Sveçla: 11-vjeçarja u dhunua “më shumë se një vit”

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se një e mitur 11-vjeçare, e cila është dhunuar nga pesë të dyshuar më 27 gusht në Prishtinë, është dhunuar për më shumë se një vit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Sveçla ka thënë se autoritetet e sigurisë kanë dalë me këto informacione gjatë hetimeve që janë duke u kryer për rastin.

“Përgjatë hetimeve, kemi kuptuar se nuk bëhet fjalë për një rast, fatkeqësisht nuk bëhet fjalë as për dy raste, por bëhet fjalë për më shumë raste të keqpërdorimit dhe dhunimit të të miturës 11-vjeçare”.

Sveçla ka thënë se i ka bërë thirrje kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës, që të gjithë hetuesit policorë të përfshirë në këtë rast, të thirren në cilësinë e dëshmitarëve, për të marrë sa më shumë informacione.

Sipas ministrit, në këtë rast është përfshirë Prokuroria, Qendra për Punë Sociale dhe Agjencia e Kosovës për Forezikë.

“Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse, për të mbrojtur këtë të mitur, dhe për të identifikuar se çfarë ka ndodhur, por edhe për identifikim të të gjithë dhunuesve, pasi të gjithë nuk janë të arrestuar”.

Rastin e dhunimit të 11-vjeçares, institucionet e drejtësisë po e trajtojnë për dy vepra të ndryshme penale.

Veç masës së paraburgimit prej 30 ditësh për pesë të dyshuarit për dhunimin e të miturës, e njëjta masë është caktuar edhe për gjashtë të dyshuar tjerë, të cilët siç pretendohet nga institucionet e drejtësisë, në muajin qershor kanë trafikuar, dhunuar dhe shfrytëzuar të miturën për shërbime seksuale.

Të hënën në Prishtinë është protestuar për të tretën herë me radhë me thirrjet kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Në protestën e 5 shtatorit, protestuesit kanë kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

“Ne do të vazhdojmë të jemi këtu deri sa Prokuroria të na tregojë përfundimisht që është me viktimat e jo dhunuesin”, ka thënë një protestuese.

Dorëheqjen e Munishit më 4 shtator e ka kërkuar ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila po ashtu ka thënë që duhet të merren veprime edhe ndaj “prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk po i kryejnë detyrat e tyre”.

Deri më tani, lidhur këtë rast dhunimi kanë dhënë dorëheqje, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe Ali Gashi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë për dhjetëra raste të dhunës seksuale, të raportuara çdo vit.

Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, numri më i madh i viktimave të kësaj dhune janë vajza të moshës 13 deri në 16-vjeçare.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga 2 deri në 15 vjet burgim për dhunime e sulmet tjera seksuale.

Me 31 gusht protesta për këtë rast u mbajtën në tre kryeqytete, Prishtinë, Shkup dhe Tiranë. Ndërsa të premten edhe në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button