Objekti i ish-shkollës medicinale në Tetovë nuk do i jepet Kadastrës, vendimi do tërhiqet prapa

Vendimi i Qeverisë për dhënien në shfrytëzim të përhershëm nga Kadastra për objektin e ish shkollës së mesme të mjekësisë do të kthehet prapa. Kështu njoftoi zëvendës-kryeministri i parë, Artan Grubi pasi sot më herët nga Komuna e Tetovës e ngritën shqetësimin në opinion. Nxënësit do vazhdojnë të mësojnë në objektin ku kanë mësuar, shkruan Portalb.mk

Grubi njoftoi se vendimi është ndërmarrë fillimisht me kërkesë të Agjencisë për kadastër në vitin 2021 gjatë kohës kur me komunën e Tetovës ka udhëhequr Teuta Arifi.

“Qeveria asokohe ka shqyrtuar arsyeshmërinë e kësaj kërkese për të plotësuar nevojat hapësinore të Agjencisë për kadastër që ka ruajtur dokumentacionet në hapësira joadeakute dhe ka ofruar shërbime në kushte jodinjitoze për qytetarët e Tetovës dhe ka miratuar vendimin, por me kërkesë të komunës edhe ka rikthyer hapësirat në dispozicion të shkollës”, tha Grubi.

Ai theksoi se kërkesa gjatë këtij viti është ripërsëritur nga ana e Agjencisë për kadastër me arsyetimin se ekzistojnë hapësira të pashfrytëzuara.

“Pa asnjë tendencë negative ashtu si në 2021, Qeveria ka miratuar vendimin që ato hapësira ti kalojnë në shfrytëzim të agjencisë në fjalë për t’ju shërbyer tetovarëve.  Por, duke qenë gjithmonë në shërbim të nevojave të qytetarëve, potencoj se kërkesa e prindërve dhe nxënësve për nevojën e shfrytëzimit të atyre hapësirave është absolutisht prioritare për mua dhe për qeverinë, andaj dhe pa asnjë hamendje Qeveria do të rikthejë në dispozicion të tyre godinën e vjetër të Shkollës medicinale në Tetovë që ditën e martë ashtu siç vepruam edhe para një viti”, tha Grubi.

Këtë vendim, Kasami e quajti si betejë të fituar me Qeverinë BDI- LSDM.

“Të nderuar qytetarë dhe shumë të respektuar tetovarë. Sot, gjatë një konference për shtyp ngrita shqetësimin se si qeveria BDI-LSDM në mënyrë anti ligjore kanë nënshkruar që objekti i shkollës mesme, ose ndryshe siç njihet “medicina e vjetër” t’i kaloj në shfrytëzim kadastrës. Pas presionit që ne si komunë sot ushtruam ndaj kësaj qeveria, ajo do të tërheq këtë vendim dhe nxënësit do të mësojnë po në të njëjtin objekt”, tha Kasami.

Kujtojmë që sot më herët nga Qeveria për Portalb.mk thanë se se vendimi nga ata është miratuar në bazë të kërkesës nga Agjencia për Kadastër.

Kasami akuzoi Qeverinë se  e kanë sjellë këtë vendim duke shkelur Ligjin për arsim të mesëm.  Ndërsa Grubin i cili edhe e ka nënshkruar këtë vendim, se për arsye politike ia ka dhënë Kadastrës objektin e vjetër të shkollës medicinale në Tetovë, ku aty mësojnë nxënës. Ai gjithashtu paralajmëroi edhe padi si dhe do të njoftojë përfaqësitë diplomatike në vend për rastin në fjalë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button