Luiza dhe modelet e kohës sonë

Luiza Gega hyri e para në cak me sy të përlotur. Pastaj u përkujdes për atletet e dërmuara nga lodhja. Sepse atletet e dinë stërlodhjen pas garës ku investohet fuqi titanike. E dinë se deri te suksesi arrihet me mund pafund. “Sukseset” pa mund e pa dhimbje janë false, kalimtare dhe nuk kujtohen gjatë.

Si garues i dikurshëm në atletikë, ndonëse nëpër gara modeste, e di sa i vështirë është ky sport. Presioni para fillimit të garës është torturues. Frika nga dështimi t’i këput këmbët. Ushtrimet disamujore mund të shkojnë huq për disa minuta. Pastaj, sa nis gara, dalëngadalë, të rikthehet fuqia. Vrapon. Nuk mendon më për dështimin. Pas pak lodhja e vërtetë i jep shenjat e para. Bëhet gjithnjë më e shprehur. Këmbët rëndohen. Caku duket i largët. Shumë i largët për fuqinë që të ka mbetur. Atëherë një zë i brendshëm të thotë: “Mos u dorëzo!” Një forcë të tërheq çuditshëm. Është forca e këmbënguljes që triumfon mbi lodhjen dhe sjellë fitore spektakolare. Pa një karakter të fortë, vetëdisiplinë, këmbëngulje dhe mundim nuk preket suksesi…

Kështu ndodh, deri diku, me atletët për të cilët thurën vargje poetët më të mirë të lashtësisë…

E njëjta gjë ndodh në çdo profesion. Çdo sukses arrihet falë pasionit, disiplinës, mundimit, këmbënguljes.

Të gjitha këto cilësi nuk i mungojnë atletes Luiza Gega, e cila kur u mbështoll me flamurin kombëtar u ndje krenare për veten dhe për kombin që e përfaqëson. Por, rruga deri te triumfi i kësaj sportisteje të heshtur ka qenë më e vështirë se e kampioneve tjera. Ajo punoi me përkushtim, pa kushtet që i duhen atletes profesioniste. Ushtroi duke pasur një ëndërr. Ëndrrën e kampiones. Përkundër kushteve modeste ajo e kurorëzoi përpjekjen mbinjerëzore me medaljen e kampiones dhe me rekord europian…

Cila qe nxitja që i mundësoi atletes të ngjitej në Everestin e suksesit?

Ishte disfata që e nxiti. Se të fortëve, që kanë një qëllim, disfata u jep forcë, kurse të dobëtit bien në ligështim, “pajtohen me fatin”.

Në një kampionat europian, ku merrte pjesë për herë të parë, siç rrëfeu, e shënoi rezultatin më të dobët. U ndje e zhgënjyer dhe e turpëruar për përfaqësimin e keq që i bëri atdheut. U betua se ose do ta përfaqësonte ndryshe atdheun, ose do të hiqte dorë nga kampionatet e këtij kalibri. Dhe ia arriti qëllimit edhe pse Shqipëria nuk ofron kushte për atletë kalibri.

Të triumfosh në kësi rrethanash do të thotë të bësh akt heroine. Se heroinë është ajo që bën një hap përtej mundësive të saj. Dhe ajo e bëri këtë hap për veten, për vendin e saj. Dha shembullin se për të arritur suksese ndërkombëtare nuk të ndihmojnë politikanët, klanet, por bindja e patundur dhe puna me pasion e përkushtim. Rrugëtimit të sportistes zemërmadhe si Luiza i shkon mendimi i kampionit të shumëfishtë në distanca të gjata, çekut Emil Zatopekut: “Një sportist nuk mund të vrapojë me para në xhepa. Ai duhet të vrapojë me shpresën në zemër dhe ëndrrat në kokën e tij.”

Kampionët bëhen edhe protagonistë dokumentaresh dhe filmash, sepse, me këmbënguljen e tyre, me ngritjet pas dështimeve dhe vështirësive, bëhen frymëzim për miliona njerëz. Por, në shoqëritë e spektakleve nuk ka hapësirë mediale për njerëzit që historia ua shënon emrat në pllakat e përjetshme. Shfaqen protagonistet e panoptikumeve dhe lartësohen sikur kanë bërë diçka të jashtëzakonshme.

Jetojmë në kohën e industrisë së argëtimit që masave u ofron kënaqësi, narcizëm e skrofili. Modele për fëmijët dhe të rinjtë janë bërë gangsterët, në vend se të ishin ata që të pamundshmen e bëjnë të mundshme, siç e bëri edhe Luiza Gega. Ndërkaq, e pamundshmja e kthyer në të mundshme e bën madhështore edhe një vepër artistike…

Ndryshe nga Luiza Gega, që i dha shumë atdheut, ka të tjerë që jo vetëm nuk i dhanë asgjë atdheut, por morën gjithçka prej tij. Janë ata që bëjnë kinse i gëzohen suksesit të luizave, por, po të kishin mundësi, do t’ua merrnin edhe meritat. Kjo është e pamundur, sepse meritat mbrohen nga djersa e derdhur, nga mundimet e shumta, nga dhimbjet dhe ëndrrat për të qenë ndryshe, për të shkuar më tej, më lart, drejt Olimpit të suksesit. Aty ku hapen dyert e historisë së sportit. Atij dimensioni kurrë nuk i afrohen protagonistët e banalitetit që i kanë pushtuar ekranet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button