Kina reagoi me zemërim ndaj akuzave të OKB-së për abuzimin e të drejtave të ujgurëve

OKB-ja akuzon Kinën për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, që mund të përbëjnë “krime kundër njerëzimit”, në një raport që pritej prej kohësh, i cili shqyrton sulmet ndaj ujgurëve dhe grupeve të tjera etnike, kryesisht myslimane. Pekini e kritikoi të enjten vlerësimin si një trillim të gatuar nga vendet perëndimore, raporton VOA.

Për disa vite, grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar Kinën se ka çuar mbi një milion pjesëtarë të grupeve të pakicave në kampe internimi, ku shumë kanë thënë se janë torturuar, sulmuar seksualisht dhe janë detyruar të braktisin gjuhën dhe fenë e tyre. Kampet janë vetëm një pjesë e asaj që organizatat e të drejtave të njeriut e kanë quajtur një fushatë të pamëshirshme kundër ekstremizmit në provincën e largët perëndimore të Xianjianut, që përfshinte gjithashtu politika drakoniane të kontrollit të lindjeve dhe kufizime në lëvizjen e njerëzve.

Raporti nga zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut vërteton kryesisht raportimet e mëparshme nga studiuesit, grupet e të drejtave të njeriut dhe mediat, duke iu shtuar akuzave peshën që ka OKB-ja. Por nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të ketë raporti, pasi Kina nuk ka treguar asnjë shenjë se do të heqë dorë nga politika e saj e mohimit të akuzave.

Megjithatë, mes ujgurëve që kanë ikur nga Kina, pati një ndjenjë lehtësimi që raporti më në fund u publikua, pasi shumë ishin të shqetësuar se ai nuk do të botohej kurrë. Disa e panë atë si një mbështetje të kauzës së tyre.

“Raporti është shumë kritik dhe një aktakuzë e fortë për krimet e Kinës kundër njerëzimit”, tha Rayhan Asat, një avokat ujgur, vëllai i të cilit është i burgosur në provincën Xinjiang. “Për vite me radhë, qeveria kineze ka thënë se ujgurët janë terroristë. Tani, ne mund t’u tregojmë atyre dhe të themi, ju jeni terroristët”, tha ai.

Grupet e të drejtave të njeriut, Japonia dhe Gjermania gjithashtu e mirëpritën raportin, i cili ishte bllokuar për shkak të përplasjeve mes Kinës dhe vendeve kryesore perëndimore, si dhe grupeve të të drejtave të njeriut, që kanë kritikuar vonesat e përsëritura në publikimin e dokumentit. Shumë diplomatë në Gjenevë besojnë se raporti ishte shkruar që para një viti.

Raporti i publikuar të mërkurën në mbrëmje arrin në përfundimin se Kina ka kryer shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe bën thirrje për “vëmendje urgjente” nga OKB-ja, komuniteti botëror dhe vetë Kina për t’i trajtuar ato.

Grupet e të drejtave të njeriut ripërsëriten thirrjet për Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i cili mblidhet muajin e ardhshëm, për të krijuar një organ të pavarur ndërkombëtar për të hetuar akuzat. Por, Kina nuk tregoi asnjë shenjë për të hequr dorë nga mohimet e saj të përgjithshme, ose për t’i portretizuar kritikat si një fushatë e politizuar shpifjeje.

“Vlerësimi është një grumbull informacionesh të rreme që shërben si mjet politik për SHBA-në dhe vendet e tjera perëndimore për të përdorur strategjikisht Xinjiangun për të frenuar Kinën,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin.

“Kjo përsëri tregon se Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut është reduktuar në një zbatuese dhe bashkëpunëtore të SHBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore”, tha më tej ai.

Kina publikoi një përgënjeshtrim prej 122 faqesh, të titulluar “Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në Xinjiang: E vërteta dhe faktet”, që OKB e publikoi së bashku me raportin.

Të gjeturat e raportit të OKB-së janë nxjerrë pjesërisht nga intervistat me ish të paraburgosur dhe të tjerë që kanë pasur njohuri mbi kushtet në tetë qendra internimi.

Raporti thekson se në qendrat e internimit janë kryer tortura dhe janë bërë trajtime të tjera mizore dhe çnjerëzore dhe se pretendimet për përdhunime dhe dhunë seksuale dukeshin të besueshme.

Raporti nuk e përmend gjenocidin, për çfarë disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e kanë akuzuar Kinën se ka kryer në Xinjiang.

Zyra e të drejtave të njeriut tha se nuk mund të konfirmonte vlerësimet se një milion ose më shumë njerëz ishin dërguar në kampet e internimit në Xinjiang, por shtoi se ishte “e arsyeshme të arrihet tek përfundimi se internime në masë të gjerë kanë ndodhur” të paktën mes viteve 2017 dhe 2019.

Pekini ka mbyllur shumë nga kampet, të cilat i quajti qendra të trajnimit dhe arsimit profesional, por qindra mijëra njerëz vazhdojnë të lëngojnë në burgje, shumë prej tyre me akuza të paqarta dhe që mbahen sekret.

Raporti i bën thirrje Kinës që të lirojë të gjithë individët e arrestuar në mënyrë arbitrare dhe të sqarojë vendndodhjen e atyre që janë zhdukur, familjet e të cilëve kërkojnë informacion.

Japonia, e cila kohët e fundit është bërë më e zëshme në kritikat e saj ndaj sjelljes së Kinës në Xinjiang, ishte një nga qeveritë e para të huaja që bëri komente për raportin.

“Japonia është shumë e shqetësuar për kushtet e të drejtave të njeriut në Xinjiang dhe ne besojmë se është e rëndësishme që vlerat universale si liria, të drejtat themelore të njeriut dhe sundimi i ligjit të garantohen gjithashtu në Kinë,” tha kryesekretari i kabinetit qeveritar, Hirokazu Matsuno.

Një deklaratë e Ministrisë së Jashtme gjermane e përshëndeti gjithashtu publikimin e raportit, duke thënë se ai konfirmon se ka arsye për “shqetësim të madh”.

Organizata “Human Rights Watch” tha se raporti krijon një bazë të qëndrueshme për veprime të mëtejshme të OKB-së për të siguruar përgjegjësi për abuzimet e kryera.

“Asnjëherë nuk ka qenë kaq e rëndësishme për sistemin e OKB-së që t’i kundërvihet Pekinit dhe të qëndrojë me viktimat,” tha John Fisher, zëvendësdrejtori i “Human Rights Watch”.

Publikimi i raportit ishte në disa mënyra po aq i rëndësishëm sa edhe përmbajtja e tij.

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet tha se ajo është përballur me presionin për të botuar dhe për të mos botuar raportin. Raporti u publikua vetëm pak minuta para përfundimit zyrtar të mandatit të saj.

Ajo kishte njoftuar në qershor se raporti do të publikohej deri në fund të mandatit të saj katërvjeçar më 31 gusht, duke shkaktuar një rritje të fushatave prapa dyerve të mbyllura, duke përfshirë letra nga shoqëria civile, civilët dhe qeveritë në të dyja anët e çështjes.

“Për të qenë plotësisht e sinqertë, politizimi i këtyre çështjeve serioze të të drejtave të njeriut nga disa shtete nuk ndihmoi,” tha Bachelet.

Kritikët kanë thënë se mos publikimi i raportit do të kishte qenë një pikë e zezë në mandatin e saj.

“Vonesa e pafalshme në publikimin e këtij raporti vendos një njollë” në historinë e zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, tha Agnès Callamard, sekretarja e përgjithshme e “Amnesty International”, “por kjo nuk duhet të tërheqë vëmëndjen nga rëndësia e tij”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button