“Pse (nuk) është ashtu”: Mitet rreth zhvillimit të inteligjencës artificiale (VIDEO)

Interesi i rritur dhe shqetësimi rreth zhvillimit të Inteligjencës Artificiale (IA) dekadave të fundit ka krijuar shumë mite, spekulime dhe vlerësime të pabaza, të cilat, kryesisht, krijojnë frikë dhe dyshim rreth armërisë së kësaj teknologjie. Për shkak të popullarizimit të kësaj tematike në literaturën fantastiko-shkencore dhe në art, për disa, inteligjenca artificiale e “plotfuqishme” do ta marrë botën dhe do ta robërojë njerëzimin, ndërkaq për të tjerët – nuk është asgjë më shumë se një term i thjeshtë i lidhur me teknologjinë. E vërteta është diku në mes.

Nëpërmjet platformës së mediave sociale, aplikacioneve celulare, automjeteve autonome, pajisjet e mençura në shtëpi – IA me vite është pjesë e rrethit tonë dhe e lehtëson përditshmërinë e njerëzve në mbarë botën. Por, edhe pse çdokush prej nesh mban në xhep inteligjencë artificiale, të integruar në telefonat celularë dhe çdo dit prej tyre kërkojnë ndihmë – përgjigje për pyetjet ose udhëzime për lëvizjen dhe orientimin – pak njerëz në fakt e kuptojnë se çfarë paraqet inteligjenca artificiale, në çfarë mënyre funksionon e njëjta dhe sa është e arsyeshme frika se mund të bëhet më e mençur se sa ai që e përdor dhe kontrollon.

Që çdokush të mundet t a kuptojë peizazhin e habitshëm të inteligjencës artificiale, është me rëndësi thelbësore që të ndahen mitet nga realiteti. Për atë, në edicionin e ri të “Pse (nuk) është ashtu” do t’i hedhim poshtë mitet dhe dezinformatat. Se çfarë është mit dhe nëse disa gjëra rreth IA-së janë ose nuk janë ashtu, flasin profesorët Gjorgji Maxharov nga FINKI, Tamara Dimitrova nga “Breinter Nekst Kolexh” dhe Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv në Fondacionin Metamorfozis.

Mitet për inteligjencën artificiale:

  1. Inteligjenca artificiale i referohet robotëve që flasin, reagojnë dhe sillen si njerëz.

Kjo është pjesërisht ashtu. Inteligjenca artificiale përdoret në robotikë, përdoret për të krijuar robotë dhe robotë të cilët flasin dhe sillen si njerëz. Por, përdorimi i inteligjencës artificiale është shumë më e gjerë se aq. Robotët janë të krijuar për të kryer detyra të paracaktuara që nuk kanë intervenim shtesë, ndërsa inteligjenca artificiale është aftësia për të imituar mendjen e njeriut që të marrë vendime dhe për të mësuar. Shpesh robotët me forma humanoide, pra me trajta fizike përdoren për arsye se mendohet se në atë mënyrë ata do marrin të dhëna më të përafërta me realitetin të cilin e përjeton njeriu në jetën reale.

Edhe pse librat dhe filmat me temë fantashkencë e paraqesin si të tillë, për momentin realiteti është krejtësisht ndryshe.

A do të jetë automatizimi i një procesi të caktuar ashtu siç është filtrimi i e-maileve që nuk do të duhej t’i pranojmë, apo do të jetë rekomandimi i filmave në Netflix ose rekomandimi i videove në YouTube ose një platformë tjetër, apo mbajtja e makinerive në gjendjen e tyre të dëshiruar të punës, këto janë vetëm fushat në të cilat IA gjen aplikim jashtëzakonisht të madh sot.

  1. Inteligjenca artificiale mund të zhvillohet vetë pa ndihmën e njeriut.

Nuk është ashtu. Ende nuk kemi arritur atje. Duhet të ketë ekspertizë të caktuar për definimin e një problemi të caktuar.

Ekziston një ideologji e tërë, të cilën Kurzëell e ka zhvilluar rreth këtij pohimi, që e përshkruan Ligjin e tij për Përshpejtim të Kthimit, i cili parashikon rritjen eksponenciale të teknologjisë, gjegjësisht, shkenca kompjuterike, gjenetika, nanoteknologjia, robotika dhe IA.

Ai thotë se në momentin që një IA arrin të bëhet e ndërgjegjshme, në atë moment ajo do të krijojë një IA që është më e fuqishme se vetvetja, dhe kështu me radhë derisa të arrihet ajo “pika e singularitetit” që ajo e përcakton. Pastaj do të ketë IA të krijuar nga IA të mëparshme që do të jetë pafundësisht më e fuqishme se e gjithë inteligjenca njerëzore e kombinuar bashkë.

Por kjo është një ideologji pasi ka shumë të tjera, siç shkruajnë shumë autorë fantashkencë. Edhe pse Kurzëeil nuk i përket këtij zhanri, ai megjithatë e ka zhvilluar gjithë këtë ideologji

  1. Niveli i inteligjencës artificiale po i afrohet asaj të njerëzve.

Kjo është pjesërisht ashtu. Ashtu është, i afrohet. Por, është ende larg. Ka aplikacione të drejtuara nga inteligjenca artificiale që kanë shpejtësi më të lartë ekzekutimi se  sa njerëzit. Kanë aftësi dhe saktësi më të lartë operacionale, mund të bëjnë shumë më tepër punë në të njëjtën kohë, sidomos kur bëhet fjalë për punë të lodhshme dhe monotone.

Në përgjithësi, ka dy drejtime brenda kornizës së IA. Drejtimi i parë është IA Konkrete që merret me zgjidhjen e problemeve konkrete shumë të specializuara të IA, ndërsa tjetri është IA e Përgjithshme (Strong AI) që është ende në fazën e konceptualizimit dhe ende nuk ka një zgjidhje me të cilën do të kemi një IA që do të merret me të gjitha problemet.

  1. Inteligjenca artificiale do të bëjë diagnoza mjekësore dhe do të marrë vendime mjekësore për gjendjen shëndetësore të pacientëve

Ashtu është. Tashmë jemi atje. Nuk e lejojmë makineritë të vendosin diagnoza mjekësore, por ato ndihmojnë në kuadër të marrjes vendime nga personeli mjekësor.

Në segmente të caktuara, diagnozat mjekësore të bëra nga programet janë dëshmuar të jenë më të sakta se ato që i kanë bërë mjekët. Por ka një stigmë që ne si njerëz nuk mund ta kapërcejmë, e kjo është që diagnostikimin të na e bëjë një makinë. Shembull të tillë kemi edhe me fluturimin me aeroplan, ku duhet të dimë se në kabinë ka pilot, megjithëse pjesën më të madhe të kohëzgjatjes së fluturimit e menaxhojnë programet, domethënë piloti zakonisht ka rol vetëm gjatë ngritjes dhe uljes së aeroplanit. Por na qetëson fakti që ka një njeri i cili piloton me atë aeroplan.

E njëjta situatë është edhe në mjekësi, ku makineritë ndonjëherë mund të bëjnë një diagnozë më të mirë, por gjithsesi duam që të ndihmohet nga një mjek që do të na përcjellë.

  1. Zhvillimi i inteligjencës artificiale do të çojë në skllavëri njerëzore dhe dominimin e teknologjisë.

Nuk është kështu. Në skenarët e filmave fanta-shkencë kemi shembuj të ndryshëm ku inteligjenca artificiale me ndihmën e robotëve zhvillohet vetë dhe nuk ka më nevojë për njerëzit.  Por, mendoj se kjo në realitet nuk do të ndodhë asnjëherë.

Para se t’i përgjigjemi pyetjes, duhet të përkufizojmë nocionin e skllavërisë njerëzore dhe dominimin e teknologjisë. Mendimi im është se ne ende kemi dominim ndaj teknologjisë edhe sot. Nuk mund të bëjmë asgjë pa teknologjinë, në fakt nuk dalim nga shtëpia pa celularin dhe kthehemi kur kuptojmë se e kemi harruar. Për mua është thjesht një mjet pa të cilin nuk mundemi.

Nëse e trajtojmë teknologjinë me korrektësi dhe zgjuarsi, ajo do të jetë mjeti dhe ndihma jonë për një të ardhme më të mirë.

  1. Inteligjenca artificiale do t’i zëvendësojë të gjitha punët njerëzore.

Kjo është pjesërisht kështu. Shumë punë do të zëvendësohen, por shumë të tjera do të krijohen. Punët që kërkojnë kreativitet dhe strategji është vështirë të zëvendësohen. Edhe pse sot kemi softuerë që mund të shkruajnë tekste, novela ose edhe të bëjnë piktura, por kjo bëhet duke kombinuar dhe kopjuar vepra arti veç më të shkruara apo të pikturuara.

Zhvillimi i inteligjencës artificiale, do të hapë një bollëk të madh vendesh të reja pune për të cilat ende nuk jemi të vetëdijshëm, por që patjetër do të drejtohen në degë të caktuara si sociologjia, psikiatria, kujdesi mjekësor, arsimi etj.

  1. Analistët e të dhënave dhe ekspertët e të mësuarit të makinave nevojiten për të përdorur inteligjencën artificiale.

Pjesërisht, është kështu. Për të krijuar metoda të reja dhe për t’i përmirësuar ato, nevojiten de fakto shkencëtarë pikërisht nga kjo fushë.

Por ka mjete shumë të thjeshta në të cilat tashmë janë zbatuar metoda të ndryshme shkencore nga mësimi nga makina dhe IA, për të cilat mjafton të keni njohuri bazë kompjuterike, t’i dini të dhënat dhe shënoni ato,  që më pas të përcaktohen se cilat programe dëshironi të përdorni gjatë gjithë punës, për të vizualizuar rezultatet dhe më pas interpretuar ato vetë.  Po shkojmë drejt asaj që mos të jenë vetëm këta shkencëtarë, por për të çuar përpara gjithë veprimtarinë duhet të ekzistojnë edhe këta njerëz.

  1. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut po zhvillohet strategji kombëtare për inteligjencën artificiale.

Kjo është pjesërisht kështu. Me iniciativën e Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik është nisur si proces, por ka një kohë të gjatë që nuk ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim.

Megjithatë, është mirë që mendohet dhe ekziston një iniciativë e tillë. Shpresoj që së shpejti kjo strategji të jetë çështje prioritare dhe do të vazhdojë puna në zhvillimin e kësaj strategjie.

Grupi punues ka pasur një numër të caktuar takimesh në të cilat duhej të përcaktohet dhe zhvillohet një udhërrëfyes për autoritetet, që do të jetë pikënisje e mirë se si të pozicionohemi dhe çfarë duhet të bëjmë për të qenë krah për krah, hap pas hapi me vendet e tjera që tashmë e kanë aplikuar gjerësisht strategjinë që tashmë e kanë përgatitur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button