Për dy vite janë regjistruar vetëm 43 kompani me kapital prej një euro, kurse për “Startup Fshatin e Maqedonisë” nuk ka as “themel”

Dy vite pasi Ministria e Ekonomisë i dorëzoi propozim masat për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për shoqëritë tregtare dhe një vit nga miratimi i tyre, mundësia për themelimin e shoqërive tregtare me kapital bazë prej një euro me sa duket ende mbetet në hije për të rinjtë dhe qytetarët e tjerë në vend, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Qëllimi i miratimit të këtij lloji të ri të shoqërisë, përkatësisht mundësisë për formim të shoqërisë së thjeshtuar me përgjegjësi të kufizuar (SHTHPK), sipas ministrit aktual të ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ishte që të gjithë qytetarëve që kanë një ide për ndonjë biznes t’u jepej mundësi, për t’i inkurajuar të fillojnë me themelimin e kompanive të tyre tregtare ku do të investonin kapital prej vetëm një euro.

Sipas të dhënave që Meta.mk i mori nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut nga shtatori i vitit 2021, kur ky propozim u fut në ligj, deri më tani janë regjistruar gjithsej 43 shoqëri të thjeshtuara me përgjegjësi të kufizuar.

Dejan Aleksov, kryetar i organizatës “Startup Maqedoni”, i cili ishte pjesë e këshillit kombëtar të startup-eve që i përgatiti  masat e propozuara për rritje të përshpejtuar të startup ekosistemit në Maqedoni, beson se interesimi i ulët i qytetarëve për shfrytëzimin e kësaj mundësie është për faktin se kjo masë është relativisht e re.

Në konferencën për shtyp, që u mbajt në shtator 2020, përveç fillimit të aplikimit SHTHPK-së,  Ministria e Ekonomisë në atë kohë e përmendi edhe projektin e paralajmëruar “Fshati i Maqedonisë” në Nerez, i cili duhej të shndërrohet në startup fshat, ku të rinjtë nga vendi dhe jashtë vendit do të kishin mundësi të hapnin biznese pa paguar shpenzime të përgjithshme. Më pas u tha se plani parashikon që projekti të realizohet gjatë katër viteve të ardhshme.

Meta.mk dërgoi pyetje në ministri lidhur me zhvillimin e procesit për realizimin e kësaj ideje, por deri në ditën e publikimit të këtij teksti nuk morën përgjigje.

Një masë paraprake në të cilën pat punuar startup këshilli kombëtar, Ministria e Ekonomisë e propozoi të përfshihej në ndryshimet në Ligjin për Shoqëritë Tregtare dhe që është përfshirë qysh në prill të këtij viti është mundësia e një kredie të konvertueshme. Është një mekanizëm ligjor që do t’u mundësojë investitorëve të investojnë mjete financiare në startup kompani pa hyrë në strukturën e pronësisë me vetë investimin.

“Me këtë mekanizëm investitorët, në fazat e mëvonshme të zhvillimit, do të mund të vendosin nëse do të hyjnë në strukturën e pronësisë nëpërmjet shndërrimit të kredisë në investim dhe fitimit të pjesëmarrjes në kompani”, shpjegon avokati dhe kryetari i Startup Maqedoni, Dejan Aleksov.

Aleksov thotë se startup kompanitë kanë potencial të lartë për rritje të shpejtë dhe për këtë arsye tërheqin investitorë, por ka shtuar ai, shpesh mund të ndodhë që këto kompani të përjetojnë shkallë të lartë dështimi. Prandaj, tërheqja e investitorëve të huaj në vend nëpërmjet mundësisë së një kredie të konvertueshme mund të përshpejtojë ndjeshëm rritjen e startup ekosistemit në Maqedoni.

“Në Maqedoni ka potencial për të zhvilluar këtë mekanizëm sepse kohëve të fundit ka interesim gjithnjë e më të madh dhe rritje të numrit të investitorëve individualë apo investitorëve të organizuar në klube, për të investuar në startup”, thekson Aleksov.

Ai thotë se të rinjtë dhe të gjithë të tjerët që kanë ide inovative duke kombinuar dy ndryshimet në ligj, për krijimin e një SHTHPK dhe kredi të konvertueshme, do të mund të themelojnë kompaninë e tyre pa kapital fillestar dhe më vonë të kërkojnë ndonjë investitor të përshtatshëm për zhvillimin e saj.

“Në këtë mënyrë pritet të inkurajohen sipërmarrësit potencialë të cilët për shkak të vështirësive financiare mund të mos kenë filluar ende të punojnë për realizimin e idesë së tyre”, thekson Aleksov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button