Qeveria e RMV-së mori vendim për krijimin e strukturës së negociatave me BE-në

Duhet të krijohet struktura negociuese për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, vendosi Qeveria, informacion të cilin e njoftoi sot gjatë një konference për media kryeministri Dimitar Kovaçevski, të mbajtur së bashku me zëvendëskryeministrin Bojan Mariçiq, transmeton Portalb.mk.

Mariçiq do të jetë kryenegociator, ndërsa në ekip do të marrin pjesë edhe ekspertë vendorë, nëpunës shtetërorë dhe ekspertë jashtë institucioneve, si dhe ekspertë të huaj.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, deklaroi se beson që institucionet kanë kapacitet për bisedime me BE-në dhe pret strukturë cilësore dhe efikase e cila do të përballet me sfidat. Paralajmëroi se i gjithë procesi do të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent. Ai bëri thirrje për konsensus në shoqëri për arritjen e progresit drejt BE-së, si dhe thirrje opozitës që të marrë pjesë, ta mbështesë edhe ndihmojë procesin.

“Struktura e negociatave që miratuam sot do të mbështetet nga ekspertë, nëpunës civilë që punojnë prej vitesh në këtë fushë dhe natyrisht do të plotësohet me ekspertë dhe profesionistë jashtë institucioneve dhe jashtë vendit që kanë përvojë në zhvillimin e negociatave dhe aderimi në vendet e tjera në BE. Angazhimi dhe synimi ynë është të ofrojmë një strukturë cilësore dhe efikase që do të jetë në gjendje të përballojë të gjitha sfidat. Dua t’ju siguroj se ky do të jetë një proces gjithëpërfshirës dhe transparent në të cilin ofrojmë mekanizma për përfshirjen e sektorit civil, komunitetit të biznesit, komunitetit akademik dhe të gjithë aktorëve të tjerë, dhe në këtë drejtim u bëj thirrje të gjithëve, përfshirë këtu opozitës, që të mbështesë këtë proces dhe të angazhohet aktivisht në të. Për ta mbyllur sa më shpejt këtë proces, duhet të mobilizohen plotësisht të gjitha resurset në dispozicion të shtetit, sepse kjo është një çështje që duhet bashkuar për të pasur zhvillim dhe progres”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se më 19 korrik kur i filluam bisedimet hapëm një faqe të re të historisë. Me konferencën ndërqeveritare, sipas tij, është përcaktuar angazhimi strategjik për integrimin euroatlantik.

“Qeveria është e përkushtuar në reformat evropiane. Nuk ka alternativë për BE-në, ajo është qëllimi ynë strategjik”, tha kryeministri Kovaçevski. 

Ndërkohë sipas zëvendëskryeministrit Bojan Mariçiq, me fillimin zyrtar të negociatave në korrik të këtij viti, u shfaq nevoja për konsolidim të menjëhershëm të mekanizmit koordinues për menaxhimin e procesit të anëtarësimit.

“Për mendimin tim, hallkën kyçe do ta sigurojë koordinimi dhe mbështetja e të gjitha reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian dhe zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. SÇE do të jetë depozituesi i të gjithë dokumentacionit në lidhje me negociatat e anëtarësimit. Në të gjitha grupet e punës do të ketë një koordinator nga SÇE përgjegjës për aspektet metodologjike dhe procesore dhe koordinimin me organet e tjera të strukturës së negociatave. Në të njëjtën kohë, SÇE merr përgjegjësinë për përgatitjen e akteve të nevojshme ligjore që do të përcaktojnë procedurat e funksionimit të organeve”, tha Mariçiq.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button