Ambasadorja Bërns: Maqedonisë së Veriut i mungojnë përgjegjësia dhe transparenca

Maqedonia e Veriut të vazhdojë me reformat edhe kur ata të shkaktojnë ndarje të caktuara politike, porositi ambasadorja amerikane në RMV, Kejt Mari Bërns, në fjalimin e saj pas nënshkrimit të amendamentit të Marrëveshjes për grant për partneritet në Ministrinë e Financave, njofton Portalb.mk.

Një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet vendi, është korrupsioni e cila, ashtu siç thotë, e cenon sundimin e ligjit dhe e saboton konkurrencën ekonomike.

“Nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, SHBA e mbështet qëllimin tuaj që të bëheni shtet demokratik, i cili bazohet në sundimin e të drejtës dhe të mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët. E dimë se kjo do të jetë sfidë pasi që mungon përgjegjësia, transparenca. E gjithë kjo ka potencial që ta tërheqë Maqedoninë e Veriut nga rruga e zhvillimit të saj”, deklaroi Bërns.

Në atë drejtim, ambasadorja theksoi se përfaqësuesit qeveritar patjetër t’u përgjigjen sfidave, t’i plotësojnë pritjet e opinionit dhe standardeve për anëtarësim në BE.

“Ne ju mbështesim të vazhdojmë me këto reforma madje edhe kur ato të shkaktojnë ndarje të caktuara politike pasi Maqedonia e fuqishme, demokratike dhe gjithëpërfshirëse është shtylla për prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, shtoi ambasadorja.

Gjysma nga mbështetja e USAID nëpërmjet Marrëveshjes për grant për partneritet për zhvillim, rikujtoi Bërns, fokusohet në luftën kundër korrupsionit.

Në lidhje me amendamentin e nënshkruar të Marrëveshjes për grant për partneritet për zhvillim me SHBA, Bërns, theksoi se hapet kapitull i ri në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.

“Duke u ndërlidhur me dialogun tonë bilateral strategjik të qershorit, kjo hapë kapitull të ri të marrëdhënieve bilaterale dhe i precizon fushatë tona të ardhshme të bashkëpunimit. Dialogu strategjik, i pari mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut e shënon hapin e parë në dialogun e rinovuar, përforcuar mes dy partnerëve të përkushtuar të cilët tani punojnë krahë përkrah në thellimin e bashkëpunimit. Punojmë bashkë që t’i identifikojmë fushat në të cilat më së shumti duhet bashkëpunimi jonë. SHBA tërësisht e mbështetë anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Ky grant definitivisht do të ndihmojë në përforcimin e përpjekjeve të vendit në formësimin e ardhmërisë në tërë Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Bërns.

Paraprakisht, ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe drejtori i USAID-it në Maqedoninë e  Veriut Xheri Dajbëll e nënshkruan amendamentin e Marrëveshjes për grant për partneritet për zhvillim me çka vendi ka marrë edhe 10.3 milionë dollarë ndihmë nga SHBA për shoqëri demokratike dhe ekonomi konkurruese.

Ndryshe, në kuadër të realizimit të Dialogut Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e ShBA-së ndau mjete shtesë prej 4.318 milionë dollarë amerikanë për forcimin e sundimit të ligjit në vend.

Këto mjete do të shfrytëzohen për projekte, të cilat janë parashikuar nga Byroja ndërkombëtare për luftë kundër narkotikëve dhe zbatimit të ligjit – Departamenti i shtetit (Departamenti i Shtetit i SHBA-së/Byroja për çështje ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit) e që kanë për qëllim përmirësimin e efikasitetit të sistemit penal – të drejtësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button