RMV, prej sot fillon kursimi shtatëmujor i energjisë elektrike në amvisëri, institucione publike dhe komuna

Nga sot e deri më 31 mars të vitit të ardhshëm do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Ekonomisë ka përgatitur një plan, rekomandime, indikacione dhe detyra të cilat ndahen në disa kategori varësisht nëse janë amvisëri, kompani apo hapësira publike në pronësi të shtetit (ministritë, agjencitë, organet e administratës shtetërore, kompanitë shtetërore, komunat dhe qyteti i Shkupit).

Për amvisëritë dhe kompanitë janë dhënë vetëm rekomandime që duhet të respektohen për të kursyer energjinë elektrike, ndërsa për institucionet parashikohen detyrime specifike.

“Amvisëritë këshillohen që bojlerin, larësen e enëve dhe lavatriçen t’i përdorin me tarifë të ulët të energjisë elektrike, të përdorin ngrohëset në mënyrë të arsyeshme, të përdorin sa më shumë diellin për ndriçim, të gatuajnë në enë më të vogla, të përdoren llamba me efikasitet energjetike, në dimër temperatura e kondicionerëve nuk duhet të jetë më e lartë se 20 gradë”, janë vetëm disa nga masat që u rekomandohen amvisërive.

Rekomandimet për komunitetin e biznesit janë që të fikin ndriçimin dekorativ në fasadave, në objektet e prodhimit, salla dhe zyra, temperatura e kondicionerëve në sezonin e ngrohjes të mos jetë më e lartë se 20 gradë, të fiken të gjithë kompjuterët, të ndërrohen rregullisht filtrat e elementeve të ngrohjes, nëse kompania ka nevojë për ujë të ngrohtë sanitar, të instalohen kolektorë diellorë.

Për institucionet publike, megjithatë, Qeveria ka nxjerrë detyrime.

“Të gjithë udhëheqësit e institucioneve publike në nivel qendror duhet të marrin masat e duhura për uljen e konsumit të energjisë elektrike dhe ngrohjes për 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë 2021/2022. Për të mundësuar realizimin e kursimeve, është e nevojshme që të gjithë drejtuesit në institucionet publike të marrin të gjitha masat e nevojshme për organizimin e procesit të punës në kushte të përshtatshme duke zbatuar masat e detyrueshme, e që është përjashtimi i ndriçimit dekorativ të fasadave të të gjitha ndërtesave publike dhe monumentet kulturore, të mos përdoret ndriçimi në hapësirat e brendshme dhe zyrat e ndërtesave publike gjatë një periudhe kur ka dritë të mjaftueshme të ditës, temperatura e kondicionerëve në sezonin e ngrohjes nuk duhet të jetë më e lartë se 20 gradë, të zëvendësohen llambat e vjetra me llamba fluoreshente kompakte”, thuhet në detyrime.

Po ashtu, Qeveria ka obliguar të gjitha institucionet në nivel qendror që nga radhët e punonjësve të tyre të përcaktojnë personat të cilët do të kujdesen për uljen e konsumit të energjisë, në përputhje me rekomandimet e përmendura, duke aplikuar kontrolle të shpeshta gjatë orarit të punës, e veçanërisht pas përfundimit të orarit të punës me synim uljen e konsumit me 15 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

“Punonjësit në institucionet publike dhe ndërmarrjet shtetërore janë gjithashtu të detyruar që kur është e mundur të përdorin shkallët në vend të ashensorit, të kryejnë ajrosje të shkurtër dhe intensive të ambienteve, të fikin dritat kur lëshojnë hapësirën, të printojnë vetëm ato dokumente që janë të nevojshme dhe aq kopje sa të jetë e nevojshme dhe të fiken të gjithë kompjuterët pas përfundimit të punës”, janë pjesë e detyrave për të punësuarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button