Sociologji e së keqes: “Rasti Prishtinë” si shkas (I)

“E keqja është e barabartë me shkëputjen nga jeta etike.”

Hegeli

Ditëve të fundit e gjithë shoqëria shqiptare është traumatizuar nga “Rasti Prishtinë”, nga ndodhia e tmerrshme e përdhunimit të vajzës 11-vjeçare nga pesë meshkuj apo “monstra” nga mesi ynë. Ky krim rrëqethës u bë sebep që të kapim kokën  me dorë dhe të bëjmë llogaritë lidhur me gjendjen, trendet e shoqërisë, lidhur me raportet tona ndërnjerëzore, kulturën, traditën, zakonet, fenë, shkollën, arsimin, familjen, artin, teknologjinë e shumë gjëra të tjera. Fenomeni i devijimeve sociale ka ekzistuar gjithnjë, edhe në të kaluarën, edhe sot, do të ekzistojë edhe në të ardhmen. Por shoqëritë gjithnjë synojnë që t’ua mbyllin dyert apo t’i minimizojnë dukuritë destruktive që prishin rehatinë e qytetarëve. Këtë e bëjnë përmes mekanizmave të ndryshme, përmes edukimit, shkollës, medieve, predikimeve, si dhe agjentëve të tjerë socialë që afirmojnë vlerat kundër antivlerave, që synojnë jetësimin e asaj që në literaturë ka hyrë si “eudaimonia” (Aristoteli) dhe “shoqëria e virtytshme” (el-Farabi).

Në shoqërinë e quajtur moderne dhe postmoderne, në shoqërinë informatike, janë maksimizuar mundësitë për përhapje të imazheve, aksioneve të bukura apo të shëmtuara nga një cep në tjetrin. TV-ja dikur, rrjetet sociale sot bëjnë masovizimin e kulturës së re që thuhej se do ta zëvendësojë atë arkaiken, historiken, tradicionalen, të tejkaluarën. Dhe ky kurs i ri i të menduarit, kjo mënyrë e re jetese me vete solli edhe përhapjen e krimit në katër anët e shoqërisë dhe globit në përgjithësi. Ndër veset e masovizuara të shekullit është edhe pedofilia. Ndoshta edhe ajo dikur ka qenë prezente në mesin tonë por s’ka pasur medie dhe rrjete sociale dhe s’kemi ditur për të, ka mbetur nën hasër, si ekces për të cilin ka ditur vetëm familja apo mëhalla. E sot, çka ka në shpi, ka në kojshi, dhe gjithandej. Sot krimi seksual pushton edhe shoqëritë më të mbyllura, më konservatore.

Në vitin 2019 në Kosovë janë shënuar 123 raste pedofilie, në vitin 2018, 61, kurse në vitin 2017, 62 raste të këtij vesi. Në vitin 2021 statsistikat flasin për 54 raste, kurse për vetëm gjashtë muajt e parë të vitit 2022, janë regjistruar 38 syresh. SHBA-të, Britania e Madhe dhe disa vende evropiane kanë krijuar regjistrin ‘online’ të pedofilëve, duke publikuar emrat e tyre si masë preventive për të tjerët. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Maqedonia e Veriut. Në Shqipëri 151 vendime për krime seksuale me të mitur nën 14 vjeç (2010-2019) mbartin emërtimin “pedofili. Vetëm 2% e hetimeve mbi pedofilinë online knë përfunduar me një vendim dënimi. Sipas studimit  “Fëmijët dhe Interneti” të kryer nga agjencia e sondazheve Calysto  39 % e fëmijëve nga 13 deri 15 vjeç që navigojnë në web hyjnë në biseda në formë loje me nuanca erotike ose seksuale. Disa vende marrim masa konkrete kundër këtij fenomeni: Në Norvegji pedofilëve iu instalohen mikroçipë, kështuqë policia di se ku gjenden ata në çdo moment, dhe të njëjtën pritet që ta bëjë edhe Anglia. Në Danimarkë, Poloni, Estoni bëhet kastrim kimik i pedofilëve, gjë të cilën e synon edhe presidenti francez. Në një shtet të Nigerisë (Kaduna veriperëndimore) aplikohet sterilizimi i pedofilëve, kurse në Madhya Padesh të Indisë pedofilët dënohen me varje (Stow, 2017). Nga ana tjetër janë edhe ata që pedofilinë e krahasojnë me LGBT, që janë të mendimit se duhet të mendohet për mirëqenien e njerëzve me interesa seksuale pedofilike, se në këtë drejtim duhet të zhvillohet një humanizim narrativ (Harper et.al, 2022).

Sot ekziston një disiplinë sociologjike e cila merret me të keqen, e quajtur sociology of evil,  e konstruktuar nga Jeffrey C. Alexander në veprën Towards a Sociology of Evil  (Drejt sociologjisë së të keqes, 2001) dhe në kapitullin A Cultural Sociology of Evil (Një sociologji kulturore e së keqes, 2003), e cila ekzaminon raste të caktuara të së keqes, mundohet t’i kuptojë ato si produkt i kontekstit social dhe historik në të cilin shfaqen (Clark, 2022),  merret edhe me ndikimin e të keqes në shoqëri, me atë se pse disa gjëra cilësohen si të këqija. Kjo degë mes tjerash trajton edhe të keqen e pedofilisë që i referohet një të moshërrituri ose një adoleshenti më të vjetër që ndjen kënaqësi primare nga akti seksual me fëmijë, në përgjithësi të moshës 11-vjeçare e teposhtë (Javaid, 2015). Pedofilia shenjon pasionin seksual  të shprehur ndaj fëmijëve ose tentimin për të pasur akte seksuale me fëmijë. Në edicionin e pestë të “Manualit diagnostik dhe statistikor të çrregullimeve mendore” (Shoqata Amerikane e Psikiatrisë, 2013) çrregullimi pedofilik definohet si një interes i vazhdueshëm seksual për t’i bërë për vete fëmijët e parapuberetit, që manifestohet në mendime, fantazi, nxitje, eksitim ose sjellje seksuale dhe që shoqërohet me veprim ose përjetim të shqetësimit për shkak të këtij interesi. Në literaturë ekziston edhe termi kronofili që nënkupton tërheqje seksuale ndaj personave të moshave të caktuara, në këtë rast të atyre të moshës fëminore. Pedofili është individ që dëmton fëmijët dhe që krijon panik moral (Keen, 1986) gjithandej, nga apartamenti në shkollë, nga autobusi në parkun publik, nga sheshi i qytetit në rrjetet sociale etj. /vijon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button