Një fillimi i ri

Një shtatori është dita e fillimeve të reja. Kjo ditë është dita kur secili fëmijë apo i ri e kupton se ka një shansë të re për të filluar gjithçka nga fillimi, për të bërë më shumë, për të bërë më të mirën për veten dhe për të tjerët. Fillimi i vitit shkollor gjithmonë mban në vete entuziazmin e rinisë, besimin e plotë se pavarësisht të kaluarës, sërish me një shtator mund të fillosh nga e para, me energji të re dhe me më shumë vetëbesim. Ky entuziazëm i fillimivitit shkollor filllon të venitet pas disa javësh ose muajsh, për tu paraqitur sërish në vitin e ardhshëm. Njeriu ka gjithmonë nevojë të besojë në fillime të reja. Njeriu ka nevojë të ketë shpresë se ky vit do të jetë më i mirë se i kaluari.

Dhe tani, në këtë ditë të bukur shtatori, kur fëmijët u rikthehen shkollave, mësimeve, mësimdhënësve dhe shokëve e shoqeve të tyre me mallin e verës së kaluar dhe me shpresat dhe pritshmëritë e mëdha për vitin në vijim, paramendoni gjendjen shpirtërore të vajzës njëmbëdhjetëvjeçare që para disa ditësh u dhunua tmerrësisht nga plot pesë meshkuj dhe për orë të tëra. Mendoni pak për jetën e saj, për ëndrat e saj për pritshmëritë e saj dhe për shpresat e saj të fundosura në greminë pas një traume të tillë. Edhe kjo vajzë me siguri e ka pasur entuziazmin e njejtë që lidhet me fillimin e vitit shkollor, ëndrrat e ngjashme si bashkëmoshatarët e saj, e megjithatë, është përballur me një krim aq të neveritshëm sa që do ti duhet shumë kohë, punë dhe përkushtim për ta tejkaluar traumën që lidhet me të.

Ka krime nga më të ndryshmet, por një krim i tillë si ky i fundit që ngriti peshë gjithë opinionin publik është në rangun e atyre veprave makabre për të cilat thjesht asnjë dënim nuk është i mjaftueshëm. Në çdo krim ka gjithmonë dy anë që duhet të dëgjohen, duhen marë parasysh deklaratat e të dy palëve, duhen shikuar motivet dhe arsyet pse dikush ka kryer një vepër të tillë dhe çfarë ka dashur të arrijë me atë veprim. Por ajo që i ndodhi vajzës njëmbëdhjetëvjeçare nuk lë hapësirë për asnjë nga këto pyetje që parashtrohen, sepse nuk eksiston mënyrë se si mund të arsyetohet e as të sqarohet ky veprim që nuk mund të quhet as kafshëror, por monstruoz e me pasoja të përjetshme. Mundohem ta paramendoj procesin gjyqësor që do të zhvillohet lidhur me këtë krim dhe pozitën e palëve të kundërta në atë proces. Cilat do të jenë argumentet e të akuzuarve? Në çfarë mënyre do të mundohen ta arsyetojnë aktin e tyre makabër? Si do ta sqarojnë veprimin e tyre që thjesht nuk ka sqarim? Çfarë dënimi do të jepet për një krim të tillë dhe a do të jetë i mjaftueshëm për të parandaluar rastet tjera të tilla të cilat me sa duket sa vinë e shtohen në shoqëritë tona?

Në këtë ditë të bukur për fëmijët që kërkojnë një fillim të ri, le të mundohemi t’u ofrojmë atyre jo vetëm fletore, libra e çanta të reja për në shkollë. Le të bisedojmë pak më gjerësisht me ta, le t’u ndihmojmë të bëhen krijesa të cilvilizuara që e respektojnë njëri tjetrin e jo monstra që e shkatërrojnë njëri tjetrin në çdo aspekt. Në këtë fillim të vitit shkollor le të bisedojmë pak me djemtë tanë dhe t’u tregojmë se vajzat duhen trajtuar me respekt dhe se të shuash “jo” do të thotë “jo”. Le t’u mësojmë fëmijëve tanë rëndësinë e respektit ndaj çdo qenieje njerëzore, dhe le tua bëjmë të qartë që sjellje të caktuara janë krime të rënda dhe të papranueshme për njerëzimin. Le të bëjmë më shumë që fëmijët tanë të zhvillohen jo vetëm materialisht por edhe shpirtërisht si qenie sociale që kanë empati, mirkëuptim dhe respekt për njëri tjetrin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button