RMV, KPMD paralajmëroi padi kundërvajtëse ndaj Ministrisë së Arsimit për bursat e pabarabarta

Studentët dhe nxënësit të cilëve nuk u është rritur bursa, edhe më tej do të vazhdojnë të marrin shuma më të ulëta se aplikantët e rinj. Për momentin nuk ka informacione se qeveria do të barazojë bursat për të gjithë, për të cilat për shkak të diskriminimit të konstatuar indirekt, Komisioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi (KPMD) do të inicojë procedurë penale kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), transmeton Portalb.mk

Komploti rreth rritjes së bursave filloi verën e kaluar, kur MASh njoftoi rritje të bursave për studentë dhe nxënës deri në 80 për qind. Pas këtij njoftimi, bursat e studentëve të kategorisë së parë, të dytë, të tretë dhe të katërt nga viti i kaluar shkollor kapin vlerën prej 6.050 denarë në muaj, në vend të 3.300 denarë sa “vlenin” më parë, ndërsa bursat e nxënësve u rritën në shumën prej 3.500 denarë, në vend të atyre paraprake që varionin nga 2.000 deri në 2.970 denarë.

Me shpalljen e konkurseve në shtator të vitit të kaluar, u bë e qartë se bursat e rritura nuk do të vlejnë për të gjithë studentët dhe nxënësit, gjegjësisht shumat më të larta do t’i marrin vetëm ata që kanë aplikuar në konkurset e reja, ndërsa pjesa tjetër që kanë ushtruar të drejtën për bursë në një nga vitet e mëparshme, vazhduan të merrnin shumat e vjetra dhe më të ulëta.

Këtyre kushteve studentët iu përgjigjën me një peticion online ku kërkuan barazimin e bursave për të gjithë në vend që të favorizonin një pjesë të studentëve. Në peticion studentët akuzuan se po bëhet diskriminim dhe se kushtet e konkursit po i ndajnë studentët.

Diskriminimi indirekt në politikën shtetërore

Lidhur me kushtet sipas të cilave shteti jep bursë, një student dhe një nxënës në arsimin e mesëm i dërguan peticion Komisionit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, anëtarët e të cilit njëzëri konstatuan diskriminim indirekt në bazë të statusit arsimor dhe shkelje të së drejtës për trajtim të barabartë gjatë shfrytëzimit të bursës së studimit në masë më të lartë të realizuar nga MASh.

Me këtë, politika shtetërore e bursave i vendosi disa nga studentët dhe nxënësit në një pozitë të pafavorshme në krahasim me pjesën tjetër të kolegëve dhe shokëve të klasës.

Në përputhje me kompetencat e tij ligjore, Komisioni i rekomandoi MASh-it që të përgatisë një Propozim- program të ri për ndryshime në Programin për standardet studentore dhe të nxënësve për barazimin e shumës së bursave për të gjithë studentët. KPMD i dërgoi rekomandim Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që të pranojë propozimin e MASh-it për barazimin e bursave.

MASh: Për secilin sipas marrëveshjes së nënshkruar

Megjithatë, duket se për momentin Ministria e Arsimit nuk planifikon të barazojë bursat për të gjithë studentët dhe nxënësit. Në përgjigje për Meta.mk, MASh nuk tërhiqet nga qëndrimi se rritja e bursave për të gjithë është e pamundur.

“Çdo përfitues i një burse nxënësish apo studentësh ka nënshkruar marrëveshje me MASh-in në të cilën përcaktohet shuma që duhet paguar dhe mënyra e pagesës së bursës. MASH respekton dispozitat kontraktuale dhe u përmbahet tyre. Kushtet, kriteret dhe dispozitat e ndryshuara të një konkursi për ndarjen e bursave nuk mund të zbatohen njëkohësisht për ata që do të ushtrojnë të drejtën e bursës përmes atij konkursi dhe në mënyrë retroaktive – për ata kandidatë që kanë ushtruar të drejtën e bursës përmes një konkursi paraprak”, thonë nga MASh.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës shtojnë se këtë arsyetim ia kanë përcjellë Komisionit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi dhe se rritja e mundshme e bursave do të shkaktojë implikime financiare prej 100 milionë denarë.

“…Dhe në të njëjtën kohë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është njoftuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk do të veprojë, duke pasur parasysh se përveç procedurave të shumta administrative, në radhë të parë shkakton implikime fiskale prej 100 milionë denarë në kushtet kur në vend janë në fuqi masat kundër krizës”, thonë nga MASh për Meta.mk.

Nga ana tjetër, KPMD-ja është përgjigjur se për shkak të dështimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të vepruar ndaj diskriminimit indirekt të konstatuar, në përputhje me kompetencat e tyre, do të iniciojnë procedurë penale kundër Ministrisë.

“Në këtë moment konform ligjit po punohet në paraqitjen e kallëzimit për kundërvajtje ndaj MASh-it në gjykatën kompetente për kundërvajtje”, thonë nga KPMD.

Portalb.mk dhe Meta.mk gjatë vitit të kaluar disa herë ka shkruar për gjendjen aktuale me rritjen e bursave dhe politikën shtetërore të bursave.

Për kushtet e palogjikshme në një intervistë ka folur edhe Eva Cvetkovska, kryetare e Kuvendit studentor universitar të UKM-së.

“Formulimi i njoftimit është shkruar në atë mënyrë që nuk mund të kuptohet se bëhet fjalë për bursa që do të vlejnë vetëm për kuotën e re të studentëve që do të aplikojnë. Kur e morëm vesh, menjëherë bëmë kërkesë që të mbuloheshin të gjithë studentët në këtë masë, por fatkeqësisht në momentin e caktuar buxheti ishte i tillë dhe nuk kishte kohë për një ribalancim urgjent se si mund të mbuloheshin. Kemi paraqitur kërkesë për parashikimin e mjeteve të mjaftueshme në buxhet për vitin e ardhshëm për të mbuluar të gjithë studentët. Duke pasur parasysh se kësaj përbërje të KSU-së po i mbaron mandati, shpresoj se gjenerata e ardhshme e përfaqësuesve të studentëve do të nxisë që të gjithë studentët të mbulohen menjëherë, sepse kjo nuk ka kuptim”, tha Cvetkovska në intervistë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button