Qeveria pa përgjigje se përse nuk ndihmoi në dëmet e shkaktuara nga vërshimet në Tetovë

Vërshimet e ditëve të fundit në Tetovë dhe fshatrat përreth shkaktuan dëme të konsiderueshme për qytetarët. Por, Qeveria Maqedonisë edhe pse pati kërkesë nga Shtabi i Krizës në Komunën e Tetovës që të dalë në ndihmë për dëmet e shkaktuara te banorët, të njëjtën nuk e kanë pranuar. Të pyetur nga Portalb.mk për atë se përse nuk kanë dalë në ndihmë në një fatkeqësi të tillë, ata nuk japin përgjigje konkrete.

Të pyetur për atë se a nuk e panë të arsyeshme nga Qeveria që tu dalin në ndihmë banorëve të Komunës së Tetovës të cilët pësuan dëme në këtë fatkeqësi, nga atje arsyetohen kështu:

“Qeveria ndihmon gjithmonë në rast të fatkeqësive natyrore/elementare dhe fatkeqësive të tjera. Fokusi është kujdesi ndaj qytetarëve dhe në raste të tilla takimi me të gjithë, përfshirë edhe njësitë e vetëqeverisjes lokale. Qeveria merr një vendim për llojin dhe masën e ndihmës. Në raste të tilla, komisionet komunale të vlerësimit të dëmeve dalin në terren dhe përgatisin procesverbal. Më pas ata bëjnë një raport ose raporte përmbledhëse dhe ia paraqesin komisionit të Qeverisë për vlerësimin dhe menaxhimin e dëmeve.”

Por, në vërshimet e fundit, ndihmë nga Qeveria nuk pati, edhe pse kishte kërkesë nga Shtabi i Krizës në Komunën e Tetovës. Konkretisht u kërkua që qeveria e Maqedonisë së Veriut të ndihmojë komunën e Tetovës, të ndajë mjete që ekipet e komunës të mund të bëjnë pastrimin e rrugëve, shtratin e lumenjve dhe rregullimin e infrastrukturës që është dëmtuar nga reshjet e shiut.

Ndërsa mosveprimin e Qeverisë, kreu i Komunës së Tetovës e ka konsideruar si neglizhencë të plotë.

“Tetova nuk është gjunjëzuar dhe nuk do të gjunjëzohet, edhe përkundër diskriminimit që na bën qeveria, Ne do i’a dalim. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e djeshme ( 23 gusht) aspak nuk e ka shqyrtuar kërkesën e Shtabit të Krizës së Komunës së Tetovës, ku kërkohej ndihmë për rajonet e prekura nga përmbytjet. Qeveria e papërgjegjshme me vendimin e djeshëm (23 gusht) nuk kanë treguar solidaritet dhe mbështetje për qytetarët për të vetmen arsye, humbja në zgjedhjet lokale të 20 gushtit”, njoftoi Kasami.

Vërshimet e ditës së diel dhe të hënë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytet, në fshatin Xhermë, Reçicë e Vogël, Poroj si dhe në fshatrat e malësisë së Tetovës. Sipas informacioneve, ka dhjetra qytetarë të cilëve uji ua ka dëmtuar shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button