stema zyrtare e Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe në qendër të saj është stema zyrtare e Ukrainës. Kjo emblemë nuk ka asnjë lidhje me Kryqin e Hekurt të mbajtur nga Hilteri, siç dëshiron të tregojë ky postim, shkruan Vërtetmatësi.

Në një postim në rrjetin social Facebook janë shpërndarë disa foto, qëllimi i të cilave është të tregohet presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, si nazist, duke treguar në mënyrë manipulative dhe të pabazë ngjashmëri me liderin e Gjermanisë naziste, Adolf Hitler. Krahasimet që janë bërë janë të pasakta dhe të nxjerra jashtë kontekstit.

“Historia… duket se përsëritet…,” thuhet në postim.

Në postimi janë shpërndarë dy fotografi. Në një kolazh, paraqitet Zelensky dhe stema që mban në bluzë është e rrethuar, ndërsa pranë tij është edhe Adolf Hitleri gjithashtu me stemën e rrethuar në uniformë. Ajo që është manipuluese është se këto dy emblema nuk janë të njëjta.

Zelensky, në muajin mars, gjatë fjalimit të tij në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku kërkoi më shumë ndihmë ushtarake nga Perëndimi, për herë të parë e ka veshur këtë simbol në bluzën e tij dhe disa, veçanërisht në rrjetet sociale, besojnë se është simbol nazist.

Por kjo nuk është e vërtetë. Nuk bëhet fjalë për simbol nazist.

Bluza e gjelbër ushtarake e Zelenskyt tregon emblemën zyrtare të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Në qendër të saj, stema përfshin stemën zyrtare të Ukrainës. Sipas historianëve dhe ekspertëve të ekstremizmit, imazhi në këmishën e tij nuk përputhet me kryqin e hekurt të mbajtur nga Hilter në foto apo me ndonjë simbol tjetër të urrejtjes.

Që simboli në bluzën e Zelenskyt është emblema zyrtare e Forcave të Armatosura të Ukrainës, dhe jo simbol i urrejtjes apo Kryqi i Hekurt, konfirmuan historianët dhe ekspertët për “Associated Press“.

“Ky nuk është kryq hekuri. Është shenja e Forcave të Armatosura të Ukrainës. Tridenti në mes është vula shtetërore e Ukrainës. Përdorimi i kryqit si pjesë e një simboli ushtarak nuk është aspak i pazakontë”, thotë profesori dhe studiuesi i historisë evropiane të Universitetit Jeil, Timoti Snajder.

Në lidhje me këtë, zv.shefi i Qendrës për Komunikime Strategjike dhe Siguri të Informacionit, një agjenci e menaxhuar nga qeveria qendrore e Ukrainës, Mikola Balaban thotë:

“Bluza që e vesh Zelensky në fjalimin e tij është pjesë e uniformës standarde të ushtrisë ukrainase”.

Ai i quajti “absolutisht absurde” pretendimet se Zelensky është nazist.

Simboli që shfaqet në bluzën e Zelensky u promovua si emblema zyrtare e Forcave të Armatosura të Ukrainës në vitin 2009 dhe shfaqet në faqen e tyre zyrtare dhe faqet e mediave sociale. Është një kryq i drejtë, barabrinjës me ngjyrë rozë/vjollcë të errët dhe stemën zyrtare të Ukrainës – treshe e artë në një sfond blu – që qëndron në qendër.

Vlen gjithashtu të thuhet se Kryqi i Hekurt, i paraqitur pa aksesorë të tjerë ekstremistë, nuk konsiderohet domosdoshmërisht simbol i urrejtjes. Zakonisht përdoret në pajisjet sportive dhe kontekste të tjera të ndara nga grupet e urrejtjes.

Sa i përket kolazhit tjetër, bashkangjitur postimit në Facebook, në foton e epërme shfaqet Zelensky duke shikuar në tryezë – ndoshta në një lloj plani ushtarak – me ushtarë të tjerë rreth tij. Ndërsa, në foton e poshtme Hitleri është paraqitur në një pozicion të ngjashëm me bashkëpunëtorët e tij.

Por ky pozicion, në të cilin ndodhen dy liderët, nuk është as specifik, as i pazakontë dhe nuk është përdorur vetëm nga Hilteri për të bërë krahasime të tilla. Bazuar në një foto të tillë, nuk mund të thuhet se dikush në një farë mënyre është i lidhur me nazizmin apo fashizmin.

Fotoja, e bërë më 8 korrik nga Reuters, tregon presidentin ukrainas Zelensky duke vëzhguar pozicionet e personelit ushtarak ukrainas në rajonin e Dnipropetrovsk, derisa ofensiva ruse në vend vazhdon.

Teoricienët e konspiracionit dhe propagandistët rusë përpiqen vazhdimisht ta portretizojnë presidentin e Ukrainës si një simpatizant neonazistë ose nazist, edhe pse Zelensky është hebre dhe tre xhaxhallarët e tij vdiqën në Holokaust.

Duke komentuar këto akuza, Zelensky deklaroi së fundmi se Moska “ndjek të njëjtin koncept të Gebels dhe ata përdorin të njëjtën metodologji” në përpjekjen për të justifikuar luftën kundër Ukrainës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button