Shteti me thirrje të kursehet rryma: Çdo kilovat orë e kursyer nënkupton më pak konsum të qymyrit, mazutit dhe gazit

EMV nga dje ka në dispozicion 3,1 miliardë denarë ose rreth 50 milionë euro për të rritur prodhimin dhe për të siguruar sasi shtesë të energjisë elektrike. Kompania bën thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike. Çdo kilovat orë e kursyer, thekson EMV, do të nënkuptojë më pak konsum të qymyrit, mazutit dhe gazit, transmeton Portalb.mk.

Edhe shteti bën thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike. Njëkohësisht bën me dije se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

“EMV-së i vihen në dispozicion 3,1 miliardë denarë për të rritur prodhimin dhe për të siguruar sasi shtesë të energjisë elektrike. EMV do të shfrytëzojë edhe mbështetjen financiare për furnizimin me lëndë të parë bazë, qymyr, mazut e të tjera, që është në funksion të mbështetjes së vazhdimit të prodhimit për furnizim të pandërprerë me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

ShA EMV njoftoi se do të bëjë të gjitha përpjekjet për të prodhuar sasitë e nevojshme deri në fund të sezonit të ngrohjes.

“Nëse ne respektojmë masat, energjia e kursyer do të mund të ridrejtohet në ekonomi, veçanërisht në kompanitë dhe institucionet e mëdha që blejnë energji elektrike në tregun e lirë me çmime jashtëzakonisht të larta dhe kështu do të mund t’u ofrojmë atyre shuma me çmime më të ulëta, me çka kostot e funksionimit të tyre do të ulen. Vetëm duke kursyer energjinë elektrike mund të ndihmojmë spitalet, shkollat, kopshtet dhe ekonominë dhe të dalim së bashku nga kjo krizë e imponuar”, thekson EMV.

Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski dje dërgoi mesazh se duhet kursyer energjia elektrike.

“Konsideroj se i gjithë publiku duhet t’i marrë pak më seriozisht masat e kursimit, sepse në kushtet e çmimit të energjisë elektrike në bursa prej 700-800 euro, mendoj se asnjë kompani nuk mund të punojë normalisht, sidomos kompanitë që kanë një proces prodhimi. Besoj se edhe shteti do të duhet disi të ndihmojë në këtë pjesë nga aspekti i ofrimit të energjisë elektrike më të lirë”, tha Bislimoski në një konferencë për media.

Vlerësimi i tij është se EMV për nevojat e tregut të rregulluar, veçanërisht për amvisëritë, jep çmim relativisht të ulët.

“Tashmë qytetarët mund të shohin në faturat e tyre se tarifa e lirë u kushton 10 euro për megavat orë si produkt. Fakti që në bursë është 400, 500, 600 euro dhe ka pasur ditë që 800 qytetarëve tanë u kushtin 10 euro për megavat orë tarifa e lirë. Blloku i parë kushton 71 euro, blloku i dytë 76.5 euro, blloku i tretë 86 euro dhe blloku i katërt ekstrem 229 euro. Kur i krahason këto çmime me atë që gjendet në bursë, ka situata ku blloku i parë dhe i dytë janë diku 10 herë më të lira se sa është në bursë në Hungari, bursa referente për rajonin tonë”, sqaron Bislimoski.

Siç tha Bislimoski, për gjashtë muajt e parë çmimi i shitjes së furnitorëve në vendin tonë është më i ulët se çmimi i blerjes, sepse furnizuesit më të mëdhenj kanë kontrata me çmime shumë më të ulëta.

“Diku në korrik apo gusht nuk i kemi marrë të dhënat, por atë që marrim nga kompanitë, marzhi varion nga 5 deri në 20 për qind, ndonjëherë edhe 25 për qind, por akoma nuk i kemi marrë të dhënat përfundimtare”, tha. Bislimoski.

KRRE, shtoi Bislimoski, nuk mund të kufizojë marzhet për shitjen e energjisë elektrike.

“Duhet të ndjekim rekomandimet e BE-së, të cilat do të përcaktojnë një hendek të caktuar – maksimumi deri në të cilin mund të shkojnë marzhet dhe besoj se kjo do të ndodhë shpejt edhe në vendin tonë”, tha Bisliomski.

Kryetari i KRRE-s; siguron se nuk ka tarifë të re për energjinë elektrike. Sipas tij, për energjinë e konsumuar gjithmonë është paguar rrymë e rrjetëzuar për për haxhim. Rrjetet nga ana tjetër janë bërë më të shtrenjta për shkak se humbjet e energjisë elektrike janë rritur në mënyrë drastike.

“Kur të shtohet kostoja e energjisë elektrike për shembull për bllokun e parë dhe të shtohet kostoja e tarifës së rrjetit, çmimi total për energjinë elektrike do të jetë i njëjtë si më parë. Ka vetëm një të vërtetë dhe ajo është se nuk ka taksë të re, por në faturat e reja qytetarët marrin çmimin e energjisë elektrike si produkt dhe çmimin e përdorimit të tarifës së rrjetit. Kjo praktikë ekziston në të gjitha vendet anëtare të BE-së”, sqaroi Bislimoski.

Ai po rikujtoi se legjislacioni maqedonas dhe vendimet e KRRE-së janë në përputhje me praktikën evropiane, kështu që qytetarët marrin çmim të veçantë për energjinë elektrike si produkt dhe çmim për çdo bllok, që të dinë se sa u kushton rryma. Ata marrin gjithashtu një artikull të veçantë për përdorimin e rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes.

“Funksionimi i TE-TO në pjesën e energjisë elektrike është i domosdoshëm në muajt e dimrit nga pikëpamja teknike, për të stabilizuar kushtet e tensionit në rrjet. Sipas meje, nuk ka mundësi që TE-TO të mos punojë në muajt e dimrit”, thekson Bislimoski.

Kryetari i KRRE-së është i vendosur se tashmë është shpallur situatë krize në sektorin e energjisë dhe shteti do të gjejë mënyrën për të funksionuar sistemi i ngrohjes dhe energjisë elektrike.

Ndryshe, rekomandimet për komunitetin e biznesit janë që të fikin ndriçimin dekorativ në fasadave, në objektet e prodhimit, salla dhe zyra, temperatura e kondicionerëve në sezonin e ngrohjes të mos jetë më e lartë se 20 gradë, të fiken të gjithë kompjuterët, të ndërrohen rregullisht filtrat e elementeve të ngrohjes, nëse kompania ka nevojë për ujë të ngrohtë sanitar, të instalohen kolektorë diellorë.

Për institucionet publike, megjithatë, Qeveria ka nxjerrë detyrime.

Poashtu, Qeveria ka obliguar të gjitha institucionet në nivel qendror që nga radhët e punonjësve të tyre të përcaktojnë personat të cilët do të kujdesen për uljen e konsumit të energjisë, në përputhje me rekomandimet e përmendura, duke aplikuar kontrolle të shpeshta gjatë orarit të punës, e veçanërisht pas përfundimit të orarit të punës me synim uljen e konsumit me 15 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

“Punonjësit në institucionet publike dhe ndërmarrjet shtetërore janë gjithashtu të detyruar që kur është e mundur të përdorin shkallët në vend të ashensorit, të kryejnë ajrosje të shkurtër dhe intensive të ambienteve, të fikin dritat kur lëshojnë hapësirën, të printojnë vetëm ato dokumente që janë të nevojshme dhe aq kopje sa të jetë e nevojshme dhe të fiken të gjithë kompjuterët pas përfundimit të punës”, janë pjesë e detyrave për të punësuarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button