Mohikani që guxoi të pranojë se është shqiptar

Për asimilimin e shqiptarëve ortodoksë të Rekës së Epërme kam shkruar më shumë se një herë, sepse krimi ndodhi para syve tanë dhe pa një zë kundërshtues të shtetit amë, të cilin e obligon Kushtetuta që të mbrojë identitetin e bashkëkombasve gjithandej ku i kanë degdisur furtunat e historisë. Tjetërsimin e tyre të heshtur nga shqiptarë në sllavë e nisën pashiqët e Jugosllavisë së parë, kurse e mbyllën gati me fund pushtetarët albanofobë të Republikës Socialiste të Maqedonisë gjatë 45 viteve të monizmit titist. Kështu, vetëm pas rrënimit të sistemit të hurit e të litarit, fillimisht me gjysëm zëri, më pas zëshëm e më zëshëm, nisi të flitet për këtë pjesë gati të harruar të etnisë, që në cilindo shtet mirëfilli demokratik do t’i jepej mundësia të kthehet në gjirin e nënës biologjike. Mjerisht, në Maqedoninë e shpallur shtet demokratik e multietnik, lëre se nuk ndodhi kjo, po nisi përndjekja dhe përbuzja e shqiptarëvë ortodoksë, si: Branko Manoilovski e Branko Sinadinovski, të cilët guxuan të sfidojnë prometejshëm mashtrimin shekullor të një klaseje politike të ngarkuar me antishqiptarizëm kronik.

Lista e atyre që pranuan hapur se janë shqiptarë dhe bijë e bija shqiptarësh është e gjatë, po ne sot po sjellim të përkthyer në shqip rrëfimin e dhimbshëm të Prof. dr. Branisllav (Branko) Sinadinovskit, autorit të veprës“Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë”, profesorit universitar, shkencëtarit, diplomatit, themeluesit të partisë VMRO-DPMNE, i cili për shkak të pranimit të identitetit shqiptar dhe këmbënguljes për të themeluar bashkësinë fetare të shqiptarëve ortodoksë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, u rrah brutalisht nga dora shovene, iu kërcënua familja, u përndoq këmba-këmbës, iu shkatërrua vetura, u quajt mashtrues, intelektual i shitur e kontravers, tradhëtar, spiun, kopil e çka jo tjetër.

Le ta ndjekim rrëfimin e Profesorit të ndarë nga jeta në vitin 2021:

Kur disa miqve të afërm u tregova se jam duke shkruar librin “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë”, mbetën të nemitur dhe pothuajse asnjëri nuk kishte koment. Kjo më bëri që t’ia parashtroj vetes pyetjet: A ka kuptim e dhëna që vrapova para kalit? A nuk do të ishte më e mençur, më e vërtetë që ideja e lindur të vdiste në momentin kur u fol për të? Pa ndonjë jehonë, si më parë. Por idetë e mirëfillta, idetë që janë paralajmëtare të së vërtetës nuk mund të vdesin aq lehtë, veçanërisht pasi janë mbjellur në kokat e hulumtuesve të mirëfilltë të së vërtetës, të atyre që jetojnë për të vërtetën dhe vetëm për të vërtetën.

Të gjitha pyetjet e sipërpërmendura i parashtrova, i bindur plotësisht se jemi duke e jetuar kohën e cila njëkohësisht vlon nga zhurmat babilonike edhe nga heshtja e frikshme. Është kjo koha në të cilën njerëzit i belbëzuan fjalët dhe i shfytyruan ato, kurse heshtja nuk është më mençuri, as trimëri, as largpamësi, as frikë, as fitore, as humbje. Kjo për shkak se shumë gjatë, pothuajse përgjatë një gjysëm shekulli, në vetëdijen, mendimet, fjalët, sjelljet e shqiptarit të rëndomtë, pavarësisht përkatësisë së tij fetare, është mbjellur dhunshëm sindromi i fajit për gjithçka. Prandaj, thënia e së vërtetës, bërja kult dhe ngritja e saj lart, paraqet armën e vetme të moçalit të turbulluar ku është futur dhunshëm Shqiptari, që të zhbëhet, të thahet dhe të mos ekzistojë më. Ky ishte qëllimi im dhe detyra ime kryesore kur iu rreka trajtimit të problematikës konkrete.

Këtë qëllim timin nuk mundën ta pëngojnë as konzervartivizmi, as forcat retrograde. Unë, jo vetëm që e shkruajta librin mbi Shqiptarët ortodoksë të Republikës së Maqedonisë, por ia dola të dëshmoj se edhe ata, njësoj si bashkatdhetarët e tyre në Shqipëri dhe gjithkund në botë, janë pjesë e pashkëputshme e tërësisë së popullit të vetëm shqiptar. Leximi i literaturës së shumtë mbi popullin shqiptar, veçanërisht hulumtimet empirike të bëra me muaj të tërë nëpër viset e Maqedonisë së sotme, në të cilat jetojnë me shekuj Shqiptarët ortodoksë, njësoj si në disa vende fqinje, njësoj si të dhënat në shkrimet e babait tim të ndjerë, e ndeznin akoma më shumë shqetësimin tim shkencor. Një impuls të veçantë dhe të parëndomtë në këtë plan fitova pas botimit të librit (në gjuhën shqipe dhe maqedonase) mbi Josif Bagerin, bashkëkombasin tim të shquar nga fshati Nistrovë e Rekës së Epërme. Pas përurimit të librit dhe prezantimeve të shkurtëra në shtypin shqiptar dhe maqedonas, telefonat e mi celularë nisën të cingërojnë pandërprerë. Më paraqiteshin kryesisht njerëz të panjohur, të cilët rrëfenin se edhe ata, njësoj si Josif Bageri, janë Shqiptarë ortodoksë. Akulli u thye. Por, mbeti për t’u bërë edhe një rrugë e gjatë me plot therra, mbeti për t’i dëshmuar publikut të gjerë se Shqiptarët ortodoksë të Republikës së Maqedonisë nuk janë pjesë e popullit maqedonas, siç po perpiqen të dëshmojnë, tash e 70 vjet, pseudoshkencëtarët dhe pseudohistorianët e ndryshëm.

Tani, megjithatë, situata ishte krejtësisht e ndryshme. Në dorën time kisha shënimet e babait të ndjerë, literaturën e gjerë dhe të mirënjohur, hulumtimet e mia nga terreni, ndërkaq gjeta mbështetje të fuqishme edhe te rrëfimet e bashkatdhetarëve të shumtë, që më kërkonin pareshtur në telefon. Edhe ata, më në fund e kuptuan se muri i lartë kinez dhe frika e imponuar u rrënuan. Ata nuk ekzistojnë më. E kuptuan se fati i tyre, fati ynë, varet vetëm prej nesh, para së gjithash prej nesh, mbi të gjitha prej nesh. E kuptuan se nga ndjesa jonë do të varet sjellja e të tjerëve. Edhe më të afërmit edhe më të largëtit e kuptuan se edhe ne jemi pjesë e popullit të madh shqiptar, pa të cilin tashmë nuk ekziston asnjë zgjidhje që bie ndesh me intereset tona, pa u shkaktuar tronditje dhe zhvendosje të mëdha e të rënda, jo vetëm në Republikën e Maqedonisë por edhe në Ballkan dhe më gjerë. Ky njëkohësishtë ishte sinjal, ishte dritë e kuqe se askush më në Republikën e Maqedonisë nuk duhet ta harrojë se brenda saj, krahas Shqiptarëve muslimanë dhe katolikë, jetojnë edhe shqiptarët ortodoksë, se të gjithë ata e përbëjnë tërësinë e popullit shqiptar, që, njësoj si të tjerët, kanë të drejtën e respektimit të lirive dhe të drejtave të tyre elementare njerëzore, nga realizimi i të cilave varet udha që shpie drjet heqjes së kufijve, drejt bashkimit të Ballkanit, drejt bashkëpunimit ndërmjet popujve në një plan të gjerë ndërkombëtar.

Edhe pse gjer më sot, për shkaqe objektive, nuk dihet numri i saktë i Shqiptarëve ortodoksë në Republikën e Maqedonisë dhe jashtë saj (në vendet fqinje jashtë Shqipërisë dhe më larg), askush nuk mund ta mohojë ekzisitimin e tyre, por edhe t’i paralajmërojë se si të tillë ata janë një bashkësi e vogël që duhet të kenë kujdes për forcën e tyre, që sjellja e tyre brenda edhe jashtë të jetë në pajtim me këtë maksimë. Por, ç’domethënie ka fjala “i vogël”, kur Shqiptarët ortodoksë në Repbublikën e Maqedonisë janë pjesë e terësisë së popullit të madh shqiptar. Mos vallë ata që e pohojnë këtë në Republikën e Maqedonisë dhe jashtë saj edhe më tutje përpiqen ta mohojnë plotësisht përkatësinë dhe vetëdijen e tyre nacionale? Të tillët nuk mund apo nuk duan ta kuptojnë se historia ka dëshmuar shumë herë se edhe popujt e mëdhenj me numër, me territor, me ekonomi dhe me fuqi ushtarake mund të dëshmohen minorë për nga fryma dhe vizioni? Historia ka dëshmuar madje se madhështia dhe fryma mund të jenë tipare dhe realitete të popujve dhe bashkësive të vogla etnike për nga numri.

Ata që me vite mohuan ekzistencën e shqiptarëve ortodoksë të këtyre hapësirave dhe u përpoqën t’i shpërngulin dhe zhbëjnë tërësisht, e humbën betejën përfundimisht. Ata harruan se nuk ishin rritur në nivelin për ta kuptuar se më i madh është ai popull që ka besim në vetvete. Shqiptarët ortodoksë, edhe pse historikisht u ballafaquan me probleme të panumërta, jo vetëm që kishin besim në fuqinë dhe mundësitë e vetvetes, por këto tipare i kultivuan dhe i forcuan në vazhdimësi. Nuk lejuan që të shndërrohen në njerëz të nënshtruar dhe shpirtvegjël, pa mision të vetin nacional. Edhe po të donin, këtë nuk mund ta lejonin, sepse ishin të vetëdijshëm se janë pjesë e pashkëputshme e tërësisë së kombit shqiptar.

Lidhur me këtë ndoshta është mirë t’ua kujtojmë lexuesve të librit dhe gjithë opinionit shënimet e babait tim të ndjerë, prof. dr. Jakim Sinadinovskit, ku, ndërmjet tjerash, thotë: “Jetojmë në kohën e përplasjeve nacionale, kohën e ekskluzivitetit nacional, kohën e mbylljes së pakuptimtë në vetvete, kohën e anarkisë mendore, kohën e mosdurimit të të afërmve dhe dyshimit në vetvete, në mudësinë e ardhmërisë më të mençur, ardhmërisë në kuptimin e përgjithshëm të fjalës, kohën në të cilën njerëzit njihen me vështirësi, miqtë e dikurshëm tëhuajsohen dhe, në vend të tolerancës së mendimit dhe hapjes, thinjen nga mosdurimi i njëri-tjetrit dhe gjykimit të çdo gjëje. Por nëse kjo vlen për të gjithë popujt, nuk mund dhe nuk duhet të vlejë për Shqiptarët, sepse ata janë popull malësorësh dinjitozë dhe krenarë, popull që civilizimit botëror ia dhuroi mbretërit pellazgë dhe ilirë – Ilin dhe Bardhylin, mbterëreshën Teutë, Skënderbeun legjendar dhe Lekë Dukagjinin e madh, vëllain tim Josif Bagerin dhe titanë të tjerë. Një popull i tillë nuk mund të zhbëhet, nuk mund të vdesë. Shpirti i një populli të tillë jeton përjetësisht”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button