fbpx

Kryepeshkopi serb: Kosova e shenjtë për ne, shpërthejnë reagimet dhe protestat

Ardhja e kryepeshkopit të Serbisë, Irinej, në Tiranë apo dhe gjeste të tilla siç ishte ai ngritjes së flamurit serb përpara Katedrales Ortodokse, nuk do të kalonin pa lënë gjurmë ditën e djeshme për shqiptarët. Por, ajo që ngjalli një sërë reagimesh të shumta edhe nga Kosova ishte pikërisht deklarata e tij në një intervistë për “Top Channel”, duke theksuar se “Kosova ishte e shenjtë për Serbinë”. “Ne me shqiptarët kemi jetuar në shekuj. Asnjëherë nuk kemi pasur probleme midis dy popujve tanë. Ato që po ndodh në këto kohëra midis nesh, pra shkëputja e Kosovës dhe krijimi i një shtetit të pavarur nga Serbia, ne na rëndon shumë. Kosova dhe Metohija për ne serbët është pjesa më e shenjtë, aty është zhvilluar e gjithë historia e popullit tonë. Është zhvilluar kultura dhe ana jonë shpirtërore. Rezidenca e Patriarkanës Serbe faktikisht është në Pejë dhe i bie që Rezidenca e Patriarkanës Serbe të jetë në një shtet tjetër dhe jo në Serbi”, shprehet Irinej. Më tej, patriarku i Serbisë, Fortlumturia e Tij, Irinej, duke mos përmendur dhunën serbe të ushtruar mbi kosovarët, i mëshon idesë së kthimit të të larguarve serbë në Kosovë, si një zgjidhje të mundshme të situatës. “E para do ishte që t’u krijohet mundësia të gjithë atyre të larguarve të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të gjendet mënyra që të jetohet përsëri qetë në Kosovë. Ata kanë jetuar momente të vështira, shtëpitë e tyre janë djegur, pronat janë përvetësuar nga banorët shqiptarë dhe nuk u lejohet që të kthehen në shtëpitë e tyre. Tani kemi marrë vesh që edhe shumë nga varret tona po humbasin apo po dëmtohen. Me përjashtim të disa vendeve që u ruajtën nga KFOR-i, pjesa tjetër janë të shkatërruara dhe të djegura. Serbët asnjëherë nuk kanë qenë armiqësorë në raport me shqiptarët. Në 1912 kur Kosova u çlirua nga Turqia, asnjë shqiptar nuk është përzënë nga Kosova dhe Metohija”, shtoi Irinej. Ajo që mbetet më e dhimbshme dhe që ka sjellë edhe reagimin e ashpër të kosovarëve ndaj kësaj deklarate është pikërisht edhe një deklaratë e kryepeshkopit serb dhënë në tetor të vitit 2010, i cili është shprehur kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar atë një “mëkat” nga vendet që do e njihnin si shtet të pavarur. Për të mos mjaftuar vetëm deklarata e Irinej-t për Kosovën, në përfundim të ceremonisë së djeshme në Katedralen Ortodokse një grup besimtarësh të ardhur nga Serbia, ngritën përpara godinës flamurin serb. Ky akt, referuar edhe rasteve të ngjashme të ngritjes së flamurit shqiptar në Serbi, solli një sërë reagimesh kundërshtuese në rrjetet sociale, ku mjaft të rinj, e dënonin dhe e konsideronin të turpshëm mosreagimin e kryeqytetasve.

Reagimet

Si një reagim kundërshtues ishte ai i kreut të kishës së “Shën Mërisë në Elbasan, Atë Nikolla Marku, i cili ka dënuar pjesëmarrjen e kryepeshkopit serb në ceremoninë e djeshme të Shenjtërimit të Katedrales Ortodokse, si dhe mbajtjen e fjalimit në gjuhën greke nga ana e kryepeshkopit shqiptar, Janullatos. “Kjo ceremoni duhet të ishte bërë jo nga individë antishqiptarë që e drejtojnë sot Kishën. Ky akt shenjtërimi nuk është i drejtë, sepse u bë nga një njeri që nuk është shqiptar, kryepeshkopi Janullatos, i cili për më tepër thirri klerikë nga Greqia e Serbia. Për çfarë i thirri? Për të treguar se sa i fortë është, sa pushtete ka? Kryepeshkopi Irinej njihet për deklaratat e tij kundër Kosovës, ka thënë se Kosova është zemra e Serbisë, ndaj si mund të shenjtërojë një njeri i tillë Kishën Shqiptare, kur ai është armiku i shqiptarëve dhe nuk e njeh fare dhe nuk e do kombin shqiptar”, ka thënë Atë Nikolla Marku, për “Kosova Press”. Nga ana tjetër, Aleanca Kuqezi reagoi kundër pjesëmarrjes së kryepeshkopit serb, Irinej, në shenjtërimin e kishës në Tiranë, duke e quajtur këtë të fundit armik të shqiptarëve. Aktivistët e kësaj partie i vendosën parulla kryepeshkopit serb në kangjellat e Katedrales ku shkruhet: “Kryepeshkopi i Serbisë, kundër Shqipërisë”. Sipas Aleancës Kuqezi, kryepeshkopi i Serbisë është shprehur kundër historisë së Shqipërisë dhe ka deklaruar se “Kosova është Serbi”, si dhe “Serbia më mirë jashtë BE-së se pa Kosovën”. Ata kritikuan edhe takimin e Kryeministrit Rama me kryepeshkopin serb, duke e konsideruar atë si të paprecedentë.

Shmangen politikanët

Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, politikanë në vend kanë preferuar të qëndrojnë larg incidenteve të tilla, si ato të djeshmet me serbët apo me shoqërimet në polici të disa prej protestuesve, duke mos dashur të përzihen me këto çështje, që sipas tyre janë vetëm fetare. Madje, disa prej tyre kanë preferuar që të kalojnë një të diel pushimi me familjarët, duke mos i kushtuar në këtë mënyrë rëndësi apo vëmendje ceremonisë së djeshme të Shenjtërimit të Kishës Ortodokse në Shqipëri.

Lajme të ngjashme

Back to top button