Rusia ndaloi gazin përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1

Rusia ka ndalur furnizimet me gaz për në Evropë më 31 gusht, derisa janë rritur shqetësimet se Moska po zvogëlon dërgesat e gazit për t’iu bërë presion shteteve perëndimore, transmeton REL.

Dërgesat ranë në zero në gazsjellësin Rrjedha Veriore 1 – që sjell gaz për në Gjermani përmes Detit Baltik – sipas të dhënave nga pikat hyrëse që lidhin tubacionin me rrjetin gjerman të gazit.

Ndërprerja e furnizimeve me gaz është bërë për shkak të mirëmbajtjes që pritet të zgjasë deri në orët e para të 2 shtatorit.

Gjiganti i energjisë ruse, Gazprom, tha se është e “nevojshme” një punë treditore në kompresorin e gazsjellësit.

Por, shefi i Agjencisë federale të Rrjetit në Gjermani, Klaus Mueller, tha se vendimi është “teknikisht i pakuptueshëm”. Ai paralajmëroi se kjo ndalesë e gazit ka të ngjarë të jetë thjesht një pretekst nga Moska për të përdorur furnizimet me energji si kërcënim.

Ndërprerja e dërgesave të gazit ka rritur frikën se Rusia po ndalon furnizimet për t’iu bërë presion shteteve perëndimore dhe për të prishur unitetin e tyre ndaj sanksioneve të vendosura ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës. Por, Rusia hedh poshtë një akuzë të tillë.

Edhe në korrik, Rusia kishte ndaluar përkohësisht dërgesat e gazit natyror në Gjermani për shkak të disa punimeve të përvitshme në mirëmbajtje.

Ndërprerjet dhe zvogëlimi i dërgesave të gazit nga Rusia kanë rritur çmimet e gazit dhe kanë detyruar qeveritë evropiane që të përpiqen të sigurojnë furnizime alternative para stinës së dimrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button