Gerasimovski: Ish “Treska” të hyjë në plan të ri rregullues për urbanizim më të mirë

Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, sot në emisionin Click Plus në Tv 21, i bëri thirrje qytetit të Shkupit dhe institucioneve që të angazhohen në urbanizimin sa më të mirë të hapësirës së ish-kombinatit të mobiljeve “Treska”, transmeton Portalb.mk.

“Avokimi im është që vetë hapësira të urbanizohet sa më mirë, por nuk duhet të neglizhojmë dhe të kemi parasysh se atje kemi një Plan Detal Urbanistik të vlefshëm. Nëse nuk veprojmë sipas asaj PDU-je, është shkelje e ligjit. Lufta ime është që ajo hapësirë ​​të urbanizohet sa më mirë”, tha Gerasimovski.

Ka një PDU të vlefshëm për zonën afër “Treskës”, e cila ka rreth 40 parcela ndërtimore dhe aty është planifikuar ndërtimi i objekteve të banimit.

Megjithatë, për një zgjidhje më të mirë urbane, kryetari i Komunës Qendër, mendon se oborri i fabrikës duhet të ndahet nga PDU-ja, përmes një plani rregullues.

“Qëllimi ynë është që përmes një plani rregullues të veçojmë atë pjesë të PDU-ve Bunjakovec 1 dhe 2 ku ndodhet parcela për ‘Treskën’. I kam thirrur dhe i thërras institucionet nga të cilat varemi, për realizim më të mirë dhe më të shpejtë të vetë planit, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit, ku sot kemi takim për të miratuar një plan sa më të mirë”, tha Gerasimovski.

Ai i ka bërë thirrje kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, si dhe institucionet tjera që të përgjigjen sa më shpejt dhe të miratojnë PDU-në më të mirë të mundshme.

Ndërkaq, duke folur për zjarrin në “Treskë”, Gerasimovski tha se ka qenë faktor njerëzor dhe se komuna ka pasur informacione edhe muaj më parë për vjedhjen e kabllove dhe hekurishteve, por nuk beson se zjarri është vënë qëllimisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button