ANALIZË: Reforma e (pa)justifikuar tatimore në RMV!

Zyrtarisht, njeriu i parë i Ministrisë së Financave, Fatmir Besimi, e filloi debatin publik për reformën e paralajmëruar tatimore. Argumentet “pro” dhe “kundër” janë në tavolinë. Një numër i madh ekonomistësh i thonë “po” reformës tatimore, por jo në një mënyrë që i vendos të pasurit dhe të varfrit në të njëjtën shportë. Portalb.mk në vazhdimin e tretë të “Analizës” i përmbledh qëndrimet e ekspertëve për atë se çfarë efekti do të arrihet me reformat e paralajmëruara.

Kush do të fitojë dhe kush do të “humbasë” me reformën tatimore…

Draft-propozimi aktual për reformën tatimore nuk është përfundimtar, ndryshimet janë të mundshme, por e sigurt është se megjithatë do të ketë ndryshime në politikën tatimore që do t’i prekin edhe qytetarët edhe kompanitë.  Një nga gjërat kryesore për të cilat paralajmërojnë ekonomistët është “koha” në të cilën shpallet reforma, në kushtet e një krize ekonomike dhe energjetike, si dhe të krizës shëndetësore që është ende e pranishme.

“Njoftimet për reformën tatimore në fushën e tatimit mbi të ardhurat, tatimin në fitim dhe TVSH-në duket se nuk korrespondojnë me situatën aktuale ekonomike e cila është nën presion serioz nga ndikimet politike, energjetike, logjistike dhe shëndetësore, e cila nuk është një mjedis “miqësor” për një përfshirje eventuale më të madhe, gjegjësisht për rritje të barrës tatimore për qytetarët dhe kompanitë. Në shpjegimet e propozuesit theksohet se propozohet zgjerimi i bazës tatimore pa e rritur përqindjen tatimore, por nuk sqarohet se edhe pse nuk ndryshohet përqindja nominale e tatimit, rritet përqindja efektive tatimore (shpjegimi është i ngjashëm sikurse për përqindjet e kamatave të bankave, dallimi ndërmjet përqindjes nominale dhe asaj efektive të kamatës) që rezulton me rritje të barrës tatimore për tatimpaguesit” – thotë eksperti tatimor Pavle Gacov për “Portalb”-in.

Sipas ekonomistit Arben Halili, reforma tatimore ka si qëllim që të sigurojë më shumë para në buxhet në kushtet kur nuk ka reformë në administratën publike, ndërsa tashmë në mes të krizës ekonomike dhe energjetike, qytetarët dhe kompanitë e kanë gjithnjë e më të vështirë ta ruajtur likuiditetin.

“Kjo reformë është në të mirë vetëm të shtetit për të mbledhur më shumë para në buxhet, por mendoj se kemi nevojë për reforma pak më të dhimbshme, por efikase dhe kjo nënkupton një ulje drastike të administratës publike dhe shtetërore, proporcionale me numrin total të popullsisë rezidente, vlerësimin e efikasitetit të tyre, dhe sigurisht me këtë lehtësimi i shtetit nga barra e tepruar, si punëdhënësi më i madh, që në një botë normale nuk ka asnjë logjikë ekonomike”- thotë ekonomisti Halili.

Ilustrim
Ilustrim

As qytetarët e as kompanitë nuk do të mund ta përballojnë një “rritje” të tillë të taksave, thonë ekonomistët. 

“Me këtë koncept të reformës tatimore, as ekonomia nuk fiton gjë, përkundrazi, ngulfaten kompanitë, e as qytetarët nuk fitojnë gjë. Për mendimin tim, reforma tatimore nuk duhet të rrisë presionin fiskal, sepse ekonomia dhe qytetarët nuk do të mund ta përballojnë dot. Reformat tatimore duhet të zhvillohen në dy pika, përkatësisht futjen e tatimit progresiv mbi të ardhurat dhe ndoshta disa ndryshime në tatimin në pronë. “Reformat tatimore bëhen në koordinim me pushtetin monetar, që të mos përfundojmë në një situatë kontradiktash mes masave të politikës monetare dhe asaj fiskale”, vlerëson profesori universitar, Sami Bislimi.

Sipas njoftimeve, pritet që me politikat e reja tatimore të mblidhen 54 milionë euro shtesë në buxhetin qendror – para që sipas qeverisë duhet të përfundojnë sërish në ekonomi, për shëndetësi, arsim, … më të mirë. Në këtë fazë, ende janë duke u paraqitur argumentet për reformën e shpallur – por në tryezë janë disa çështje problematike: “taksimi” i punëtorëve të angazhuar me honorar, taksimi i kamatave të depozitave të kursimeve, tatimi i gjelbër, veçanërisht në fushën e rritjes së taksave për automjetet që do të kategorizohen si ndotës. Një nga zgjidhjet kontradiktore është propozimi për heqjen e përjashtimit nga tatimi në bazë të fitimeve të riinvestuara në kushte kur bëhen përpjekje për stimulimin dhe subvencionimin e investitorëve.

“Propozimi për heqjen e përjashtimit nga tatimi mbi bazën e riinvestimit të fitimit nuk e stimulon zhvillimin dhe rinovimin e pajisjeve midis kompanive mikro dhe të vogla dhe është në kundërshtim me politikat e qeverisë për subvencionimin e investimeve në pajisje, salla, softuer etj. për kompanitë e mëdha. Me propozimin e paralajmëruar, një numër i madh i kompanive do ta humbasin mundësinë për t’i përdorur përfitimet tatimore si motiv për investime të reja” – thotë eksperti tatimor Gacov.

Në rastin e tatimit mbi të ardhurat personale, mos ndryshimi i gjendjes nënkupton kthimin në të njëjtin regjim tatimor që ka funksionuar në vitin 2018, tatimi progresiv i të ardhurave nga puna me prag prej 1 milion denarësh në vit, i cili do të tatohet me 10%, ndërsa diferenca me 18%, dhe një tatim i sheshtë i rritur prej 15% për tatimin e të ardhurave nga kapitali. Rikthimi i kësaj zgjidhjeje, aplikimi i së cilës u shty për shkak të dobësive, sipas ekonomistëve, do të nënkuptojë sërish një reagim të fortë nga kompanitë që punojnë me projekte ku janë të angazhuar profile të ndryshme punonjësish.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button