Memento për Luan Starovën

Janë do personalitete që, para së gjithash, u bëjnë nder etnive nga gjiri i të cilave erdhën në jetë. Ndër ta, pa asnjë dyshim bën pjesë dhe akademiku, shkrimtari, poeti, përkthyesi dhe intelektuali ynë erudit e poliglot me famë botërore Luan Starova, të cilin e kujtojmë pesë muaj pas ikjes në panteonin letrar të të paharruarve.

Siç e dini, Luani është autori i dytë shqiptar më i njohur e më i përkthyer në gjuhët e botës, pas Ismail Kadaresë. Seria e romaneve të tij të përfshira në Sagën ballkanike, vlerësohet lart nga studiuesit dhe kritikët profesionistë të Perëndimit dhe të Lindjes.

Për respektin dhe kurreshtjen e lexuesve të PortAlb-it, do të sjellim sot disa nga vlerësimet e njohësve të shquar të prozës narrative, sepse, pas aktit të botimit, jeta e librit varet nga lexuesi, që, sipas Borhesit dhe Sartrit, është ai që e ndryshon dhe e pasuron veprën, ai që i fal jetën dhe që përcakton vlerën estetike të saj, gjithnjë sipas shijes dhe formatit kulturor të lexuesit dhe një morie faktorësh të tjerë që lidhen me rrethanat jetësore e me gjendjet shpirtërore.

Po e nisim me akademikun Jorgo Bulo, sipas të cilit: Luan Starova është njëri nga përfaqësuesit e kulturës shqiptare në botë…

Për studiuesin Françesko Altimari: Luani është shkrimtar bashkëkohor shqiptar që shkrin brenda detyrës qytetare dhe vepërs së tij letrare mjaft tipare që lidhen me panoramën e re të shqiptarisë brenda kontekstit evropian dhe mesdhetar

Luan Topçiu: Luan Starova është një nga autorët shqiptarë më të përkthyer në gjuhë të huaja, fitues i çmimeve shumë të rëndësishme letrare, shkrimtar që ka zgjuar një kërshëri të vazhdueshme në rradhët e lexuesve të huaj…

Ardian Marashi: Temat historike mbeten tërheqëse kur gjejnë mjeshtrin e tyre ballkanik, siç është Luan Starova…

Xhevat Llosh: Më duket se kjo është përvoja më frytdhënëse e hapjes së letërsisë sonë drejt zhvillimeve të reja, porse duke e ruajtur frymën e veçantë shqiptare, si diçka që e meriton vendin e saj në vlerat evropiane…

Neli Naço: “Koha e dhive” është romani i ekzistencës, romani i të papriturave, romani i zbulimit arketipal të ‘ekzistencialit ballkanik’; arketipal sepse është një përvojë mijëravjeçare me fillesë që nga miti i krijimit ajo me të cilën përballet narratori; ballkanik sepse vetëm këtu ekziston personazhi i tillë që prej mijëra vitesh përballet me ekzistencën e vet…

Fatos Arapi: Në shprehjen poetike të Luan Starovës, zbulon fuqinë shprehëse që mbështetet në traditën poetike shqiptare…

Ali Aliu: Luan Starova po përjeton sukses të madh në më shumë gjuhë të huaja në Evropë – shumë më shumë se autorë të tjerë të Ballkanit…

Risto Llazarov: Shumë prej kolegëve tanë djersiten mirë duke bërë kallauze botimesh magjike shtetërore, të tjerët vrapojnë si të pakokë, kurse Luanit, ja, portat e rënda drejt Evropës letrare ia hapën dhitë. Cjeptë tanë as që mund të afrohen në tregun evropian, por edhe sikur të arrinin, gjithçka që mund t’u ndodhë është t’ua shkurtojnë mjekrat dhe brirët, kurse dhitë e Luanit i presin kudo me simpati të pafshehura…

Gane Todorovski: Saga ballkanie është projekt krijuesit pretencioz dhe energjik, që paraqet unikum të veçantë ilustrativ, diçka që është i vetmuar si lloj dhe si model, një ndërmarrje e rrallë, që i kushton letërsisë së sotme dimensionet e një standardi evropian…

Mateja Matevski: “Koha e dhive” është roman bashkëkohlr, në të cilin, përmes ironisë subtile, të përmbajtur dhe të qetë, por zëshëm nga aspekti beletristik, jetojnë e flasin absurditetet e një kohe që tani më është pas nesh, por që vazhdimisht na i kujton bashkëkohësit dhe jo vetëm neve, në përjetimet dhe pasojat që mund të kushtëzojnë padituritë, budallallëqet dhe rigjiditetin ideologjik e politik, madje edhe kur ata burojnë nga iluzionet e sinqerta dhe qëllimet e mira…

Edgar Moren (mendimtarin e shkëlqyer të botës moderne): Franca e zbuloi me mahnitje dhe emocione shkrimtarin Luan Starova, romansierin e rrallë dhe të pakategorizueshëm, i cili, me poetikën e tij të fuqishme, është ambientuar mirë brenda botës ballkanike dhe i përcjell me sukses përvojat e tij të pasura…

Erik Nollo (shkrimtari dhe kritiku freng): Luan Starova me sagën e tij ballkanike ndërton një vepër polifonike e shumëkuptimëshe, një katedrale të vërtetë prej ngjyre dhe letre, në të cilën përzihen të gjithë zërat e Ballkanit…

Zhak Gosheron (poet): Ngrehinat që sjell autori nëpërmjet kapitujve të vegjël përfundojnë në një mozaik të çuditshëm me ngjyrëra të ndryshueshme…

Pjer Koban (arkeolog dhe njohës i rrethanave ballkanike): Vepër e jashtëzakonshme, simbol thelbësor i familjeve shqiptare e ballkanike…

Zhak Shirak (ish kryetar i Francës): “Librat e babait” është vepër e veçantë, shumë komplekse me strukturën e saj të thjeshtë, një freskë e jashtëzakonshme e historisë së Ballkanit, në një epokë vendimtare të evoluimit të saj…

Moris Droun (ish sekretar i Akademisë Franceze): Ç’vepër e bukur, ç’vepër mallëngjyese “Librat e babait”! Kujtime nga fëmijëria dhe adoleshenca, dëshmi të një dashurie të thellë për prindërit, himn për kulturën, me një ndjenjë dashurie e besnikërie ndaj truallit ballkanik…

Viktor A. Fridman (ballkanologu dhe albanologu i njohur, nga Universiteti i Çikagos): Vepra “Librat e babait” është e fuqishme, e artikuluar, delikate, dhe tronditëse. Ajo  shkon përtej zhanrit të memoareve dhe është njëkohësisht një meditim mbi jetën dhe një histori e Ballkanit në shekullin e njëzet, e rrëfyer nga një këndvështrim me vlera universal…

Peter Rau (studiues gjerman): Është fat i madh për letërsinë evropiane dhe botërore, që në diskursin e pafundmë të lidhjeve interkulturore të letërsisë, hyri edhe vepra e Luan Starovës…

Alen Boske: “Koha e dhive” është libër origjinal, që të bën për vete. Ky libër është shkruar si një lutje në të cilën satira ndërlidhet me parabolën dhe fabula ofron më shumë interpretime të mundshme. Luan Starova operon intenzivisht me ironinë dhe me magjiken… Gjer këtu lexuesi ballafaqohet me një rrëfim realist me dozë të caktuar ironie. Por ai përnjëherë befason me burleskun. Gogoli nuk mund të jetë larg…

Erik Faj (studiues i njohur i romaneve të Ismail Kadaresë): Letërsitë ballkanike si me një rregull të pashkruar na e mundësojnë rregullisht shkëlqimin e margaritarëve të mirëfilltë letrarë. Një margaritar i tillë i ri është romani “Koha e dhive” e Luan Starovës, i botuar nga shtëpia botuese Fajar…

Mari-Fransoaz Alen: “Koha e dhive” është një simfoni e njëmendtë pastorale, nga qumështi dhe mjalti, roman për kohën që s’rrëfehet, kur njerëzit kuptoheshin ndërmjet tyre… Ndoshta aluzioni i librit ka të bëjë me masakrën e fëmijëve të Sarajevës, të civilëve të Bosnjës, ose me masakrat e mëpastajme, veçanërisht ndaj Shqiptarëve të Kosovës…

Adonisi (poet i njohur arab, kandidati për çmimin nobel: Ajo që më tërhoqi në mënyrë të veçantë në romanin “Koha e dhive” është dimensioni magjik-poetik e simbolik… Gjithashtu mendoj se kjo vepër është ndër më të mirat që dëshmojnë në mënyrë indirekte shfarrosjen e shkaktuar nga universi i ashpër dhe i egër ideologjik…

Lloran Rebo (shkrimtari zviceran): “Koha e dhive” është roman magjik i shkruar nga pena e një shkrimtari të madh shqiptar nga Maqedonia, Luan Starova. Libri lexohet për një natë…

Fransis Vibrande (ndjekësi i romaneve të Luanit në revistën “Etyd” dhe “Europ”): Saga ballkanike është krionikë monumentale e Ballkanit.

Hedi Buarium (shkrimtar dhe profesor universitar kanadez): Në romanin “Bregu i ekzilit” në mënyrë të çuditshme përshkruhet historia komplekse dhe e pasigurtë e një familjeje ballkanike. Në mënyrë briliante janë rrëfyer peripecitë e një familjeje në ekzil, me aq skena të prekshme që ndalin shumë herë frymën e lexuesit…

Vlerësime të jashtëzakonshme për romanet e Sagës shqiptare e ballkanike kanë bërë edhe shumë studiues dhe kritikë të tjerë të mëdhenj, të cilët e kanë përmendur emrin e Luan Starovës krahas emrave të krijuesve të shquar të letërsisë evropiane e botërore, që nga autorët e mëdhenj shqiptarë e ballkanas si: Konica, Jeronim de Rada, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Kadareja, Kishi, Selimoviqi, Kazanzakisi, Vasilikosi, Pekiqi, Shqepanoviqi, Istrati, Donçevi, Sijariqi, Crnjanski… e gjer tek: Servantesi, Gogoli, Kafka, Kamyja, Montenji, Prusti, Elijari, Malarmeja, Moreni, Grasi, Mani, Shollzenjicini, Kundera, Markesi…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button