“Për herë të parë”, tregime pjeshkash në Tetovë

Për herë të parë dhe me këtë slogan, “Tregime Pjeshkash” zbarkoi në Tetovë me nikoqir të Social Cultural Space Tetova, të cilën organizatorët e këtij eventi e pranuan pa u menduar dy herë. Katër gra “për herë të parë” rrëfyen tregimet e tyre, ku mesazhi kryesor që u përcoll ishte rëndësia e edukimit gjinor në familje dhe në shkollë, shkruan Portalb.mk.

Edicioni i tetë i “Tregime Pjeshkash” për herë të parë u mbajt jashtë Shkupit. Organizatorët thonë se ideja ishte që përmes këtij eventi edhe në Tetovë të krijohet një hapësirë e sigurt ku gratë mund të tregojnë përjetimet e tyre pa paragjykime si dhe të reflektohet për problematikat që dalin nga aty.

“Kemi vendosur temën “Për herë të parë” pasi për herë të parë dalim jashtë Shkupit. Kjo temë ka qenë e trajtuar edhe në një edicion më parë. Nëse vazhdojmë të lëvizim në qytete tjera kjo do jetë tema, për të krijuar hapësira të lira dhe të sigurta ku gratë mund të shprehin eksperiencat e tyre. Është një temë që gjithnjë nxit reagime”, tha organizatori Guxim Nuhiu.

Formati këtë herë ishte më i vogël, ku pati vetëm katër paneliste në vend të gjashtë që janë zakonisht. Por, tregimet e tyre nxorën në pah tema që zakonisht nuk fliten dhe që bartin problematika me të cilat gratë dhe vajzat përballen çdo ditë.

Folëse ishin Rinisa Toska nga Amos Shelter, gazetarja Zana Muhaxhiri Ramadani, artistja dhe biznesmenja Mia Morina si dhe profesoresha universitare Behare Kasami, të cilat nxorën në pah vetëm një pjesë të vogël të këtyre shqetësimeve.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Tregime Pjeshkash nuk incizohet sepse ideja është të krijohet një hapësirë sa më e sigurt që të ndahen përvojat nga panelistet.

Ky organizim bazohet në tre shtylla kryesore: lufta ndaj seksizmit, krijimi i opinionit publik dhe dhënia fund idesë së odave shqiptare.

Ideja për një organizim të tillë fillimisht ka qenë e inspiruar nga Ana Vasileva dhe Rumena Buzharevska, organizatore të Peach Preach në gjuhën maqedonase. Nga ku më pas, filloi edhe Tregime Pjeshkash në gjuhën shqipe në vitin 2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button