RMV, shoqëria civile është thelbësore për shoqëri të përparuar dhe me më pak probleme (VIDEO)

Vetëm një shoqëri civile aktive dhe këmbëngulëse është ajo e cila është korrektori më i mirë i politikave të gabuara dhe jo të mira për përparimin e shtetit në rrugën e zhvillimeve të kohës më të re. Kështu që ato duhet të punojnë sa më shumë për të mbajtur institucionet e tyre përgjegjëse dhe llogaridhënëse përpara qytetarëve. Këto ishin përfundimet kryesore të dala nga aktivitetet e projektit të USAID-it për Pjesëmarrjen Qytetare në Maqedoninë e Veriut, që sot në kuadër të gjashtë vjetorit të këtij projekti u shëmua me disa panele diskutimi, ku një nga tre organizatat partnere është edhe Fondacioni Metamorfozis, shkruan Portalb.mk.

Ambasadorja e SHBA-ve në vend theksoi se përmes këtij projekti së bashku kemi investuar gjashtë vitet e fundit për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut.

“Kthimi i këtij investimi ka bërë një kontribuar mjaft të rëndësishëm për objektivin kryesor të shtetit që ka të bëjë me avancimin e të drejtave. Së bashku ne kemi zbatuar rekomandime politikash dhe legjislacion që ka të bëjë me antikorrupsionin dhe konfliktin e interesave që i monitorojnë proceset qeveritare si dhe me kriteret e bazuara në merita për postet e caktuara. Ne po ashtu hapëm edhe iniciativën e qyteteve të hapura, kemi publikuar lloj-lloj të dhënash nga institucionet dhe kemi ndihmuar që vetëqeverisjet lokale dhe qytetarët të përfshihen në procesin e vendimmarrjes. Ne kemi bërë sistemin e gjyqësorit më transparent. Përpjekjet tona kanë fuqizuar më tepër se 100 të rinj që të adresojnë çështje publike, përmes çmimeve që janë dhënë”, tha mes tjerash Kate Marie Byrnes duke theksuar se është bërë progres por ka edhe shumë punë për të bërë nga ku aktivitetet e tilla duhet të vazhdojnë.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Lufta kundër korrupsionit, transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve ishin pikat kryesore në të cilat u fokusua Fondacioni Metamorfozis gjatë këtij projekti.

Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Bardhyl Jashari potencoi se besimi ndaj institucioneve është shumë i rëndësishëm dhe që të forcohet kjo duhet të ketë organizime mes qytetarëve dhe OJQ-ve që institucionet të jenë të hapura dhe transparente.

“Kjo është një komponentë thelbësore që të kemi shtet të së drejtës. Prandaj ne u fokusuam më shumë në matjen dhe monitorimin e institucioneve dhe bëmë një indeks të transparencës me disa indikatorë për institucionet qendrore dhe lokale në RMV, dhe jo vetëm që matnim se sa janë të hapura por jepnim edhe rekomandime konkrete. Gjithashtu, përmes mentorimit punuam me institucionet lokale dhe qendrore që të marrin masa konkrete të jenë më të hapura, që qytetarët të kenë informacione më të sakta dhe të rritet besimi, kështu rritet edhe demokracia në përgjithësi. Kemi punuar dhe jemi nga fundi me Ligjin për të dhëna të hapura, kemi bërë shumë trajnime për nëpunësit shtetëror në nivel qendror dhe lokal. Organizuam hakatonë dhe konsideroj që digjitalizimi luan rol të rëndësishëm në zvogëlimin dhe parandalimin e korrupsionit, por kjo duhet të bëhet në formë sistematike dhe me plan, shembull të pamundësohet ndërhyrja njerëzore që do të mund ti korruptonte proceset. Duhet të shfrytëzohet vullneti politik që të shndërrohen në projekte konkrete që nuk do jenë ad-hoc por mirë të menduara për nevojat e qytetarëve”, theksoi Jashari.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, zëvendës-kryeministrja e ngarkuar për Politikat e Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska tha se në këto muaj që ekziston institucioni ku ajo udhëheq, në kuadër të këtij projekti të USAID-it është arritur të realizohet një sërë aktivitetesh në shumë fusha dhe të ndikohet në përmirësimin e sistemit në përgjithësi.

“Me planin e punës duke përfshirë më tepër iniciativa që janë prioritete strategjike të vendit tonë dhe një nga to është ngritja e vetëdijes kolektive për parandalimin e korrupsionit dhe për forcimin e integritetit dhe llogaridhënies në sektorin publik. Transparenca dhe llogaridhënia paraqesin një sfidë për qeverisje të mirë dhe presioni për këtë gjë mbi institucionet që të kenë më shumë përgjegjësi është më i madh, si dhe arsye më tepër për ata se si i shpenzojnë paratë publike”, tha mes tjerash Gërkovska.

Mark Dietrich, zëvendës-kryetari i East-West Management Institute nënvizoi se ky projekt pavarësisht se ka punuar në një klimë dinamike, si ndryshimi i emrit, anëtarësimi në NATO, pengesa për hapjen e bisedimeve për në BE, pandemia dhe konflikti i ri në Evropë, projekti u fokusua në antikorupsion, shtetin e së drejtës dhe avancimin e transparencës.

“Këto objektiva kanë qenë të qëndrueshme. Partnerët e projektit tani kanë shkathtësi për të ndihmuar institucionet qeveritare për të krijuar zgjidhje sipas nevojave dhe mund të ndihmojnë në mënyrë të përgjegjshme. Projekti ka punuar drejtpërdrejt edhe me Qeverinë në fushën e antikorrupsionit”, tha mes tjerash Dietrich.

E kur jemi te antikorrupsioni, kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit në vend, Biljana Ivanovska duke përmendur disa nga arritjet e projektit theksoi se u adresua nevoja për ndërtimin e një sistemi të trajnimeve ku mund të ndikohet në këtë pjesë me të cilin do të punohej me të gjithë nëpunësit shtetëror në ngritjen e vetëdijes për të treguar rëndësinë e integritetit.

“Me ndihmën e këtij projekti arritëm ta ndërtojmë qendrën e trajnimit, fituam nga projekti mbështetje teknike, për trajnimin e njëzet deri tridhjetë personave njëkohësisht. Në ndërkohë realizuam bashkëpunim me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe u dakorduam që ato trajnime të organizohen”, theksoi Ivanovska.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga Fondacioni Metamorfozis specialistja e monitorimit & vlerësimit dhe komunikimit me publikun Vaska CvetanoskaPanova tregoi se si u mbështetën 16 organizatat qytetare nga Fondacioni Metamorfozis që të kontribuojnë më shumë në procesin e vendimmarrjes:

“Bashkë me to punuam në zgjidhje të propozimeve. Kemi organizata që me ekspertizat dhe kapacitetet e tyre kanë bërë ndryshime të mira në këto gjashtë vite. U organizuan 11 debate publike ku u përmendën mbi 200 propozim projekte nga qytetarët ku u dorëzuan në komuna dhe këshillat komunale për nevojat e qytetarëve. Mund të them se 45% të atyre iniciativave edhe u pranuan nga komunat, ku u futën si pjesë e programeve vjetore në buxhet. Sipas shifrave kjo ishte rreth 467 milion denarë. Duhet të përmendet edhe platforma që ka pasur qasje fizike në drejtësi, monitorim të rasteve gjyqësore ku aktivitetet u realizuan në nivel të territorit të tërë shtetit, ku përkundër 1200 raste gjyqësore disa prej tyre kanë pasur përfundim të mirë. U monitoruan gjithashtu 300 tenderë publikë dhe përmes këtyre aktiviteteve u dha një pasqyrë se ku ekzistojnë mangësi, me këtë u dhanë 38 ndryshime ligjore”, tha mes tjerash CvetanoskaPanova.

Për arritjet dhe aktivitetet e projekteve folën edhe nga Asociacioni për Iniciativa Demokratike (ADI), Qendra për Komunikime Civile, Këshilli Kombëtar Rinor i Maqedonisë së Veriut, Fondacioni për Zhvillimin e Komunitetit Lokal Shtip dhe Asociacioni Aleanca Rinore.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Krejt në fund u përfundua se kjo nuk duhet të shihet si një fund, por si një fillim i ri me bashkëpunëtoret për projekte tjera në përmirësim të këtyre shërbimeve për qytetarët.

Ndryshe, Projekti për Pjesëmarrjen Qytetare mbështeti Organizatat e Shoqërisë Civile (OJQ-të) dhe aleancat e OJQ-ve që fokusohen në çështjet prioritare që shqetësojnë popullin e Maqedonisë së Veriut, ndihmoi ato për të promovuar dialogun, organizimin e një Programi LEAD (Udhëheq, Angazho, Vepro, Zhvillo) që do t’i pajisë të rinjtë që u mundësojnë atyre të punojnë brenda komuniteteve të tyre. Projekti ofroi mundësi për të rinjtë dhe të rejat që të marrin pjesë në jetën publike dhe në proceset vendimmarrëse për çështje që prekin jetën e tyre, komunitetet e tyre dhe shoqërinë maqedonase në tërësi. Projekti u realizua në partneritet me tre organizata lokale të shoqërisë civile: Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, Asociacioni për Iniciativa Demokratike (ADI) dhe Këshilli Kombëtar Rinor i Maqedonisë (KRNM).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button