Vini re,vini re!

Dyndje e madhe vlerash po ndihet! Në të gjitha pikat e qarkullimit po vezullojnë pseudointelektualë,kapardisur e krekosur me kravatat e kostumet e modës së fundit. Të denjët janë jashtë sfilatës sepse nuk janë më në modë tani. Tek ne ka zbarkuar një modë e re, modë e cila nuk do të vonojë të marrë përpjestime të mëdha gjithëaspektëshe.

Duhet të hedhim poshtë të gjitha virtytet tona sepse janë të vjetëruara tashmë,e ca më shumë, sepse moda kështu e kërkon. U dashkërka të pajisemi me të tjera vlera që të jemi paralel me të tjerët,që të jemi si ‘të tjerët’,ne paskemi nevojë për një metamorfozë sepse të këtillë jemi të papranueshëm, të tillë nuk i përmbushim kriteret për tu ngjarë të tjerëve, të përparuarve, të civilizuarve, të gjithë diturve, modelit të denjë që ja vlen të kopijohet.

‘Një rend i ri në shoqëri, një modë e re po theket për tu servirur’-po thërret një tellall i padukshëm e ndjellakeq. Faktet tregojnë se është bërë e modës që shoqëria të ndërtohet me antivlera. Ç’modë sharlatane! Ne nuk na intereson të mësojmë sepse sidoqoftë një diplomë do ta blejmë,me paratë që i fitojmë me djersë apo jo,kryefamiljari do duhet të bëjë të pamundurën që të na sigurojë ato para,që të vishemi,të kapardisemi,të dukemi tek të tjerët e të ‘shkollohemi’. Pastaj xhaxhai ose daja,të cilin e kemi të ngritur në detyrë dhe njeri me autoritet do të na gjejë ndonjë punë ku të shtyjmë ditën para kompjuterit në ndonjë zyrë komode,veshur e rregulluar me kostum në pritje të fundmuajit për të mbushur xhepin.E në ndërkohë,të njohurit tanë,’budallenjtë’,që po thartojnë trutë duke mësuar e studiuar,duke shkolluar veten,do të përfundojnë jo më mirë se ne.Pjesa dërrmuese,do të enden lartë e poshtë të papunë,ndërkaq,të tjerët do të punësohen kudo ,përveç në profesionin e tyre. Pastaj ne,profanët,të ngriturit në detyrë,ne zuzarët që fatkeqësisht i gëzojmë kompetencat e privilegjet më shumë se ç’do kush do të shesim moral,etikë,do të flasim për sanksionimin e padrejtësisë,do të shesim mend … por vallë,a na i blen kush? E dimë,nuk na ka hije,ashtu siç nuk i ka hije lopës samari,mirëpo ne do të kënaqemi me veten tonë,do i bëjmë qejfin egos,madje,s’do stepemi të shkelim ato që ngrejnë kokën e që dëshmojnë mjerueshmërinë tonë,sepse e kemi edhe atë forcë,apo jo?! Ndoshta duket absurde,por ja,ne gjërat na shkuan fjollë,fati na gjeti derën dhe jemi këtu ku jemi.Vetëm një gjë nuk e dimë ende: Vallë,ç’rendiment do të përfitoni nga ne,kur ne,jemi dështakë në gjithçka? Ne kemi zënë postet,por jemi thjeshtë formalisht,ne nuk kemi as përgjegjësi morale e as humane. Të tjerët,të cilët nuk i përkasin kontigjentit tonë,janë në mëshirë të fatit,dhe thënë ndryshe,ne kemi gisht në fatin e tyre.

‘Është në dukje,kjo shoqëri që po ndërtohet me antivlera si orteku i borës ka për tu rrokullisur drejt humnerës së asgjësimit të virtyteve njerëzore,normave etike e morale’-ky është përfundimi i pikënisjes së rendit të ri që ka zbarkuar dhe është tragjike të mendosh që ka për të ngelur si cikatriks i pazhdukshëm në njerëzimin.Korrupsion,konflikte klasore,luftë për pushtet,sfida ekonomike,egoizëm,individualizëm,devalvim virtytesh e sjelljesh-me një tufë padrejtësish po ndeshemi këtë kohë,e vallë,a është e modës kjo? Ç’fakt fatkeq e i pamohueshëm,por vallë ne,a jemi të vetëdijshëm për pasojat që po i lëmë brezave të ardhshëm? Vallë a jemi të vetëdijësuar për përgjegjësinë që kemi mbi supe nga fakti i të qenurit njerëz? A i referohemi sa duhet njerëzores? Ç’rreng po i punojmë vetvetes e rrethit për një post,për ca të holla,për luksin e ëndërruar,a e vërejmë? A kaq e vështirë qenka të qëndrojmë indiderent ndaj kësaj mode ‘manipuluese’ që po na promovohet,a kaq e vështirë qenka ta këthejmë mbrapsht me stoicizëm? Vini re,vini re! Vini gishtin kokës dhe ndryshoni!

Lajme të ngjashme

Back to top button