ANALIZË: Çdo firmë e tretë e posaformuar – nën çelës!

Pa shumë investime, pa biznes plan dhe pa rrezik, sektor më atraktiv për hapje të firmës së re është tregtia. Atje më së shumti formohen firma të reja, por edhe më shpejtë shuhen. Sipas matjeve më të reja statistikore përqindja “e vdekshmërisë” së firmave është 35,7% ose 64,3% e firmave që janë formuar në vitin 2011 kanë arritur ta mbijetojnë edhe vitin e ardhshëm 2012. Sipas madhësisë së firmave, Maqedonia mbështetet mu te bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat, sipas njohësve do të jenë të parat që do të goditen nga Ligji për diciplinë financiare, i cili hyri në fuqë para një muaji. Madje 91,2% e firmave kanë deri në 10 të punësuar, por u japin rrogë vetëm 33,7% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend. Vetëm 0,2% e kompanive janë në grupin e “të mëdhave” ku janë angazhuar 23,3% e të punësuarve.
Përqindja e vdekshmërisë është 35,7% – ku të kërkohet zgjidhja?
Mbi një e treta e firmave të posaformuara nuk kanë arritur të mbijetojnë. Menjëherë pas vitit të parë nga formimi i tyre, firmat e reja – janë shuar. Sipas matjeve më të reja statistikore, përqindja e “vdekshmërisë” te firmat është 35,7 për qind, gjegjësisht 64,3 për qind e firmave që janë formuar në vitin 2011 kanë arritur ta mbijetojnë vitin e ardhshëm 2012.
Аnaliza e të dhënave tregon se numri më i madh i firmave të reja janë në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë. Sipas ekspertëve, trendi i këtillë është i pritur duke pasur parasysh se bëhet fjalë për biznes që nuk nënkupton investime më serioze dhe afatgjata.
“Tregtia është sektor në të cilin më së lehti mund të hapet biznes, në mënyrën më të lehtë, pa pasur nevojë për shumë dije dhe kapital serioz. Në të njëjtën kohë në këtë sektor, investimet nuk nënkuptojnë mjete serioze që mund ta largojnë firmën nga pika kritike” – thotë konsultanti Sinisha Pekevski.
Statistika tregon se më së shumti firma formohen në tregti, por edhe më së shumti shuhen.
“Në vitin 2012, numri i i ndërmarrjeve të sapoformuara në Republikën e Maqedonisë është 8.329, prej të cilave numri më i madh i ndërmarrjeve të sapoformuara ose 2198 janë në sektorin “Tregti me shumicë dhe tregti me pakicë; ndreqja e veturave dhe motocikleve ” – theksojnë nga Enti për statistikë.
Pas tregtisë, më së shumti firma janë hapur në veprimtaritë administrative dhe ato shërbyese, objektet për fjetje dhe industria për përpunimin e ushqimit.
Përqindja më e madhe e mbijetimit është te firmat e veprimtarisë shëndetësore dhe shërbimet financiare, por në këto sektore ka edhe përqindje më të ulët të firmave të sapoformuara.
Ajo që alarmon sipas ekonomistëve dhe biznesmenëve është e dhëna se ngadalë zvogëlohet përqindja e vdekshmërisë te firmat e sapoformuara. Ja se në cilët sektorë, çfarë përqindje e firmave nuk kanë arritur të mbijetojnë pas vitit të parë të formimit të tyre:

Tregti                                                                         30,5%
Veprimtaritë administrative                    17,2%
Veprimtaritë shërbyese                                15,7%
Industria e përpunimit të ushqimit    8,4%

Pse mbi një e treta e firmave të sapoformuara nuk arrijnë të mbijetojnë? Sipas ekonomistëve dy gjëra janë me rëndësi, të cilat praktikisht paraqesin edhe zgjidhje të problemit. E para, qasja deri te financat, gjegjësisht te linjat e favorshme të kredive, që duhet të paraqesin mbështetje për firmën e re në një periudhë prej disa vitesh, dhe e dyta, posedimi i planit të qartë të biznesit për zhvillimin e firmës.
“Zgjidhja duhet të shihet edhe në edukimin më të madh të biznesmenëve. Jemi dëshmitarë se akoma pjesa më e madhe, gjegjësisht përqindja më e madhe e firmave nuk kanë plan biznesi. Mu ai plan i biznesit nuk është vetëm një copë letre, por ai paraqet bazë për të gjitha planet financiare, kontabiliste dhe zhvillimore të firmës. Gjëja e dytë e rëndësishme është qasja deri te kapitali i freskët, gjegjësisht paratë. Mendoj se këtu bankat duhet ta zbusin qëndrimin e tyre dhe duhet të jenë më fleksibile në miratimin e kredive ” – thotë Pekevski.
Sipas ekonomistëve, presion plotësues mbi klimën e përgjithshme të biznesit tani pritet si pasojë e Ligjit për diciplinë financiare, i cili sipas njohësve do të jetë “thikë me dy tehe”. Një pjesë e afaristëve që i konsultoi “Portalb”-i konsiderojnë se më së tepërmi do të goditen pikërisht bizneset e vogla.
“Saktë një muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, edhe pse akoma priten efektet konkrete, mund të them se ai do të shkaktojë bankro për firma të caktuara. Kontestues është ajo se pse ka afate për pagesën e borxheve edhe në ato raste kur firmat janë mbuluara me marrëveshje të ndërsjellë ose me garancë bankare. Një firmë e cila tani më ka borxh do të duhet ta paguajë atë në afat të caktuar, e unë për shembull dua të jem fleksibil ndaj asaj firme, kam kontratë dhe bashkëpunoj me vite. Për mua me rëndësi është ai borxh të paguhet kurdo që të jetë, e jo firma që më ka borxh, për shkak të moslikuiditetit të falimentojë, e me këtë edhe borxhi im ” – sqaron për “Portalb”-in një biznesmen nga sektori i informatikës.
E pikërisht Ligji për diciplinë financiare, i cili u përshëndet nga biznesmenët, duheshte ta përmirësojë gjendjen e përgjithshme me likuiditetin në sektorin privat.
“Qëllimi përfundimtar i Ligjit për diciplinë financiare është që t’i udhëzojë firmat seriozisht të kenë kujdes kur do të marrin borxh, gjegjësisht kur do të krijojnë obligime në afate të cilat nuk do të respektohen. Kur flasim për sektorin privat, këtu rrethi është i mbyllur, por ajo që është çështje e hapur është përjashtimi i shtetit nga kjo zgjidhje ligjore, e shteti, kushtimisht thënë, është partneri më i madh i biznesit në sektorin privat.” – konsideron Pekevski.
Afaristët nga odat ekonomike paralajmëruan se të gjitha vërejtjes së shpejti do t’i dërgojnë në adresë të qeverisë, ndërsa ministri për financa deklaroi se do të priten disa muaj para se të ndërmerren hapa për korrigjimin eventual të zgjidhje aktuale ligjore.
Maqedonia edhe më tje, sipas madhësisë së firmave, konsiderohet si ekonomi në të cilën dominojnë bizneset e vogla dhe të mesme. Madeje 91,2% për qind e firmave kanë deri në 10 të punësuar, por u japin rrogë vetëm 33,7% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend. Vetëm 0,2% e kompanive janë në grupin e “të mëdhave” ku janë angazhuar 23,3% e të punësuarve.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button