fbpx

Mihael Roth në Shkup: Shpresoj të ketë kushte për ndryshime kushtetuese në parlament që të përshpejtohen negociatat

Deputeti gjerman dhe presidenti i Komisionit për Politikë të Jashtme në Bundestag tha sot nga Shkupi se shpreson që në parlament të krijohen kushte për ndryshime kushtetuese me qëllim të përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë në mënyrë që ritmi i negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në të përshpejtohet, njofton Portalb.mk..

“Shpresoj se do të krijohen parakushtet për ndryshimet kushtetuese që të ketë ritëm dhe përshpejtim të negociatave të anëtarësimit sepse është shumë e nevojshme. Askush nuk mund të presë që në një apo dy vjet gjendja të jetë më e mirë. Për këtë çështje, vendi tashmë ka bërë shumë me negociatat, ndaj ka mbetur edhe pak”, tha Roth në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve se çfarë pret nga opozita, e cila për momentin refuzon të mbështesë ndryshimet kushtetuese.

Deputeti gjerman, i cili është edhe ish-ministër për Evropën, tha se këto janë kohë të vështira dhe në vend mund të ndihet zhgënjim me BE-në dhe për këtë arsye është detyrë e politikanëve evropianë dhe gjermanë që të inkurajojnë qytetarët në Maqedoni që të ecin përpara dhe të bëjnë një hap tjetër.

“E di që nuk është e lehtë për shumë njerëz kur bëhet fjalë për këto ndryshime kushtetuese, por pyetja që secili duhet t’i bëjë vetes nuk është se si mund ta ndihmoj partinë time, por si mund të ndihmoj dhe kontribuoj për vendin tim”, tha Roth.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut të Gjermanisë, Mihael Roth zhvilloi takim me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi. Në takim ishte e pranishme ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Sh. S. Anke Holshtajn dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova.

Xhaferi e përshëndeti këtë vizitë në çastin kur vendi duhet të fillojë me procesin e skriningut si fazë e parë nga fillimi i negociatave të anëtarësimit në BE, pas një periudhe të gjatë të ngecjes dhe bllokadës në dekadat e kaluara. Ai e informoi bashkëbiseduesin për kontributin dhe obligimet e vendit në NATO, për përmbajtjen konsekuente ndaj sanksioneve të BE-së ndaj Federatës Ruse dhe mbështetjen dhe ndihmën që sigurohet për nevojat e Ukrainës.

Talat Xhaferi dhe Michael Roth
Talat Xhaferi dhe Michael Roth

“Kryetari Xhaferi shprehu mirënjohje të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë në realizimin e qëllimeve tona strategjike. Njëherazi falënderoi për bashkëpunimin e shkëlqyer ekonomik dhe bilateral në më shumë nivele ndërmjet dy vendeve dhe për lidhjet me diasporën, që së bashku kontribuojnë në avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të ndërsjella. Në këtë kontekst, veçanërisht e theksoi bashkëpunimin me Bundestagun Gjerman për sigurim të pavarur të Kuvendit, si një nga segmentet e pavarësimit të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit. 

Rot theksoi se vizita e tij realizohet si mbështetje e hapave të ardhshme që Kuvendi duhet t’i ndërmarrë për rrjedhë të papenguar të procesit të anëtarësimit në BE.

“Ai e transmetoi falënderimin e Kryetares së Bundestagut Gjerman, znj. Barbel Bas për Kryetarin Xhaferi për ndërtimin e tij të urave të përkrahjes në kohë të polarizimit, të sfidave ekonomike dhe agresionit ushtarak dhe se askush nuk ka dobi nga dobësimi i demokracisë, sepse kjo shkon në dëm të qytetarëve që bënë shumë në vitet e kaluara. Duke shprehur mirëkuptim të plotë për frustrimet dhe dëshpërimin nga ngjarjet aktuale, z. Rot potencoi se BE nuk ka të drejtë të përzihet në identitetin gjuhësor dhe kulturor të maqedonasve dhe kjo doemos të respektohet. Në raport me ndryshimet kushtetuese në pritje për hyrjen në fazën e ardhshme të negociatave për anëtarësim në BE, e shprehu qëndrimin se duhet të përmbushen obligimet e ndërmarra dhe se kjo nuk do të jetë në dëm të asnjë maqedonasi apo maqedonaseje në vend, ndërsa Gjermania do të qëndrojë fortë pas zbatimit të premtimeve të dhëna ndaj vendit nga Bashkimi Evropian, për përshpejtimin e rrugës eurointegruese që nuk është vetëm në dobi të rajonit, por edhe në dobi të të gjitha vendeve anëtare të Unionit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Roth u takua edhe me presidentin Stevo Pendarovski. Në takim u bisedua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

Presidenti Pendarovski theksoi se Gjermania, e cila është forca lëvizëse e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, është një nga aleatët tanë më të afërt dhe partnerët më të besueshëm në 30 vitet e fundit dhe shprehu mirënjohjen që integrimi evropian i Republikës së Maqedonisë së Veriut është prioritet i lartë në agjendën e politikës së jashtme të qeverisë gjermane të udhëhequr nga kancelari Scholz.

Në takim u diskutua edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ku u theksua se ato janë të një rëndësie thelbësore në rrethanat aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë dhe në trajtimin e efekteve të agresionit rus në Ukrainë.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime dhe informacione për synimin e Gjermanisë për ringjalljen e procesit të Berlinit në gjysmën e dytë të vitit 2022, ku presidenti Pendarovski theksoi se procesi i Berlinit nuk duhet të trajtohet si zëvendësim i procesit të anëtarësimit në BE dhe shtoi se për Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Ai do të takohet edhe me kryetarin e Komisionit për Çështje të Jashtme, Antonio Milloshoski dhe me zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

Roth përpara se të zgjidhet i dërguar i Bundestagut e ka kryer funksionin e ministrit shtetëror për Evropë në MPJ-në e Gjermanisë.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button