Maqedonia e Veriut në vitin 2023 do të kryesojë OSBE-në: Osmani prezantoi prioritetet në Vjenë

Maqedonia e Veriut do të kryesojë OSBE-në në vitin e ardhshëm 2023, ndërsa shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, para ambasadorëve në Këshillin e përhershëm të organizatës në Vjenë, i prezantoi prioritetet e presidencës sonë, transmeton Portalb.mk.

Pashmangshmërisht, theksoi ai, vend qendror do të zënë agresioni rus kundër Ukrainës dhe roli i OSBE-së në reduktimin e pasojave të gjera të krizës.

Se deri ku do të realizohet korniza me prioritete, siç tha ai, do të varet pikërisht nga zhvillimi i situatës në Ukrainë, sepse ajo reflektohet drejtpërdrejt në marrëdhëniet në OSBE.

“Fatkeqësisht, ne jetojmë në një epokë turbulence. Situata në rajonin e OSBE-së është kritike. Prioritetet e kornizës përgatiten në korrelacion me tablonë aktuale politike dhe duhet të pasqyrojnë interesin e përgjithshëm të Organizatës në kohë krize. Në këtë mënyrë ne demonstrojmë vetëdije për sfidat reale, njohje dhe përshtatshmëri”, tha Osmani.

Si tema që imponohen në agjendën e OSBE-së, duke pasur parasysh konstelacionin kompleks gjeopolitik të marrëdhënieve, ai veçoi sigurinë energjetike, sigurinë ushqimore dhe të ujit.

“Nëse nuk i diskutojmë këto apo sfida të ngjashme, ekziston rreziku që ato të kthehen në burime të përhershme, shtesë konfliktesh”, tha ministri.

Prioritetet kornizë të OSBE-së, të sqaruara nga Ministria e Punëve të Jashtme, rrjedhin nga koncepti i sigurisë së përgjithshme të Organizatës.

“Ato u referohen njësive tematike që lidhen me korpusin tradicional të çështjeve që kanë depërtuar në agjendën e OSBE-së ndër vite: konfliktet e ngrira, parandalimi, menaxhimi dhe transformimi i tyre. Më tej, temat që kanë të bëjnë me ekonominë dhe mjedisin, digjitalizimin, ndryshimet klimatike, si dhe ato që dalin nga dimensioni njerëzor i OSBE-së, me qëllim promovimin më të madh të të drejtave dhe lirive të njeriut, qeverisjes së mirë, barazisë gjinore dhe politikave rinore”, shtojnë nga MPJ.

Maqedonia e Veriut do të marrë presidencën e OSBE-së nga Polonia, dhe sipas formatit të vendosur, këtë vit kryeson grupin mesdhetar të partnerëve të OSBE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button