RMV, vendi planifikon të prodhojë 25 për qind më shumë energji elektrike këtë vit, negociohet edhe me “TE-TO”

Vendi planifikon këtë vit të prodhojë 25 për qind më shumë energji elektrike në krahasim me një vit më parë, si pjesë e masave të qeverisë kundër krizës për përballimin e krizës energjetike, shkruan 360 Shkallë, transmeton Portalb.mk.

“Për këtë vit prodhimi parashikohet të jetë 25 për qind më i lartë se vitin e kaluar dhe këto janë kapacitetet që i ka në dispozicion Maqedonia e Veriut. Bëhet fjalë për REK Manastir, Osllomej, TEK Negotinë, termocentrali në kuadër të EMV dhe hidropotencialet, hidrocentralet në dispozicion të shtetit dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë”, tha kryeministri Kovaçevski në konferencën e sotme për media.

Ai shtoi se shteti po ndërhyn me mjete financiare për blerjen e lëndëve të para për prodhimin e energjisë elektrike, për shkak të rritjes së çmimit të qymyrit, i cili ishte 43 euro për ton, dhe tani është deri në 93 euro.

“EMV i furnizon të gjitha nevojat pa import në tregun e rregulluar të brendshëm, domethënë për të gjitha amvisëritë dhe të gjithë konsumatorët e vegjël. Shtatëdhjetë e dy mijë kompani në vend, të cilat janë konsumatorë të vegjël, furnizohen në tregun e rregulluar ku energjia elektrike subvencionohet nga shteti në masën 80 për qind”, tha Kovaçevski.

Kryeministri shtoi se pas bisedimeve me dhomat e tregtisë, do të vihen në dispozicion sasi shtesë të energjisë elektrike, të cilat do të jenë nën çmimet e tregut që vlejnë në bursë.

Me shpalljen e gjendjes së krizës, kompanitë do të mund të përdorin energjinë elektrike nga burimet e rinovueshme, si më parë, jo për tregun e rregulluar por për kompanitë e tregut të hapur, pra do të marrin energji elektrike nën çmimin e tregut. .

“Kërkesa e dytë ishte që të vihet në funksion termocentrali i gazit “TE-TO” në Shkup. Është në pronësi private dhe Ministria e Ekonomisë tashmë është duke biseduar me pronarët e “TE-TO”-s dhe së dyti, çmimi me të cilin do të merret energjia elektrike duhet të jetë nën çmimet aktuale të bursës”, shpjegoi Kovaçevski.

Ai shtoi se vizita e sotme në Bullgari është për të siguruar funksionimin normal të rrjedhës ndërkombëtare të energjisë elektrike përmes këtij fqinji.

Ndryshe, rekomandimet për komunitetin e biznesit janë që të fikin ndriçimin dekorativ në fasadave, në objektet e prodhimit, salla dhe zyra, temperatura e kondicionerëve në sezonin e ngrohjes të mos jetë më e lartë se 20 gradë, të fiken të gjithë kompjuterët, të ndërrohen rregullisht filtrat e elementeve të ngrohjes, nëse kompania ka nevojë për ujë të ngrohtë sanitar, të instalohen kolektorë diellorë.

Për institucionet publike, megjithatë, Qeveria ka nxjerrë detyrime.

Poashtu, Qeveria ka obliguar të gjitha institucionet në nivel qendror që nga radhët e punonjësve të tyre të përcaktojnë personat të cilët do të kujdesen për uljen e konsumit të energjisë, në përputhje me rekomandimet e përmendura, duke aplikuar kontrolle të shpeshta gjatë orarit të punës, e veçanërisht pas përfundimit të orarit të punës me synim uljen e konsumit me 15 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button