Kosova lejoi vizitën e kryeministres së Serbisë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, pritet të vizitojë Kosovën më 5 shtator. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se “i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës” për këtë vizitë.

“Dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjellta të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sipas njoftimit që e ka bërë Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Bërnabiq do të realizojë një vizitë një ditore në komunat veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq.

Sipas këtij njoftimi, në vizitë do të jetë edhe Petar Petkoviq, drejtor i kësaj zyreje.

“Kryeministrja do vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës… Pas kësaj ajo do të bëjë një vizitë te Manastiri i Banjskës në Komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftim.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se vizita e Bërnabiqit ishte lajmëruar të enjten, 72 orë para vizitës “sipas marrëveshjes për vizita zyrtare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button