Pendarovski: U harruam nga BE-ja, por arritëm disi të bënim një lloj kompromisi

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) për atë se nëse është tejkaluar pjesa më e vështirë në negociatat me Bullgarinë fqinje, tha se kjo varet nga sjellja e Sofjes zyrtare, transmeton Portalb.mk.

“Kjo deri më tani ka qenë shumë e vështirë. Akti i fundit, sidomos, në fillim të negociatave. Derisa e kemi bërë atë kompromis, e dini, kemi pasur shumë rezistencë nga qytetarët, nuk ka qenë e lehtë. A do të jetë më e vështirë në të ardhmen, varet vetëm nga sjellja e Sofjes zyrtare”, tha Pendarovski.

Ai theksoi se pala maqedonase ka kufij dhe vija që nuk mund t’i shkelë.

“Nëse Sofja zyrtare do të vazhdojë në periudhën e ardhshme me retorikën me të cilën u paraqit në pjesën më të madhe të dy viteve të fundit, në të cilën përpiqet të vendosë dilema dhe çështje të identitetit në tavolinë, të cilat sot nuk diskutohen në të gjithë botën. Ti je ajo që dëshiron të jesh dhe kjo është punë e kryer, fund. Është një e drejtë themelore e njeriut. Pra, nëse miqtë dhe kolegët tanë në Sofje vendosin të sillen në mënyrë evropiane, mendoj se ne mund ta kalojmë gjithë këtë proces jashtëzakonisht shpejt, kështu që në 4-5 vjet të përfundojmë të gjitha negociatat”, tha Pendarovski.

“Ne u harruam nga Bashkimi Evropian”

Duke folur për rrugën e deritanishme evropiane të Maqedonisë së Veriut, Pendarovski tha se nuk është i kënaqur duke pasur parasysh se negociatat për anëtarësim po fillojnë pas 17 vitesh pritje me status të kandidatit.

“Ne praktikisht u harruam nga BE-ja dhe me një sërë shantazhesh ndërkohë, falë Zotit arritëm disi të bënim një lloj kompromisi me Republikën e Bullgarisë, me ndihmën e presidencës franceze dhe filluam negociatat. Nëse shikoni prapa, nga viti 2005 jemi me statusin e kandidatit dhe tek tani fillojmë negociatat, askush nuk mund të thotë se jemi shumë të suksesshëm në këtë drejtim”, tha Pendarovski.

Sipas presidentit, shkaku i pritjes nuk ishte edhe aq shumë mungesa e reformave, por edhe bllokimet e hapura nga vende anëtare të BE-së. Ai gjithashtu pohon se “disa vende evropiane nuk ishin të interesuara për rajonin e Ballkanit”.

“Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova janë shtete absolutisht të harruara, absolutisht të harruara. Kosova nuk mund të marrë liberalizimin e vizave. Dhe tani çfarë entuziazmi dëshironi nga ajo popullatë, të jetë për Bashkimin Evropian?”, theksoi Pendarovski.

Duke kujtuar se Mali i Zi dhe Serbia kanë 10 vjet që negociojnë për anëtarësim në BE, ai thekson se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në pritje të avancimit drejt BE-së.

“Bosnjë e Hercegovina është vendi që objektivisht ka vuajtur më shumë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, me më shumë viktima, mbi 100 mijë të vdekur dhe nuk e di, disa thonë mbi 2 milionë të shpërngulur. Ata nuk munden të përparojnë për shkak të kontradiktave të brendshme të njohura. Por edhe Evropa, sepse disa shtete janë më afër njërit entitet, të tjerat me entitetin tjetër, nuk ia zgjatën dorën për t’i nxjerrë nga humnera të cilës po i afrohen”, tha Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut thotë se si pasojë e kësaj situate po shpërngulen të rinjtë nga i gjithë Ballkani, duke shtuar se asnjë vend sot nuk ka aq banorë sa kishte 20-30 vjet më parë.

Presidenti është skeptik se ndryshimet kushtetuese do të miratohen në këtë përbërje parlamentare

Presidenti Pendarovski u përgjigj edhe në pyetjet që kanë të bëjnë me politikën e brendshme, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve kushtetuese që dalin nga protokolli bilateral i nënshkruar me Bullgarinë.

Ai është skeptik se opozita aktuale në parlament ka disponim për të votuar ndryshimet kushtetuese. Pendarovski konsideron se qëndrimi i opozitës është i imponuar nga logjika e brendshme partiake.

Sipas tij, në dokumentet e nënshkruara deri më tani me Bullgarinë nuk ka rrezik për identitetin dhe gjuhën maqedonase.

“Nuk mund të detyrosh askënd (të votojë) nëse opozita aktuale mendon se këto dokumente janë rrezik për popullin maqedonas. Unë nuk mendoj kështu. Vlerësimi im është se do të jetë shumë e vështirë të arrijmë dy të tretat në këtë përbërje parlamentare pasi që, me sa mund të gjykoj unë, opozita në parlamentin e Maqedonisë së Veriut e lexon marrëveshjen me Bullgarinë, gjegjësisht kornizën negociuese me BE-në, përmes dioptrave partiake”, tha Pendarovski.

Duke folur për polarizimin politik në Maqedoninë e Veriut, ai thotë se nuk mund të arrihet konsensus as për çështje strategjike siç është integrimi evropian.

“Dy blloqet kryesore politike janë shumë larg njëri-tjetrit dhe polarizimi është kaq i madh dhe realisht nuk besoj se këtu ka një vullnet minimal, në radhë të parë për shkak të sjelljes së opozitës për të rënë dakord për 2-3 gjëra strategjike”, thotë Pendarovski.

Duke pasur parasysh polarizimin politik, presidenti Pendarovski nuk beson se mund të ndihmojë një takim i mundshëm i liderëve politikë i iniciuar nga kabineti i presidentit.

“Në parim, nuk besoj se për atë që nuk mund të pajtohet në institucione, do të pajtoheni në një takim liderësh”, tha Pendarovski.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button