Ministri Osmani i prezantoi prioritetet e kryesimit me OSBE-në në vitin 2023

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në Vjenë e prezantoi kornizën prioritare të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në nga viti 2023, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas prezantimit të mbajtur para ambasadorëve në kuadër të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, ministri Osmani zhvilloi edhe një konferencë për media përmes video-lidhjes ku u shpreh se kjo paraqet finalizim të një procesi afatgjatë dhe kompleks të përgatitjeve për kryesimin e ardhshëm, duke shtuar se ky proces po zhvillohet në nivelin më të lartë të politik, diplomatik dhe teknik.

“Qëllimet prioritare të kryesimit tonë janë në linjë me parimet, vlerat dhe zotimet e organizatës. Qëllimi ynë është të sigurojmë kontinuitet të prioriteteve të rregullta të OSBE-së, t’i mbrojmë postulatet themelore të organizatës të cilat në rrethanat aktuale gjeopolitike janë në ndikim të drejtpërdrejtë me sfidat moderne të politikave të sigurisë”, tha Osmani.

Ai u shpreh se kriza e sigurisë e shkaktuar nga agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës paraqet sfidën më të vështirë për funksionalitetin e OSBE-së në aspektin thelbësor politik dhe administrativ.

Sipas tij, lufta në Ukrainë i rrezikon drejtpërsëdrejti shtyllat mbi të cilat mbështetet OSBE-ja dhe roli i saj. Osmani shtoi se kjo luftë rrënoi arkitekturën e plotë të sigurisë dhe rendin e mëparshëm politik që mbi 70 vite siguroi stabilitet dhe prosperitet.

“Ballafaqimi me këtë sfidë paraqet pikë qendrore përmes së cilës edhe më tej do të vazhdojmë të modelojmë prioritetet e organizatës”, u shpreh Osmani.

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut u shpreh se në kuadër të prioriteteve hynë edhe konfliktet e ngrira dhe parandalimi i përshkallëzimit të tyre.

Osmani gjithashtu u shpreh se në kuadër të presidencës, Maqedonia e Veriut do angazhohet në kuadër të ndërtimit të shoqërisë së qëndrueshme dhe të integruar, duke ofruar “modelin tonë autentik të demokracisë funksionale multietnike”.

Ai tha se artikulimi në frymën e dialogut dhe kompromisit do të jetë pjesë e doktrinës dhe paradigmës së Maqedonisë së Veriut si dhe kontribut autentik në kryesimin e organizatës.

Maqedonia e Veriut e merr presidencën në vitin 2023 nga Polonia dhe sipas formatit të vendosur, këtë vit kryeson me Grupin Mesdhetar të partnerëve të OSBE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button