Qendra të mbipopulluara refugjatësh në Bullgari, përballen me burime të kufizuara financiare

Qendrat e refugjatëve në Bullgari kanë tejkaluar kapacitetin e tyre maksimal me më shumë se 20%, duke arritur nivele të papara në dy deri në tre vitet e fundit, njoftoi agjencia e lajmeve BGNES, transmeton Euractiv.

Në Bullgari, refugjatët dhe emigrantët – kryesisht nga Algjeria, Maroku dhe Tunizia, por edhe nga Pakistani, Afganistani dhe Siria – duhet të qëndrojnë në korridoret, dhomat e televizorëve dhe dhomat e shërbimeve të qendrave të refugjatëve.

“Në çdo moment na sillen emigrantë të ndaluar në vende të ndryshme të vendit, pothuajse të gjithë janë nën moshën 30 vjeç dhe mbi 95% janë meshkuj. Shumë rrallë ka mes tyre njerëz që dinë ndonjë gjuhë perëndimore. Disa prej tyre flasin frëngjisht”, ka thënë stafi i njërës prej qendrave.

Kushtet po ndikojnë edhe në stafin e këtyre qendrave, të cilët janë ankuar se janë të mbingarkuar dhe përballen me burime të kufizuara financiare.

“Për gjërat elementare na detyrojnë të shkruajmë raporte dhe shpjegime, madje edhe për pjesë këmbimi që kushtojnë 25 euro presim me muaj për miratim”, thanë ata.

Ministria e Brendshme njoftoi se qeveria do të krijojë shtëpi të specializuara për strehimin e përkohshëm të të huajve – kontejnerë të pajisur – për të strehuar më shumë njerëz në qytetin jugor të Lyubimets. Këto ‘kontejnerë’ mund të strehojnë deri në 1.232 persona.

Ndërkohë, kontrollet kufitare u forcuan rreth një javë më parë në Bullgari pasi dy policë u vranë kur makina e tyre e policisë u përplas nga një autobus që transportonte 47 emigrantë të parregullt në qytetin e Detit të Zi të Burgasit. Shoferi i autobusit, vetë një emigrant që jetonte në një qendër shtetërore refugjatësh, nuk iu bind urdhrave të policisë dhe nuk pranoi të ndalonte në dy pika kontrolli.

Ai aksident përforcoi dyshimet për korrupsionin e përhapur në kontrollin kufitar dhe e detyroi qeverinë të shpallte masa më të forta kundër migrantëve të parregullt. Që nga aksidenti, disa aksione të policisë morën ritëm dhe u kapën disa të huaj të parregullt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button