RMV, nxënësit që fitojnë çmime në gara ndërkombëtare kanë nevojë për mbështetje sistemore

Në gjysmën e dytë të gushtit, në Pragë u mbajt gara ndërkombëtare për dituri dhe mendim kritik “World Scholars’ Cup” ose në përkthim jozyrtar “Kupa Botërore e Nxënësve-Shkencëtarë”, në të cilën me sukses morën pjesë pesë ekipe nga Maqedonia e Veriut, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Më shumë se 400 nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm nga 18 vende, të ndarë në në juniorë dhe seniorë, morën pjesë në konkursin ” Prague Global Round 2022″. Ndër vendet e tjera, kishte pjesëmarrës nga Kanadaja, Tajvani, Republika e Afrikës së Jugut, Kenia, Vietnami, Mongolia, si dhe Izraeli, Turqia, Sllovenia, Bullgaria, SHBA dhe Franca.

Ekipet nga Maqedonia e Veriut, të përbëra me nga tre anëtarë, përbëheshin nga nxënës-juniorë të shkollave të Shkupit “Johan Hajnrih Pestalloci”, Kolegji “Jahja Kemal” dhe SHFK “Vëllazërimi” nën mentorimin e mësuesve Biljana Stojanoska, Nikola Gjelinçeski dhe Cvetanka Tomevska.

Gjatë pesë ditëve, pjesëmarrësit duhej të demonstronin aftësi në tre fusha të përgjithshme në anglisht: kuize/teste njohurish, debate dhe shkrim eseje mbi tema të shkencave natyrore dhe shoqërore, nga fizika, kimia dhe biologjia e deri te historia, letërsia, media dhe teknologjitë e reja. Fokus i kurrikulës për vitin 2022 ishte zbatimi kritik i njohurive në lidhje me ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera aktuale globale.

Përveç garave akademike, në kuadër të Raundit Global të Kupës Botërore, u zhvilluan edhe aktivitete për prezantimin e pjesëmarrësve nga vende të ndryshme përmes punës së përbashkët ekipore, si dhe një “Panairi i Kulturave” gjatë gjithë natës me stenda dhe program zbavitës, ku fëmijët i përfaqësojnë vendet dhe kulturat e tyre, duke ndarë ushqime karakteristike, suvenire apo njohuri të veçanta, nga mësimi i valleve tradicionale prej pjesëmarrësve nga Maqedonia, Izraeli dhe Turqia, deri te parashikimi i fatit prej atyre nga Mongolia.

Për t’u kualifikuar për pjesëmarrje në raundin global, pjesëmarrësit duhej të demonstronin njohuritë e tyre në një garën kombëtare gjatë pranverës, që u mbajt në Maqedoninë e Veriut nga 12 deri më 14 maj në Kolegjin “Jahja Kemal”. Nxënësit, të cilët duke mbledhur pikë në fusha të ndryshme kanë arritur sukses të mjaftueshëm kualifikohen për të marrë pjesë në “Turneun e Kampionëve” që mbahet çdo vit në Universitetin Yale në SHBA.

Filozofia e kësaj Kupe Botërore, kushtuar motivimit të fëmijëve për të vazhduar me përfitimin e shkëmbimin e njohurive, nuk e përdor terminologjinë e “fituesve”, sepse kjo e nënkupton edhe termin “humbësit”. Kundrejt kësaj, theksi vihet në promovimin e arritjeve të secilit pjesëmarrës, kështu që ata të cilët fitojnë pikë mbi një nivel të caktuar, qoftë në garë ekipore apo individuale, shpërblehen me medalje ari ose argjendi. Në këtë mënyrë, veçohen ata që do të kualifikohen në fazat e ardhshme të garës.

Pjesëmarrësit, të cilët tregojnë sukses në disa fusha marrin edhe çmime speciale, të emërtuara sipas shkencëtarëve të famshëm si Isak Asimov dhe Leonardo da Vinçi.

Në garën e të rinjve në Pragë, tre vendet e para në nivel individual fituan nxënëset nga Izraeli, Yara Heller dhe Abel Rihter dhe Anja Firglatz-Grasino nga Kanadaja. Heller dhe Richter së bashku me Shirel Azman përbëjnë ekipin që u shpall kryesues edhe në garën ekipore.

Ekipi më renditjen më të lartë nga Maqedonia e Veriut ishte ekipi i shënuar me nr. 249 nga SHFK “J. H. Pestalloci”, i përbërë nga Lina Janeku, Srna Popovska dhe Damjan Stojanovski, të cilët falë renditjes së shkëlqyer të përgjithshme e fituan edhe titullin e përfaqësuesit më të lartë për Maqedoninë e Veriut.

Më 5 shtator nxënësit e shkollës “Pestalloci” të cilët morën pjesë në konkursin në Pragë ishin të ftuar në bisedë me kryetarin e Komunës Qendër, Goran Gerasimovski. Ai në faqen e tij në Facebook publikoi foto nga takimi me një deklaratë se ndihet krenar për ta dhe u uron suksese, si dhe i falënderon “që janë ambasadorë të vërtetë dhe promovojnë shtetin duke nxjerrë në pah cilësitë e tyre”.

Këtë vit, një pjesë e shpenzimeve të udhëtimit për në Pragë për njërin nga mentorët u mbuluan me grant nga Komuna Qendër. Prindërit e nxënësve të cilët marrin pjesë në gara të tilla, të cilët i kontaktoi Meta.mk, theksojnë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ofrohet mbështetje shoqërore për pjesëmarrjen e nxënësve të talentuar në ngjarje të tilla, sepse shumica e shpenzimeve për regjistrime, udhëtime dhe qëndrime si për fëmijët ashtu edhe për mentorët mbulohen nga buxhetet familjare.

Prindërit shpresojnë të ketë zgjidhje sistemore të kësaj nevoje duke siguruar fonde si në nivel komunal ashtu edhe në atë shtetëror, të cilat do të shpërndaheshin nëpër shkolla ose ndryshe, duke garantuar transparencë të plotë dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë fëmijëve që do të kualifikohen me përpjekjet e tyre, pavarësisht nga gjendja sociale dhe ekonomike e familjeve të tyre.

Në “Turneun Kampionëve” sivjet, që do të mbahet nga 11 deri më 14 nëntor në Universitetin Yale, do të merr pjesë një ekip nga “Pestalloci” i përbërë nga nxënësit e klasës së nëntë Viktor Jakimov, Sara Knezheviq dhe Lluka Vajeviq, të cilët vitin e kaluar i kaluan të gjitha raundet në nivel kombëtar dhe rajonal, duke përfshirë edhe “Raundin Global” në Dubai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button