RMV, universitetet hapën dyert për regjistrimin e maturantëve

Maturantët të cilët kanë mbaruar shkollën e mesme këto ditë po zgjedhin profesionet e së ardhmes, konkretisht po regjistrohen në universitetet e vendit, të cilat kanë hapur dyert për t’i pranuar studentët e rinj. Në universitetet brenda regjistrimi i studentëve po realizohet këto ditë, të njëjtat priten të mbyllen shumë shpejtë, shkruan Portalb.mk.

  • Në UT dje filloi regjistrimi për studentët e rinj

Nga dje (29 gusht) në Universitetin e Tetovës (UT) e deri më 2 shtator 2022 do zhvillohet afati i parë i regjistrimit për studentët e rinj.

Sipas konkursit, UT pritet të regjistrojë 3819 studentë të rinj, të cilët studimet e tyre do t’i ndjekin në programe të ndryshme studimore të cilat i ofrojnë 13 njësitë akademike të UT-së.

Në ciklin e parë të studimeve janë të hapura 89 programe studimore.

Të shtunën është provimi pranues, ndërsa ditën e hënë shpallen rezultatet. Aplikimi ka qenë i hapur online edhe gjatë verës. Shumica e kandidatëve vetëm se i kanë plotësuar aplikimet online.

Vetëm dje në UT kishin aplikuar rreth 1000 kandidatë.

Për të gjitha vendet e paplotësuara në afatin e parë, UT do të shpall konkurs për plotësimin e tyre dhe do të realizojë edhe afatin e dytë për regjistrim e studentëve të rinj në ciklin e parë të studimeve në këtë vit akademik.

  • Në UNT nesër përfundon afati i parë i regjistrimit

Universiteti “Nënë Tereza” (UNT) në Shkup ka bërë pranimin e dokumenteve për studentët e rinj, nga data 25 Gusht dhe e njëjta do të zgjas deri më 31 Gusht

Konkursi i regjistrimit të afatit të parë përmban 1255 vende aplikimi

Shpallja e rezultateve preliminare do të jetë me 1 Shtator ndërsa shpallja e vendimit për pranimin e kandidatëve do të jetë nga 5 deri 9 shtator.

  • Në UEJL regjistrimi ka filluar që në maj

Në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), aplikimi për regjistrim në vitin e ri akademik ka filluar që me 10 maj dhe i njëjti do të zgjas deri me 17 shtator.

Universiteti i Evropës Juglindore vitin e ri akademik, do ta fillojë me gjashtë fakultete, ku risi është Fakulteti i Shkencave Shëndetësore, ku këtë vit do të ofrojë dy programe studimore, Infermierinë dhe Fizioterapinë, me mundësi të zgjerimit të ofertës programore në të ardhmen.

Universiteti i Evropës Juglindore në vitin e ri akademik 2022-23, ofron 28 programe studimore në gjashtë fakultete.

  • Sot dhe nesër është afati i parë i regjistrimit në UKIM 

Në Universitetin “Shën Kiril dhe Metodi” (UKIM) Shkup sot dhe nesër është afati i parë për aplikim për regjistrim në vitin e parë në vitin akademik 2022/2023.

Afati i dytë në UKIM është më 15 dhe 16 shtator ndërsa 28 shtator është afati i tretë.

Për ata kandidatë që krahas suksesit në arsimin e mesëm, renditen edhe sipas testit të njohurive dhe aftësive, afati i parë i aplikimit ka qenë data 25 dhe 26 gusht, i dyti data 14 dhe 15 shtator dhe afati i tretë është data 28 shtator.

Sipas konkursit për regjistrim në studimet deri-diplomike në vitin akademik 2022/2023, në Universitetin e Shkupit janë të lira 10.918 vende.

Nga këto, 5.306 vende janë për studentë të rregullt në kuotën shtetërore, për studentët tjerë të rregullt që do të paguajnë tarifën e shkollimit 4.522 vende dhe 1090 vende për studentë me kohë të pjesshme.

  • Në UGD regjistrimi filloi me 25 gusht

Dorëzimi i dokumenteve në Universitetin “Goce Dellçev” (UGD) në Shtip mbaron sot, me 30 gusht.

Rezultatet preliminare do të shpallen më 31 gusht, kurse regjistrimi i kandidatëve të pranuar do të bëhet më 5, 6 dhe 7 shtator.

Universiteti “Goce Dellçev” – Shtip këtë vit ka gjithsej 3.870 vende të lira, prej të cilave 2.282 janë për studime të rregullta në kuotën shtetërore, 833 në studime të rregullta në kuotë me bashkëfinancim dhe 755 për studime me kohë të pjesshme.

Ndryshe, në vend ka gjashtë universitete publike dhe disa të tjerë private.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button