“Serova” tërë natën “zgjuar” nga vërshimet: Le që s’vijnë të na ndihmojnë, por as telefonin s’e hapin (FOTO&VIDEO)

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë pasdites së djeshme kanë përmbytur “Serovën”, lagjen e Komunës së Çairit, e cila ndodhet vetëm 2.5 kilometra larg qendrës së Shkupit. Ekipi i Portalb.mk, vizitoi disa prej shtëpive të cilat kanë pësuar nga vërshimet. Banorët gjatë tërë natës, por edhe gjatë ditës së sotme kanë pastruar, pasi që bodrumet, por edhe dhomat tjera janë mbushur me ujë. Ata kërkojnë që autoritetet komunale apo qendrore t’i ndihmojnë pasi që dëmet janë serioze, por deri më tani askush s’u ka trokitur në derë, madje as u janë përgjigjur thirrjeve të tyre.

“Tërë natën kemi pastruar dhe jemi mundur të shpëtojmë çfarëdo që është e mundur, por ende s’mundemi të vijmë në vete. Dëmet ashtu siç mund t’i shihni janë të mëdha”, kështu për Portalb.mk thotë një banor i lagjes “Pero Toshev”, shtëpia e të cilit është vërshuar nga reshjet e djeshme.

Pamjet të cilat mund t’i shini edhe në fotografitë dhe videot të cilët i siguruam nga disa shtëpi në disa lagje të Serovës janë dramatike.

This slideshow requires JavaScript.

Kryetari i Komunës, Visar Ganiu, mbrëmë në ora 21:20, nëpërmjet një statusi në Facebook informoi se punëtorët po punojnë në terren për sanimin e dëmeve ngado që paraqiten.

Qytetarët janë të revoltuar me autoritetet komunale pasi që sipas tyre, askush s’ka shkuar që t’i vizitojë pas vërshimeve të djeshme.

“Ju lus si vëlla që të vijnë e të na shohin se jemi në hall të madh”, thotë një qytetar, i cili jeton në rrugën “7 Korriku”.

“Jo që të vijnë vetë të na pyesin, por nuk na e hapin as telefonin. Kur duhet për vota vijnë të gjithë, sot kur jemi në hall askush s’vjen”, thotë një banor tjetër.

Problemet infrastrukturore të Serovës janë ndër vite problem për qytetarët që jetojnë këtu. Kjo nuk është hera e parë që qytetarëve u mbushen shtëpitë me ujë, por sipas tyre vërshimet e djeshme ishin si asnjëherë më parë.

“Kemi pasur probleme çdo herë, por si dje s’kam pa asnjëherë. Nuk ka shtëpi që nuk ka problem”, thotë një banore e lagjes.

Punimet që po zhvillohen në disa lagje të Serovës, gjithashtu e kanë rënduar situatën, duke e pasur parasysh se disa prej banorëve ankohen se disa prej pusetave kanë qenë të mbyllura.

“Dy vjet punohet kjo rrugë dhe ja si e shihni është në gjendje të tmerrshme”, tha për Portalb.mk një banor i lagjes”, thotë një banor i rrugës “Pere Toshev”, e cila është një ndër arteriet kryesore të kësaj lagje.

Po kësaj, edhe punime kanë filluar edhe në rrugë dytësore, të cilat gjithashtu nuk kanë mbaruar. Moskryerja e punimeve ka bërë që tamponi dhe gjësendet tjera ta zënë rrjetin e kanalizimit.

Ndryshe, drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza (QMK) Stojançe Angelov, mbrëmë informoi, për pasojat e stuhisë së madhe që goditi Shkupin. Në periudhën prej orës 16:00 deri në ora 19:30 janë pranuar rreth 450 thirrje në numrin 112. Ka më shumë se 30 drunj të rrëzuar dhe disa shtylla, përkatësisht një pemë ka rënë mbi një veturë në Butel, me ç’rast janë lënduar dy persona. Njëri me lëndim në kokë, ndërsa tjetri me lëndim në krah dhe këmbë. Nuk kemi informacion zyrtar se sa të rënda janë lëndimet, personat komunikonin, por në pamje të parë nuk është diçka më e rëndë.

Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska mbrëmë tha se pas një analize të plotë të situatës, shtabi i krizës do të shpallë zgjidhjen e këtyre problemeve, por do të kërkohet edhe përgjegjësi për infrastrukturën joadekuate atmosferike, veçanërisht në bulevardet e qytetit të sapo rikonstruktuar ku u shkaktuan dëmet më të mëdha.

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) edhe për sot ka paralajmëruar mot jostabil në kryeqytet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button