Rrjeti i kanalizimeve, fajtor kryesor për përmbytjet nga reshjet e shiut në Tetovë

Defektet në kanalizimin fekal dhe atë atmosferik, vjetërsia e tyre, mosmirëmbajtja, mospastrimi konstant dhe hedhja e mbeturinave në to nga ana e qytetarëve janë disa nga arsyet kryesore që kur ka reshje në Tetovë, ujërat të dalin nga to. Qytetarët, por edhe ekspertët alarmojnë që autoritet të gjejnë zgjidhje të menjëhershme. Komuna ka përzgjedhur kompaninë për mirëmbajtjen e të njëjtave, por pritet vetëm të nënshkruhet kontrata dhe të fillohet me intervenim në terren, shkruan Portalb.mk.

Vetëm në dy muajt e fundit Tetova dy herë u vërshua nga reshjet e dendura të shiut, ku si pasojë shiu shkaktoi dëme të mëdha nëpër shtëpitë e qytetarëve dhe jo vetëm.

Dëme të mëdha nga vërshimet dhe uji u fut edhe në shtëpinë e Arbenitës e cila jeton në lagjen Drenovec. Siç thotë ajo për Portalb.mk, çdo herë që moti është me shi, banorët e kësaj lagjeje dhe rrethina janë në ankth, pasi kërcënimi nga vërshimet është real. Kërkojnë nga autoritetet komunale të mirëmbajnë kanalizimet.

“Nga autoritetet kompetente kërkojmë të mirëmbahen kanalet e ujërave atmosferik dhe të kanalizimit të paktën një herë në muaj të pastrohen. Rrjeti i kanalizimit në këtë lagje në kohën e ndërtimit të saj ka qenë me plotë lëshime duke u nisur nga gypat. Shpresoj që autoritetet komunale do të gjejnë një zgjidhje afatgjate për këtë problematikë”, tha Arbenita Meta.

This slideshow requires JavaScript.

 

Bllokimi i rrugëve nga ujërat e shiut dhe dalja e kanalizimeve mbi sipërfaqe sipas profesorit të komunikacionit rrugor, Blerim Neimit është produkt i mosmirëmbajtjes së skajoreve dhe kullueseve që gjenden në rrugë, si dhe në disa pjesë rruga nuk ka pjerrtësinë e duhur.

“Sa u përket kanalizimeve, ato duhet së paku dy herë në vit të pastrohen apo të kontrollohen që të jenë në gjendje për rrjedhjen e ujërave nga shiu. Sidomos, në Tetovë janë prezentë pi të njëjtat pika qarkulluese që gjithnjë këto kanalizime bllokohen ose nga mbeturinat ose nuk plotësohen kushtet për rrjedhjen e ujërave, ka nevojë për gjerësi më të madhe të gypave. Në disa vende arsye janë objektet, gardhe që japin kahje ujërave dhe vjen deri te grumbullimi i tyre”, tha Neimi.

“Duhet zgjidhje sociale dhe teknike”

Për t’u zgjidhur ky problem duhet të bëhet gjithçka, kështu thotë inxhinieri i ndërtimtarisë me të cilin bisedoi Portalb.mk për alternativat dhe zgjidhjet e mundshme për këtë problem.

Sipas tij, problemi kryesor është rrjeti i kanalizimeve fekale dhe atmosferike të vjetruara dhe mosmirëmbajtja si duhet.

Ai thotë se ky problem kërkon zgjidhje në shkallë më të gjerë, si sociale– vetëdija e popullatës po ashtu edhe teknike, pasi në këtë drejtim gjithçka është e realizueshme kurse në të parën jo edhe aq lehtë.

“Pikë së pari është vetëdijesimi i popullatës, mos të uzurpohen kanalet vaditëse, trotuaret, pjesët e gjelbra të cilat janë si një thithës i uji. Pastrimi dhe mirëmbajtja e kanaleve atmosferike ekzistuese, edhe ata duhet të mirëmbahen. Të sanohen ato të dëmtuarat. Kanalet e hapura duhet të mirëmbahen. Aspekti tjetër, qytetarët të mos bëjnë kyçjen e ujërave atmosferik në ato fekal, njerëzit bëjnë kyçje në kanalizimin fekal të ujërave atmosferik të kulmit, apo oborrit dhe vjen te përzierja e ujërave. Nuk ka kapacitet thithës ai fekal të pranojë ujërat atmosferik. Institucionet duhet të bëjnë punën e tyre, të bëjnë pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanalizimeve fekale dhe atmosferike ekzistuese. Shumica e kanalizimeve atmosferike, kur i hapim kur na bie puna të punojmë diçka e shohim se janë të papastruara, me mbeturina, truall dhe gjithçka”, tha mes tjerash inxhinieri i ndërtimtarisë.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Lidhur me masat preventive të ndërmarra për mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimeve të ujërave atmosferik dhe fekal, nga Komuna e Tetovës thonë se kanë bërë intervenim në planin e veprimit, duke e plotësuar prokurimin publik për mirëmbajtjen dhe pastrimin e  kanalizimeve e të pusetave.

“Procedura e prokurimit publik ka përfunduar dhe tani pritet vetëm të nënshkruhet kontrata me kompaninë fituese dhe menjëherë të fillohet me intervenimet në teren”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Lidhur me mirëmbajtjen dhe pastrimin e  kanalizimeve dhe pusetave, nga Komuna e Tetovës thonë se është bërë disa herë pastrimi dhe zhbllokimi i kanalizimit atmosferik në rr.172 para vërshimeve, natën e vërshimeve dhe ditët në vijim është intervenuar në disa pika kyçe nëpër  qytet, në hyrje të fshatit Rasadisht është bërë zhbllokimi i gypit atmosfetik. Gjithashtu thonë se kanë paraparë që të fillojnë edhe me pastrimin e pusetave nëpër qytet.

Investimet joadekuate në kanalizimet atmosferike dhe fekale edhe sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit ishin një nga arsyet kryesore për dëmet e shkaktuara te qytetarët nga vërshimet e fundit në Tetovë.

Për këtë, ai premtoi se në të ardhmen do të punojnë në vazhdimësi që kanalizimet të pastrohen dhe mos të shkaktojnë dëme te qytetarët, ku Kasami me 3 qershor konkretisht tha se do angazhojnë komapni private që në të ardhmen të të jenë sa më të përgatitur që mos të ketë pasoja të mëdha.

Nga Komuna, pak ditë më vonë (16 qershor) për Portalb.mk thanë se kanë bërë intervenim në planin e veprimit, duke e plotësuar prokurimin publik për mirëmbajtjen dhe pastrimin e kanalizimeve e të pusetave dhe i njëjti pritej të shpallej.

Por, reshjet e 22 gushtit demantuan këtë, pasi shiu i rrëmbyeshëm shkaktoi dëme të mëdha te banorët dhe bllokoi përsëri disa rrugë, thënë shkurt problemet e njëjta.

Qendra e Tetovës, vetura e mbetur në ujë
Qendra e Tetovës, vetura e mbetur në ujë

Sipas ueb-faqes për prokurime publike, Komuna e Tetovës me 12 gusht ka përzgjedhur kompaninë Higjiena Pro Grup Tooel eksport-import për pastrimin e pusetave, mirëpo detajet konkrete ende nuk janë publikuar, pritet të bëhet ditëve në vijim.

Ajo që thuhet në përshkrim është se përmes kësaj parashihet të bëhet: Pastrimi manual i pusetave nga materiali i depozituar, dheu, rëra, etj. Pastrimi manual i gypave të bllokuar nga materiali i depozituar, dheu, rëra, etj, nga kullimi atmosferik në pusetat atmosferike dhe vënia në punë e funksionit të linjës atmosferike. Pastrimi mekanik i tubit të bllokuar nga materiali i depozituar, dheu, rëra etj, nga puseta në puset dhe vënia në funksionim në linjës atmosferike.

Nga ana tjetër, NPK-ja vazhdimisht përpiqet të punojë në këtë drejtim, mirëpo mjetet që ka nuk janë të përshtatshme për këtë, andaj edhe ka vonesa.

Vërshimet e fundit në Tetovë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytet, në fshatin Xhermë, Reçicë e Vogël, Poroj si dhe në fshatrat e malësisë së Tetovës. Sipas informacioneve, ka dhjetëra qytetarë të cilëve uji ua ka dëmtuar shtëpitë e tyre.

Qeveria Maqedonisë edhe pse pati kërkesë nga Shtabi i Krizës në Komunën e Tetovës që të dalë në ndihmë për dëmet e shkaktuara te banorët, të njëjtën nuk e kanë pranuar, dhe nuk tregojnë se pse nuk kanë dalë në ndihmë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button