Zë për klithmën e heshtur

Kosova ka parë padrejtësi, shtypje, diskriminim, luftëra… dhe të gjitha këto i kanë buruar nga armiqtë. Ka parë edhe dukuri të këqija vendore, si puna e gjakmarrjes, që ka marrë shumë jetë. Ka parë edhe korrupsion, nepotizëm, hajni, kriza ekonomike e energjetike dhe marifete të ngjashme. Të gjitha i ka përpirë disi, duke pritur se me kalimin e kohës do të marrin fund ose duke e pritur një dorë me shkop magjik që do të rregullojë gjithçka.

Krahas këtyre, përdhunimi i një vajze të mitur, vetëm njëmbëdhjetë vjeçe, nga pesë persona, është akt kulmor i mospajtimit me kahun që po merr shoqëria (edhe po të ishte më e pjekur në moshë viktima, prapë do të duhej ngritur në këmbë populli). Gjersa ende lëngohet nga pasojat që kanë shkaktuar përdhunimet e femrave shqiptare gjatë luftës 1998-1999, ngjarja e këtyre pisllëqeve edhe ditëve të sotme, nga ana bashkëqytetarëve me të cilën ndahet një mjedis e një identitet shtetëror, s’ka si të mos merret për tragjedi.

Një analogji

Pasi kishte ndodhur masakra gjenocidale në Srebrenicë, lideri i atëhershëm boshnjak, Alija Izetbegoviq, kishte thënë që secili njeri është fajtor që ekziston një botë ku është e mundur “Srebrenica”. Në analogji me këtë pohim, mund të konstatohet se secili qytetar kosovar është fajtor që ekziston një mjedis publik ku është i mundur përdhunimi i një femre. Natyrisht, në këtë rast kemi të bëjmë me faj në aspektin moral dhe jo në atë penal, ngaqë faji penal rëndon mbi përdhunuesit e përveçëm.

Përgjegjësia shoqërore e shtetërore

Le ta përdorim termin “përgjegjësi” në vend të “fajit”. Fillimisht, prindërit nuk lirohen nga përgjegjësia e tyre vetëm me sjelljen në këtë botë të një fëmije dhe plotësimin e nevojave fiziologjike të fëmijës. Edukimi i tyre me moral të mirë, përfshirë respektin ndaj më të vjetrit dhe mirësjelljen e veçantë me gjininë tjetër duhet të jetë konstant. Pra, prindërit nuk duhet të përllogarisin se me dërgimin e fëmijëve në shkollë, barra e edukimit i bartet në tërësi sistemit arsimor.

Në anën tjetër, shkolla si institucion nuk duhet të vetëmjaftohet me ofrimin e leksioneve të lëndëve standarde sipas kurikulës. Edukimi moral dhe social duhet të intensifikohet tutje. Mësimdhënësit duhet të shqyejnë petkun e punonjësit në sektorin e arsimit dhe të bëhen prindër të dytë për nxënësit. Ata duhet të kenë kurajën të diskutojnë çështje nga më të ndryshmet që e preokupojnë rininë. Tekembramja, mbajtja e ditarit është përgjegjësi më vete.

Në raste të rënda si kjo e përdhunimit të vajzës së mitur në Prishtinë, opinioni publik di të reagojë vrullshëm, shpesh me eufori dhe me gjaknxehtësi si rrjedhojë e krupës së shkaktuar. Kjo edhe është e pritshme. Ndërkaq shteti, duhet të reagojë me maturi, me siguri dhe me drejtësi. Çfarë duhet bërë konkretisht?

Para së gjithash, komunat duhet të vendosin kamera në rrugët, sheshet dhe parqet kryesore të qyteteve. Ndonëse mund të dëgjohen mendime kundërshtuese me pretekstin se kjo mund të cenojë privatësinë e qytetarëve, ky pretendim nuk qëndron për dy arsye themelore: së pari, një praktikë e tillë aplikohet edhe në vendet më demokratike se Kosova, po për shkaqe sigurie dhe, së dyti, kamerat vendosen në vende publike dhe jo në mjedise private të njerëzve.

Dinamika e sotme jetësore e ka bërë të varur njeriun me teknologjinë. Kthetrave të kësaj të fundit më së paku mund t’i shpëtojë rinia. Edhe pse pikërisht teknologjia sjell avancim në shumë fusha, ajo di të kthehet në një mjet të rrezikshëm. Në këtë kontekst, një nga detyrat e shtetit duhet të jetë edhe ndërhyrja në kufizimin e qasjes në faqet pornografike. Të rinjtë që kalojnë në fazat e pubertetit mund të tregojnë prirje për veprime të tilla, duke e pasur të vështirë t’i kontrollojnë sjelljet. Aq më tepër nëse mungon edhe edukimi familjar dhe shkollor, një person ndodh të paraqitet më tepër me instinkte kafshërore sesa njerëzore. Domethënë, arsyeja, ndërgjegjja dhe vullneti i lirë i nënshtrohen një nevoje fiziologjike, pa vrarë mendjen nëse ai akt e dëmton a e shkatërron jetën e dikujt tjetër. Shi për këtë edhe ekzistojnë dënimet.

Pritmëria për ndëshkim

Ndëshkimi i kriminelëve, përfshirë edhe përdhunuesit seksualë, parashihet me legjislacionin penal të secilit shtet. Zakonisht, në vendet ku është i ndaluar dënimi me vdekje, si Kosova, sanksionohet burgimi me shumë vite. Studiuesit e të drejtës penale, kur analizojnë llojet dhe lartësinë e sanksioneve, marrin parasysh edhe rrethanat e kryerjes së një krimi. Kështu, ekzistojnë rrethanat rënduese ose lehtësuese të dënimit. Tani, opinioni publik pret nga sistemi i drejtësisë performancë të lartë dhe dënim meritor për përdhunuesit.

Së këndejmi, nuk duhet harruar se krimi është individual. Ai nuk mund t’i atribuohet askujt përpos kryerësit. Ashtu sikurse nuk na dhimbset një viktimë vetëm për shkak të identitetit të saj racor, etnik, fetar, ideologjik a gjinor, por thjesht për shkak që është njeri; po kështu edhe kryerësit e krimit nuk duhet t’i gjykojmë e t’i trajtojmë përveçse me drejtësi, pavarësisht identitetit familjar e personal që mund ta kenë.

Vox populi

Një ditë pas aktit makabër që tronditi çdokënd, në Prishtinë u organizua një protestë. Kjo ishte ndër organizimet më të qëlluara dhe më shpresëdhënëse që ka ndodhur viteve të fundit. Të gjitha shtresat e shoqërisë, pa dallim etnik, fetar, ideologjik a gjinor, vërshuan sheshet e kryeqytetit për të dënuar këtë dukuri. Ndonëse u panë thirrje e mesazhe nga pikëpamje të llojllojshme, ky marshim është një kushtrim shoqëror që ngre zërin kundër cenimit të dinjitetit dhe integritetit të njeriut. Ky zë qytetar sa është vetëkritik, është kritikë për institucionet dhe thirrje për këndellje shoqërore. Ky zë qytetar kumbon në vend të klithmës së heshtur të viktimave të dhunës.

Kriminelët duhen dënuar dhe rininë duhet mbrojtur! Paçka kemi një kushtetutë që nuk e përmend askund rininë dhe, aq më pak, mbrojtjen shtetërore të saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button