Palestinezët e burgosur në Izrael pritet të nisin grevë urie

Rreth 1.000 palestinezë të burgosur në Izrael pritet të nisin grevë urie, si shenjë proteste për kushtet në këto institucione, kanë thënë mediat palestineze.

Ky vendim është marrë pasi Izraeli ka rritur kufizimet, pas ikjes së gjashtë personave nga burgu në shtator të vitit të kaluar.

Të mërkurën, një i burgosur i profilit të lartë, i ka dhënë fund grevës gjashtëmujore të urisë, pas një marrëveshjeje me autoritetet, transmeton REL.

Sipas zyrtarëve palestinezë, rreth 4.500 palestinezë janë duke u mbajtur në burgjet izraelite.

Rreth 700 prej tyre nuk janë të akuzuar, por mbahen sipas atij që njihet si ndalim administrativ.

Izraeli ka thënë se kjo masë është e nevojshme për të garantuar siguri, mirëpo grupet për liri civile besojnë se këto praktika shkelin të drejtat e njeriut.

Udhëheqësi i Komitetit për të burgosur në Autoritetin Palestinez, ka thënë se edhe 1.000 të burgosur tjerë do t’i bashkohen grevës nëse nuk plotësohen kërkesat e të burgosurve.

Palestinezët e burgosur kanë mbajtur shpesh greva urie, apo kanë kërcënuar se do t’i mbajnë ato, si mënyrë për t’iu bërë presion autoriteteve izraelite që të përmirësojnë kushtet në burgje.

Çështja e palestinezëve të mbajtur nga Izraeli është një prej temave që bashkon shoqërinë palestineze, pavarësisht dallimeve politike.

Palestinezët i konsiderojnë të ndaluarit si të burgosur politikë.

Shumë prej tyre janë dënuar nga Izraeli për kryerje të krimeve të sigurisë, përfshirë terrorizmin dhe vrasjen.

Tensionet mes Izraelit dhe palestinezëve

Tensionet rriten shpesh në mes të Izraelit dhe palestinezëve që jetojnë në Jerusalemin Lindor, në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Gaza udhëhiqet nga grupi militant palestinez, Hamas, i cili e ka luftuar Izraelin disa herë.

Palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor thonë se janë duke vuajtur për shkak të veprimeve dhe kufizimeve të Izraelit.

Izraeli, në anën tjetër, thotë se është duke vepruar për të mbrojtur veten nga dhuna palestineze.

Një ndër pikat kyçe të mospajtimeve mes dy palëve ka të bëjë me Jerusalemin.

Izraeli e konsideron gjithë Jerusalemin si territor të vetin dhe si kryeqytet të pandashëm, derisa palestinezët kërkojnë që pjesa lindore të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen.

Ankesimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli nuk njihet ndërkombëtarisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button