RMV, prej nesër sanksione për udhëheqësit e institucioneve shtetërore që nuk do të harxhojnë 15 përqind më pak rrymë se vitin e kaluar

Nga nesër, institucionet shtetërore duhet të harxhojnë 15 përqind më pak energji elektrike në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa për drejtuesit e institucioneve do të ketë sanksione nëse kjo masë kursimi nuk zbatohet, sipas masave të shpallura më 16 gusht nga ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, transmeton Portalb.mk.

Këto masa do të vlejnë deri më 31 mars të vitit të ardhshëm dhe parashikohet të fiket ndriçimi dekorativ në fasadat e ndërtesave publike dhe monumenteve kulturore, të fiken llambat kur të ketë dritë të mjaftueshme, në sezonin e ftohjes, kondicionerët të jenë jo më pak se 27 gradë dhe në sezonin e ngrohjes jo më shumë se 20 gradë, të fiken kompjuterët pas punës, të ndërrohen rregullisht filtrat e ngrohësve dhe kondicionerët dhe të printohen vetëm materialet e nevojshme.

“Para nesh është një nga dimrat më të vështirë në aspektin energjetik, jo vetëm për ne, por edhe për të gjitha vendet e rajonit, por edhe të Evropës. Masat ndahen në disa kategori, varësisht nëse janë për amvisëri, kompani apo objekte, institucione dhe ndërmarrje shtetërore. Objektivi është ulja e konsumit me 15 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Nëse ky synim nuk arrihet, sipas kodit të etikës dhe të gjitha dekreteve, do të pasojnë sanksione të caktuara për të gjithë drejtuesit e institucioneve”, tha Bekteshi.

Bekteshi tha se nuk do të ketë kufizime të energjisë elektrike dhe as nuk priten, përveç rastit të ndonjë avarie. Krahas detyrave për institucionet shtetërore, Qeveria rekomandoi që amvisëritë dhe bizneset private të kursejnë energjinë elektrike, për të ulur presionin ndaj EMV-së.

Bekteshi, para pak kohësh deklaroi se janë duke biseduar me ministritë e Energjetikës të Serbisë dhe Bullgarisë që të mos ndalen kapacitetet ndërkufitare dhe të mos ketë probleme me furnizimin e konsumatorëve në tregun e lirë.

Në pritje të dimrit që po vjen, i cili vlerësohet të jetë më i vështiri në 70 vitet e fundit, Qeveria më 16 gusht miratoi një paketë masash për kursimin e energjisë elektrike, e cila duhet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Me to, institucionet shtetërore kanë detyra specifike që duhet t’i respektojnë, si fikja e ndriçimit dekorativ në fasadat e ndërtesave publike dhe monumenteve kulturore, mospërdorimi i llambave kur ka dritë të mjaftueshme, vendosja e kondicionerëve në temperaturë jo më të ulët se 27 gradë në sezonin ftohjes dhe jo më të lartë se 20 gradë në sezonin e ngrohjes, të zëvendësohen llambat e vjetra me të tilla ekonomike dhe të fiken kompjuterët pas përfundimit të punës.

Paketa e masave të kursimit përfshin edhe rekomandime për qytetarët dhe kompanitë. Me paketën e masave të kursimit pritet që kursimet të jenë deri në 15 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button